Ka 85 vite mbi supe, por ende nuk heq dorë nga punimet e imëta mbi makinën qepëse apo gjilpërën në dorë.
Kjo është Mumushe Ibrahimi, që në Sarandë të gjithë e njohin për produktet e veçanta artizanale që kanë dalë nga duart e saj.
Çdo ditë e gdhinë mes jorganëve, qilimave e dhjetëra produkteve të qepura me duart e saj. Thotë se e nisi si domosdoshmëri për të jetuar, teksa u punësua në ndërmarrjen e punimeve artistike, e me kalimin e viteve u kthye në pasion. Me këtë punë siguroi të ardhura për të jetuar dhe që ende sot nuk ndjen të heqë dorë.
Ajo vazhdoi të qepte jorganë, edhe pse puna nuk vlerësohet ekonomikisht dhe madje kurrë nuk iu vlerësua as moralisht, edhe pse punimet e saj shteti dikur i dërgonte jashtë vendit.
Disa prej kampioneve të punimeve të saj i ruan fort dhe, pavarësisht kërkesave, nuk pranon t’i shesë, duke i mbajtur si dëshmi të një jete të tërë mes punës, sakrificës dhe pasionit.
Kur vitet i rëndojnë mbi supe, ajo punon çdo ditë elemente dekorative mbi copa të ndryshme, duke ndjerë të njëjtën kënaqësi që ndiente 75 vite më parë, kur nisi këtë profesion, atëhere kur ishte e para e sot si duket e fundit që mban gjallë traditen e bukur të punimeve të tilla në Sarandë
Komente










