Djajtë e kuq të Manchester United kanë arritur një marrëveshje për të firmosur një kontratë me sulmuesin e Arsenalit Robin Van Persie. Lajmi u konfirmua në një deklaratë të lëshuar nga skuadra në orët e vona të së mërkurës.

"Manchester United ka kënaqësinë të njoftojë se ka arritur një marrëveshje me skuadrën e Arsenalit për transferimin e Robin Van Persie", thuhet në deklaratë. Mbetet të finalizohen vetëm procedurat e vizitave mjekësore dhe kushteve personale ndërsa një tjetër konfirmim përfundimtar pritet të jepet shumë shpejt. Në faqen zyrtare të Arsenalit thuhet se sulmuesi holandez që shënoi 30 gola në 38 ndeshje për londinezët, do të udhëtojë të enjten në Manchester për të përmbyllur fazat e fundit të transfertës.

Në muajin korrik Van Persie shokoi trajnerin e Arsenalit Arsene Wenger me një deklaratë në faqen e tij personale duke pohuar se "golat i kam shënuar për të fituar trofe me skuadrën" ndërsa u shpreh se pret që të rikthehen ditët e lavdishme. Holandezi shpjegoi se pas një takimi me Wenger dhe me shefin e klubit Ivan gazidis është bërë e qartë se në shumë aspekte ai nuk pajtohet me mënyrën se si Arsenali po ecën përpara.

(dm/Shqiptarja.com)