PODGORICE - Drejtuesi i koalicionit "Mali i Zi Evropian" Milo Gjukanoviç deklaroi fitoren e zgjedhjeve parlamentare përpara një turme mbështetësit të grumbulluar tek zyrat e partisë në pushtet. "Koalicioni ynë qeverisës është i vetmi në Evropë që mundet të ruajë besimin e publikut në këto kohë të vështira", tha ai duke lajmëruar se negociatat për krijimin e qeverisë do të nisin të martën.

Shqiptarët kanë arritur të fitojnë vetëm 2 deputet. Dy partitë shqiptare FORCA dhe Koalicioni shqiptar fituan respektivisht nga një mandat.

Bazuar mbi numërimin e thuajse 90% të votave, Qendra për Monitorim tha se koalicioni qeverisës mori 45.5% të votave dhe 39 nga 81 vendet e parlamentit. "Fronti demokratik" i opozitës ka fituar 23.8% të votave ose përkthyer ndryshe në 20 mandate. Partia Popullore Socialiste radhitet e treta me 9 vende ndërsa partia “Positive Montenegro” ka siguruar shtatë mandate.

Sa i takon mandateve të partive të vogla, Partia e Boshnjakëve ka fituar tre mandate ndërsa Iniciativa Qytetare Kroate fitoi një mandat. Koalicioni qeverisës i Milo Gjikanoviçit përbëhet nga Partisë Demokratike Socialiste, Partia Socialdemokratike, që sëbashku kanë krijuar pesë kabinete qeveritare në të kaluarën. Pasi kanë fituar 39 vende ato mund të afrojnë edhe ndonjë parti minoritare për të garantuar shumicën qeverisës në parlamentin me 81 vende.

(sg/dm/shqiptarja.com)