Manastirliu në Fier:1 mln € për
spitalet,kabinet hemodinamike

Manastirliu në Fier:1 mln € për<br />spitalet,kabinet hemodinamike<br>
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu vizitoi spitalin Rajonal të Fierit, e shoqëruar nga rektori i Universitetit Mjekësor të Tiranës prof. Arben Gjata dhe shefi i shërbimit të Kardiokirurgjisë në QSUT, prof. Artan Goda.

Duke filluar nga viti  2018, në këtë spital do të kryhen për herë të parë ndërhyrjet e kardiologjisë invazive për t’i dhënë zgjidhje me metoda bashkëkohore infarkteve akute për 400 mijë banorët e qarkut të Fierit.

“Një milion euro investime për angiografin dhe apararura të tjera biomjekësore do të fuqizojnë në vitin 2018 spitalin Rajonal të Fierit. Paralelisht, po përgatisim burimet njerezore, mjekët e specializuar, që do të kryejnë ndërhyrjet e kardiologjisë invazive në këtë spital, duke filluar nga viti i ardhshëm, duke krijuar kështu një hartë të re të ofrimit të këtij shërbimi në vend”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale.
Gjatë takimit me stafin mjekësor të spitalit Rajonal të Fierit, Ministrja Manastirliu deklaroi se bashkë me spitalet universitare të Tiranës po hartohet nje plan konkret për të nisur sistemin e patronazhimit të spitaleve rajonale.

“Duke filluar nga muaji Janar do të plotësojmë nevojat me mjekë specialistë këtu në spitalin e Fierit dhe në të gjitha spitalet rajonale përmes një kalendari që jemi duke e përcaktuar me drejtuesit e shërbimeve shëndetësore të spitaleve universitare. Ky sistem i ri do të rrisë formimin profesional të mjekëve kudo në Shqipëri, por së pari, do të garantojë ofrimin e shërbimeve mjekësore aty ku janë nevojat”,
u shpreh Ministrja Manastirliu. 

Prof. Artan Goda, shef i shërbimit të Kardiokirurgjisë në QSUT u shpreh se hapja e kabinetit të ri të Hemodinamikës është një lajm i mirë jo vetëm për Fierin por për të gjithë jugun e vendit. “Kryerja e ndërhyrjeve me metoda moderne, përveç kirurgjisë tradicionale, do të mundësojë të shpëtohen jetë njerëzish nga infarktet akute”, tha prof.Goda.

Ndërsa rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. Arben Gjata vuri theksin te rëndësia e riorganizimit të burimeve njerezore për të shërbyer aty ku janë nevojat e komunitetit. “Së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes po shikohen të gjitha mundesitë e plotësimit të nevojave me mjekë ne spitalet rajonale, qoftë duke ngritur nivelin profesional të mjekëve të këtyre spitaleve në Tiranë por edhe duke sjellë mjekë nga Tirana për të kryer ndërhyrje në spitalet rajonale”, u shpreh prof. Gjata.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se fuqizimi i spitaleve rajonale do të jetë në fokus të politikave dhe planit konkret që Ministria ka për të rritur cilësinë e shërbimit dhe për ta ofruar atë aty ku janë nevojat, duke shfryrë në këtë mënyrë edhe fluksin e spitaleve universitare në Tiranë.

d.c./shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri