PRISHTINË, 17 Dhjetor/ATSH/.-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e zgjedhjes në këtë post, pranoi një telegram urimi nga Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.
"Mali i Zi mbetet i përkushtuar në fuqizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve bilaterale me Kosovën në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, e në bazë të miqësisë tradicionale, respektimit dhe besimit të ndërsjellë, duke ndjekur qëllimet evropiane dhe euroatlantike të të dyja shteteve.", thuhet në telegramin e urimit të Kryeministrit Gjukanoviq.
Kryeministri Gjukanoviç shprehet se "zgjedhja e qeverisë së re të Kosovës është një hap i rëndësishëm në drejtim të ndërtimit të mëtejshëm të shoqërisë moderne dhe të zhvilluar evropiane. Jam i bindur që qeveria, në krye të së cilës jeni ju, do të vazhdojë të fuqizojë pozitën e Kosovës si një partner konstruktiv dhe i besueshëm në dialogun rajonal, duke kontribuar me përgjegjësi në stabilitetin dhe prosperitetin e hapësirës së Ballkanit Perëndimor".
"Shkëlqesia e Juaj, me shpresë që së shpejti do të kemi mundësi që të takohemi dhe të shkëmbejmë mendimet për të gjitha temat e interesit të përbashkët, shfrytëzoj rastin që të ju shprehi respektin tim më të thellë", përfundon urimin Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dërguar Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Kryeministri Mustafa, priti sot në takim edhe ambasadoren e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Songul Ozan. Ambasadorja turke i përcolli kryeministrit Isa Mustafa urimet e kryeministrit të Turqisë, Ahmet Davutogllu, për emërimin në postin e kryeministrit dhe për formimin e institucioneve të reja.
Në takim u theksua se do të vazhdojë bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve dhe ky bashkëpunim do të forcohet në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Kryeministri Mustafa u shpreh se kabineti i ri qeveritar do të thellojë përkushtimet për implementimin përmbajtjësor të reformave të gjithanshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për investime në Kosovë./b.j/k.s/