Drejtuesja Politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një dëgjesë publike me banorët e Njësisë 6 për t’i dëgjuar dhe për të folur me ta.
Në dialogun e hapur me banorët, Manastirliu u ndal te prioritetet e Buxhetit 2026 dhe investimet që do të prekin drejtpërdrejt komunitetin, jo vetëm të Lagjes 14 të Njësisë 6, por në çdo lagje të Tiranës.
Gjatë takimit, Manastirliu u fokusua te projektet kryesore në arsim, rindërtim dhe zgjerimin e infrastrukturës shkollore, duke theksuar se prioritet kyç në Buxhetin 2026 janë investimet në çerdhe, kopshte, shkolla dhe në shërbimet publike.
“Me këtë buxhet po investojmë te ajo që ne e kemi më të shenjtë, te fëmijët tanë, duke vijuar investimet në çerdhe, kopshte dhe shkolla. Investimet që kanë filluar qoftë në zonën e Astirit me kompleksin arsimor – çerdhen, kopshtin dhe shkollën 9-vjeçare që po ecin me ritme të shpejta – si edhe investimi në shkollën 9-vjeçare dhe të mesme në Yzberisht, ashtu si edhe këtu në Kombinat, ku kemi një investim në shkollën 9-vjeçare ‘Tre Dëshmorët’. Të gjitha këto janë investime që shkojnë drejtpërdrejt te fëmijët tanë, te mirërritja, zhvillimi dhe arsimimi i tyre”, tha Manastirliu.
Drejtuesja Politike e Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Ogerta Manastirliu, shtoi se investimet në infrastrukturë në Kombinat do të vijojnë me punën e madhe që po bën Bashkia e Tiranës për përfundimin e procesit të rindërtimit, me projekte që janë përcaktuar tashmë në buxhetin e bashkisë dhe që po ndiqen për t’u siguruar që të gjitha projektet dhe programet në zbatim të realizohen gjatë vitit të ardhshëm.
Komente









