Mandarinat me pesticide, Ministria e Bujqësisë: Kemi bërë kallëzim penal për grumbulluesit! Gjobë e bllokim aktiviteti për shkelësit

Mandarinat me pesticide, Ministria e Bujqësisë: Kemi bërë kallëzim penal për grumbulluesit! Gjobë e bllokim aktiviteti për shkelësit

Mandarina

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka dalë me një deklaratë për publikun lidhur me mandarinat me pesticide, të kthyera mbrapsht nga Kroacia që në kufi gjatë periudhës 29 nëntor - 11 dhjetor 2024. 

Ministria thotë se është bërë kallëzim penal për grumbulluesit dhe gjobë e bllokim aktivitetit për ata që rezultuan me shkelje, njoftim të cilën e ka thënë dhe AKU më herët se është gjobitur grumbulluesi në Goriçan të Beratit me 4 mln lekë, ndërsa ngarkesa e kthyer mbrapsht u gropos. 

Ministria thotë se mbi 85% e prodhimit është shitur në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar, me rezultate pozitive nga analizat për mbetje të pesticideve.

Nga 924 kamionë të eksportuar, vetëm tre ngarkesa janë konstatuar me probleme, sqaron më tej ministria e Bujqësisë. Një prej tyre është kthyer dhe asgjësuar në Shqipëri, ndërsa dy të tjera janë trajtuar në Kroaci. Ministria thotë se është bërë kallëzim penal për grumbulluesit dhe gjobë e bllokim aktivitetit për ata që rezultuan me shkelje

Më tej deklarata e ministrisë thekson se inspektimet e vazhdueshme, analiza të rregullta laboratorike dhe ndjekja e gjurmueshmërisë kanë për qëllim të sigurojnë standardet e larta në prodhimin dhe tregtimin e mandarinave dhe produkteve të tjera. Së fundi bëhet edhe një thirrje për konsumatorët dhe fermerët për të raportuar çdo rast të paligjshmërisë për të mbrojtur integritetin e zinxhirit të furnizimit ushqimor.

Deklarata e Ministrisë së Bujqësisë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxit konsumin e produkteve shqiptare për festat e fundvitit dhe në vazhdim. Për vitin 2024 mbi 85% e prodhimit të mandarinave shqiptare është vjelë dhe është shitur në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar dhe në asnjë rast nga të gjitha kontrollet dhe analizat e kryera nuk kanë rezultuar me mbetje të pesticideve. Sot, kultivimi i mandarinave shtrihet në mbi 1,000 ha nga fermerë tregu dhe prodhues më të vegjël.

Në lidhje me debatin mediatik për situatën e cilesisë dhe sigurisë së mandarinave shqiptare në vijim të komunikimeve të mëparshme në deklaratat zyrtare të Minsitrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sqarojmë publikun se:

Për vitin 2024 janë eksportuar nga kultivimi dhe të vjelat e mandarinës shqiptare 924 kamionë në tregun europian e mbarë botëror, nga të cilët vetëm 3 ngarkesa prej totalit janë konstatuar me parregullsi për mbetje dhe janë asgjësuar. Ky raport nuk duhet të dëmtojë mundin dhe djersën e një viti prodhimi të fermerëve shqiptarë dhe në të njëjtën kohë të krijojë shqetësim dhe panik tek konsumatori.

Sipas njoftimit të Sistemt të Njoftimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë – RASFF për mbetje të pesticideve në mandarina të eksportuara nga Republika e Shqipërisë, AKU ka marrë masa të menjëhershme për gjurmueshmërinë dhe veprimet proceduriale mbi subjektet eksportues duke marrë masa dhe veprime konkrete për të asgjësuar 20.482 kg Mandarine clementine, në datën 19.12.2024, në Qarkun e Fierit, ngarkesë e cila është kthyer mbrapsht nga shteti i Kroacisë. Procedura e asgjësimit është kryer sëbashku me praninë e Autoritetit Kombëtar të Mjedisit, Drejtorinë e Tatimeve, si dhe me praninë e disa mediave të ndryshme.

Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në datën 19.12.2024, u kryen inspektime dhe evidentime të përbashkëta në Fshatin Mursi të Bashkisë së Konispolit, ku ushtron aktivitet kultivues një nga fermerët, i cili kishte asgjësuar produktin mandarinë. Për subjektet grumbulluese të rezultuara në shkelje të dispozitave ligjore, përveç se është kryer kallëzim penal, sipas shkeljeve, janë marrë edhe masa administrative gjobë, si dhe bllokim aktiviteti. Për ndjekjen e situatës në vijim, çdo ditë janë kryer inspektime të përbashkëta në qarkun Berat, Bashkia Dimal.

