Manastirliu: Spital ditor e ambiente 
për konsultat në Pediatrinë e QSUT

Manastirliu: Spital ditor e ambiente <br />për konsultat në Pediatrinë e QSUT
Krijohen për herë të parë në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ambiente të posaçme për konsultat dhe një spital ditor, duke shmangur kaosin dhe fluksin e pacientëve në pavionet e spitalit të fëmijëve.
 
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë inaugurimit të ambienteve të reja të Pediatrisë, u shpreh: “Finalizojmë sot këtë projekt që ndan shërbimin spitalor nga shërbimi ambulator, duke i krijuar kushte më të mira mjekëve por edhe pacientëve, të cilët vijnë për konsulta apo për të marrë shërbime ditore pranë Pediatrisë së QSUT-së”.
 
Deri dje, këto ambiente ishin tërësisht të amortizuara dhe përdoreshin për depozitimin e materialeve që dilnin jashtë përdorimit, ndërkohë që kaosi që krijohej në pavione ku merrej shërbimi, ishte tepër i madh, për shkak të fluksit të vizitave ambulatore.

Sot, ambientet e rehabilituara ofrojnë mundësinë e kryerjes së konsultave për katër specialitete të Pediatrisë: Nefrologji; Kirurgji infantile; Gastrologji dhe Endokrinologji.
 
“Është një lajm shumë i mirë. Ishte diçka shumë e nevojshme për shfryrjen e fluksit në pavione”,
u shpreh Prof.Ass Dritan Alushani, shef i shërbimit të Kirurgjisë Infantile.
 
“Ka shmangur shumë konfuzionin që ndodhte për vizitat. Tani po ndahen mirë urgjencat nga planifikimet dhe vizitat te specialistët. Kjo është diçka e mirë jo vetëm për mjekun që punon i qetë, por edhe për njerëzit që kanë oraret e tyre të vizitës dhe marrin shërbimin në kohë”,
tha Prof.Ass Diamand Shtiza, nefrolog pediatrik.
 
Një tjetër risi e këtij investimi, është ngritja e spitalit ditor Gaucher, që do të shërbejë për 24 pacientë që vuajnë nga kjo sëmundje e rrallë, e cila prek mëlçinë, shpretkën dhe palcën e kockës.

Atyre ju duhet të marrin terapinë 2 herë në muaj dhe deri dje -edhe pse një pjesë janë pacientë të rritur- ju duhej të vendoseshin në dhoma në pavione me fëmijë për të marrë terapinë e nevojshme. Tanimë ky spital ditor i ngritur enkas për ta, do ta lehtësojë ndjeshëm marrjen e terapisë në kushte optimale.
 
“Të sëmurët do të ndihen më komodë në privacinë e tyre por edhe ne na jepet mundësia për një trajtim më të mirë të pacientëve, duke i patur të gjitha gjërat të sistemuara, me data base, me çdo gjë të nevojshme për një trajtim më të mirë shkencor”,
u shpreh Prof. Paskal Cullufi, shefi i shërbimit të Pediatrisë së Specialiteteve.
 
Në këto ambiente të rehabilituara do të marrin shërbim/konsulta rreth 50-60 fëmijë/ditë.
 
Ndërkohë, një tjetër investim i rëndësishëm për Pediatrinë është plotësimi i Reanimacionit me aparaturat e nevojshme, në kuadër të projektit me JICA (Japan International Cooperation Agency) Falë këtij bashkëpunimi, Pediatrisë i janë shtuar 7 monitorë pacienti, shtrate operatore, inkubatorë pacienti, krevatë pacienti, 4 pompa infuzioni, si dhe brenda këtij muaji, do të shtohet edhe grafia dixhitale dhe eko.
 
“Janë vërtet aparatura shumë të mira, të teknologjisë së fundit, shumë të rëndësishme për pavijonin e fëmijëve të sëmurë rëndë”, u shpreh Prof. Ermira Kola, shefe e shërbimit të Reanimacionit Pediatrik.
 
Ministrja e Shëndetësisë falenderoi Agjencinë Japoneze JICA, të cilët -siç u shpreh ajo- gjithmonë janë gjendur afër shërbimeve të Pediatrisë, duke i mbështetur me aparatura të fjalës së fundit.

“Këto aparatura janë shumë të nevojshme për fëmijët që trajtohen në shërbimin e terapisë intensive, që është një shërbim delikat, pasi flasim për fëmijë që janë në kushtet e rrezikut për jetën.

Flasim për inkubatorë dhe monitorë të fjalës së fundit të teknologjisë, të cilët plotësojnë mini-flotën e aparaturave që ka shërbimi i reanimacionit, ndërkohë që ekoja dhe grafia që pritet të vijnë në kuadër të këtij projekti, do të rinovojnë tërësisht aparaturat diagnostikuese por edhe terapi-mbajtëse për pacientët e vegjël, pasi për Qeverinë Shqiptare, për ne si Ministri Shëndetësie, fëmijët janë të parët”,
tha Manastirliu.
 
Të gjitha këto janë ndërhyrje të domosdoshme në funksion të një shërbimi më cilësor për fëmijët. “Por jemi ambiciozë për të realizuar një ndërhyrje që do t’i ndryshojë krejtësisht pamje Pediatrisë këtu në QSUT, investimi madhor në kuadër të projektit me Bankën Botërore, që do të rehabilitojë dhe zgjerojë Pediatrinë.

Falë kësaj ndërhyrje, që presim ta finalizojmë si projekt brenda vitit, do të kemi edhe një reanimacion totalisht të ri, me standarde europiane”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Redaksia Online
Al.N/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike