Qendra shëndetësore e Kombinatit, një prej qendrave më të mëdha në Tiranë, po rehabilitohet me standardet më të larta për t’i shërbyer me cilësi 90 mijë banorëve të kësaj zone.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi punimet në qendrën shëndetësore të Kombinatit, ku deklaroi se shërbimi do të ofrohet 24 orë në 7 ditë të javës.
“Pas rehabilitimit, kjo qendër do të kthehet në qendër shëndetësore me shërbime 24-orëshe për urgjencat, për të shmangur ecejaket në QSUT për shërbime që fare mirë mund të ofrohet nga mjekët specialistë në këtë qendër”, tha Ministrja Manastirliu.
Qendra e Kombinatit do të jetë gjithashtu një nga pesë pikat në Tiranë, ku do të bëhet vlerësimi i personave me aftësi të kufizuar.
“Brenda vitit do të pilotojmë në Tiranë një sistem të ri vlerësimi bio-psiko-social për sa i përket personave të cilët trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar. Kemi vlerësuar që do të jenë 5 pika në Tiranë të cilat do të ofrojnë këtë vlerësim, nëpërmjet mjekëve specialistë, punonjësve socialë dhe psikologëve. Ne kemi vendosur që këto njësi të reja të vlerësimit t’i përfshijmë brenda qendrave shëndetësore, duke qenë se aksesi i qytetarëve është shumë i shpejtë dhe do të ulim burokracitë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u ndal te programi i rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, duke theksuar se në Tiranë janë 9 qendra shëndetësore që po i nënshtrohen rehabilitimit këtë vit.
“Programi i rehabilitmit të 300 qendrave shëndetësore për vitin 2019 fuqizohet me 100 qendra të reja shëndetësore, të cilat tashmë kanë filluar të rehabilitohen, pjesë e së cilës janë 9 qendrat shëndetësore dhe ambulancat që po i nënshtrohen rehabilitimit në rrethinat e Tiranës”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shoqërua nga deputetja e zonës, Blerina Gjylameti, e cila vlerësoi investimet që po kryen Ministria e Shëndetësisë në zonat periferike të Tiranës, duke ju përgjigjur dhe ndryshimeve demografike që kanë ndodhur në kryeqytet. Gjatë vitit 2018 vetëm në Tiranë u rehabilituan 15 qendra shëndetësore, ndërsa këtë vit janë në proces rindërtimi 9 qendra shëndetësore në zonat periferike të qytetit. Brenda vitit 2019 do të rehabilitohen 100 qendra shëndetësore dhe ambulanca në vend.