Mali i Zi mbyll hapësirën ajrore për avionët rusë

Mali i Zi mbyll hapësirën ajrore për avionët rusë

Hapësira ajrore e Malit të Zi është mbyllur të premten për të gjithë avionët rusë, me vendim të Agjencisë së Aviacionit Civil të këtij vendi.

Ky veprim pason masat e ngjashme që kanë ndërmarrë vendet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Për kontrollin e trafikut ajror të Serbisë dhe të Malit të Zi, përgjegjëse është një agjenci e përbashkët e këtyre dy vendeve.

Megjithatë, Serbia nuk do të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, sepse siç ka thënë, nuk do t’iu bashkohet sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë.

Nga Agjencia për Kontrollin e Trafikut Ajror të Serbisë dhe Malit të Zi, kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se, kompetenca për hapësirën ajrore të secilit shtet, është e rregulluar me ligjet e atij shteti dhe i takon Qeverisë së tij.

Në Mal të Zi, kontrollimin e fluturimit deri në 4,400 metra mbi nivelin e detit, e bën Kontrolli i Fluturimit në Podgoricë, ndërsa mbi këtë lartësi, kontrolli kalon te qendra në Beograd.

Nga vendet e rajonit, edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë mbyllur kufijtë për avionët rusë.

Një zyrtar i NATO-s ka thënë të enjten, 3 mars, për Radion Evropa e Lirë se hapësira ajrore e Kosovës mbetet e hapur.

“Komandanti i KFOR-it ka autoritetin primar për përdorimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.”

"Një mbyllje e tillë nuk do të kishte ndikim operacional. KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin ditor të mandatit të saj sipas OKB-së”, ka thënë ky zyrtar i NATO-s.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, e cila ofron shërbime për aeroplanët civilë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës.

Ndërsa, hapësira e lartë ajrore nga 6,250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi.

Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Njohësit e çështjeve të sigurisë në Kosovë i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të kërkojë nga NATO-ja mbylljen e hapësirës ajrore për aeroplanët rusë.

Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Trrnakop Kacija: 04/03/2022 16:45

    Vucici eshte prostitute nganjera ane bashkohet me rezoluten e OKB qe denon pushtimin e Ukraines nga Rusia nga ana tjeter nuk zbaton urdherin per vendosjen e sanksioneve qe Europa dhe Amerika i kane vendosur Rusise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë