Protestat e dhunshme nuk po sfidojnë as kryeministrin dhe as shtetin, por anëtarësmin e Shqipërisë në BE në vitin 2030, tha Rama. Sulmi ndaj bankave është pjesë e planit për të përhapur panik dhe për të gjitha këto, bën fajtor kreun e PD, Sali Berishën, ndonëse nuk e përmend drejtpërdrejt.

“Po sfidohet Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030 dhe mënyra evropiane mes forcave në një hapësirë demokratike ku liria dhe e drejta ime mbaron ku fillon jotja. Kjo është sfida, kjo është sprova. Natyrisht që unë i kuptoj shumë më mirë sesa ç’mund të mendojnë shumica dërrmuese e atyre që duan një qetësi të shtirur, të gjitha arsyet pse sot jemi në këtë terror gurësh. Jo nga populli, por nga një grusht njerëzish, edhe pse një pjesë e asaj mase e mbështet qorrazi këtë dhunë. I kuptoj, por nuk kam sesi të pranoj asnjë nga ato arsyet kur shoh një biznes të vogël të rrënuar dhe më ka sjellë natyrshëm kjo ngjarje edhe pamjet përtej ’21 Janarit’, pamjet që me siguri ata që protestojnë sot si studentë s’i kanë parë dhe nuk e dinë që i përkasin kësaj Shqipërie ku ne të tjerët kemi bërë rrugëtimin tonë, në 1998 kur kjo godinë u sulmua me armë nga po ajo dorë që sot nxit, orkestron, paguan dhunën e gurëve. U sulmua me armë kryeministria, u gjuajt me mijëra plumba kallashnikovësh, madje ka pamje në Youtube, edhe raketash dore si ato të terroristëve të Hamasit dhe megjithatë nuk u dogj asnjë biznes, nuk u turrën ata barbarë tek bankat sepse Shqipëria sa po dilte nga një llahtar mes humbjes së kursimeve të shqiptarëve, në gërmadhën e piramidave të ngritura nga po ai matuf që del nga mëngjesi në darkë dhe po nga ata rreth tij që ishin po njësoj si këta, të tredhur dhe agresivë. Pse sulmohen sportelet bankare, automatet? Sulmohen sepse ky është plani, përhapja e panikut se nuk janë sot bankat e Shqipërisë ‘Sudja’ dhe ‘Xhaferri’ e ndyrë. Duan që në rrugë të ketë popull, por në rrugë s’ka popull”, tha kryeministri.


Lajmi kryesor:

Protestat, Rama: Jam përpjekur për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak!’ Të maskuarit s’janë studentët, kriminelët gurë policëve për t'u nxjerrë sytë