Në një kodër që sheh drejt Sarandës, mu përballë Lëkurësit, qëndrojnë rrënojat e një historie që edhe sot të lë pa fjalë.

Bëhet fjalë për Manastirin e 40 Shenjtorëve, një nga monumentet më të veçantë të trashëgimisë sonë, ku historia dhe legjenda përzihen fort me njëra-tjetrën.

Sipas gojëdhënave, 40 ushtarë të një legjioni romak u ndaluan në zonën e Onhezmit, Saranda e sotme, pasi i zuri një stuhi. Aty u përballën me një zgjedhje të prerë nga banorët vendas: të hiqnin dorë nga besimi ose të vdisnin.

Ata nuk pranuan.

Dënimi ishte brutal. U detyruan të qëndronin në ujë të akullt, deri sa trupat e tyre ngrinë. Pranë ishte vendosur edhe një banjë e ngrohtë, si tundim për këdo që do të tërhiqej. Por asnjëri nuk u thye.

Në fund, të gjithë u ekzekutuan.

Legjenda thotë se fillimisht mbetën 39, por në momentin e fundit një shërbëtor iu bashkua, për ta çuar numrin në 40. Kështu lindi historia e “40 Shenjtorëve”, që më pas u shpallën të tillë nga kisha.

Mbi këtë rrëfim u ngrit edhe manastiri, i cili dikur ishte një strukturë madhështore, rreth 40 metra i gjatë dhe 24 metra i gjerë. Sot, siç shihet edhe nga fotot e publikuara nga Ministri i Turizmit Blendi Gonxhja, kanë mbetur rrënojat, të dëmtuara ndër vite nga pushtimet dhe bombardimet e Luftës së Dytë Botërore. 

Nga ana arkitekturore, kisha është një bazilikë me tre korridore, me salla dhe holle, ku në brendësi ruhen ende rreshta kolonash që dëshmojnë për ndërtimin e saj imponues. Në anën lindore përfundon me një absidë gjysmërrethore, ndërsa muret anësore kanë dritare të vendosura në dy radhë.

Ndërtimi i saj lidhet me periudhën bizantine, ndërsa studiues të ndryshëm hedhin edhe hipoteza se pjesë të saj, sidomos ato nëntokësore, mund të jenë më të hershme, madje para përhapjes së krishterimit.

Manastiri ka qenë për vite me radhë një vend i rëndësishëm pelegrinazhi, pasi besohej se në qelitë e tij ruheshin relike të martirëve. Pikërisht kjo e ktheu në një pikë referimi për besimtarët e krishterë.

Ndër vite ka pësuar dëmtime të mëdha: nga sulmet e hershme, shkatërrimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, deri te përdorimi si repart ushtarak gjatë komunizmit.

Sot, përveç historisë së fortë që mbart, ai mbetet një nga pikat më të vizituara në jug të vendit.

Sepse, në fund të fundit, nuk është thjesht një manastir,  është një histori besimi që ka mbijetuar në kohë.