Një supermarket është grabitur nga persona të maskuar orët e para të mëngjesit të së martës në Maliq. Supermarketi që është grabitur është i vetmi në Maliq dhe shërbente si pikë furnizimi për dyqanet e zonës.

Pronari i supermarketit, Rodolf Kollcinaku pohon se vlera e grabitjes shkon rreth 13 milionë lekë të vjetra. Sipas tij, autorët kanë marrë 1 milionë lekë kesh dhe rreth 12 milionë lekë mall, kryesisht cigare.

Kollçinaku thotë se mësoi për grabitjen e dyqanit pas rënies së alarmit rreth orës 02:15 të natës dhe gjatë rrugës ka parë një BMW X 5 që largohej me shpejtësi. Marketi kishte të instaluara 16 kamera, por autorët e grabitjes kanë marrë hardiskun e kompjuterit.

Kollçinaku shprehet se kishte telefonuar 3 herë policinë, por nuk i ishte përgjigjur fillimisht dhe më pas nëpërmjet një shoku që punon polic ka arritur që të njoftojë për ngjarjen. 

Nuk dihet ende identiteti i autorëve të grabitjes, por policia ka ngritur pika kontrolli në gjithë zonën dhe po punon për kapjen e tyre.


Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)