Informojmë konsumatorin lidhur me dy ngarkesat e tjera, të raportuara nga shteti i Kroacisë për mbetje të pesticideve sipas njoftimit të sistemit RASFF, se njëra është asgjësuar në shtetin Kroat, ndërsa tjetra nuk është kthyer ende në vendin e origjinës. Janë njoftuar të gjitha PIK që në rast kthimi të produktit, të bëhet bllokimi i menjëhershëm i tij me destinacion asgjësimin.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet në subjektet që tregtojnë Produkte të Mbrojtjes së Bimëve dhe Produkte Plehëruese, ku vetëm për këtë javë janë kontrolluar dhe verifikuar 46 subjekte tregtuese të PMB-ve, në të cilat nuk u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore. Vazhdojnë pa ndërpreje kontrollet në pikat e tregtimit, pikat e grumbullimit dhe magazinimit të fruta perimeve, ku përveç 18 mostrave të përcaktuara në planin e monitorimit të pesticideve për muajin Dhjetor, për produktin mandarinë, me qellim mbajtjen e situatës në kontroll, janë marrë edhe 7 mostra të tjera jashtë planit, për analizim në Laboratorin e Referencës – ISUV.

Inspektimi vjetor në territor nga AKU deri ditën e sotme kap shifrat 806 inspektime për tregtimin e pesticideve dhe 862 inspektime për produktet plehëruese. Për vitin 2024 janë analizuar 188 mostra gjithsej, nga këto për pesticide 28, nga të cilat 27 kanë rezultuar konform, kurse 1 është në proces analizimi. Për produkte plehëruese janë analizuar 160 mostra, nga të cilat 24 janë në proces analizimi, 134 kanë rezultuar konform dhe 2 mostra jo konform, për të cilat është ndjekur gjurmueshmëria dhe janë marrë të gjitha masat sipas legjislacionit në fuqi.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka të miratuar dhe në zbatim Planin e Veprimit për Përdorimin e Qëndrueshëm të Pesticideve, i cili përfshin të gjithë zinxhirin e veprimit me stukturat qëndrore dhe institucionet e vartësisë, pa përjashtuar mbështetjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës, si dhe prodhuesve shqiptarë. Qëllimi i këtij Planit i Veprimit, është përdorimi i duhur dhe i sigurtë i PMB-ve, për mbrojtjen e shëndetit të bimëve për të garantuar prodhim me cilësi dhe të sigurtë për konsumatorin, si dhe mbrojtjen e mjedisit ku përdoren.

Falë punës së strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural këtë vit territori i Republikës së Shqipërisë u mbrojt e u mbajt i pastër nga Sëmundja e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël, edhe pse vendet kufitare patën shpërthime dhe dëme kolosale. Janë menaxhuar menjëherë në mënyrë efikase dhe pa e dëmtuar situatën epizootike në vend, rastet e shfaqjes së Influencës Aviare dhe Murtajës Afrikane të Derrave.

Ndërkohë që ka vijuar puna e vazhdueshme për ndërgjegjësim për prodhimin e produkteve biologjikisht të pastra me anë të luftës biologjike, e cila vjen edhe me një nxitje fiskale lehtësuese. Përdorimi strikt i protokolleve dhe ndalimi i përdorimit të pesticiteve të ndaluara edhe në vendet e Bashkimit Europian është fakt. Kërkohet që edhe ata pak fermerë që tentojnë në mënyrë të paligjshme përdorimin e tyre të kuptojnë se kjo mënyrë ka vetëm një mundësi: zbulimin dhe vënien përpara ligjit pasi kontrollet dhe gjurmueshmeria është shumë e lartë. Fermerët shqiptarë, prodhuesit, grumbulluesit dhe eksportuesit duhet të bashkëpunojnë për të zbatuar praktikat më të mira bujqësore në të gjithë zinxhirin e prodhimit, deri tek konsumatori.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është transparente dhe ka të publikuar në faqen e saj zyrtare, listën e PMB-ve dhe etiketave të përdorimit, si dhe listën e produkteve plehëruese, të cilat përditësohen vazhdimisht duke i bërë të qartë fermerëve të mos përdorin produkte kontrabandë që janë të ndaluara në vendet e BE-së dhe në vendin tonë. Fermerët, çdo përdorues apo konsumator ka aksesin e mundëshëm për të marrë informacionin e plotë jo vetëm për përdorimin, por dhe pasojat nga keqpërorimi i tyre.

Iu bëjmë thirrje që për çdo rast paligjshmërie, parregullsie apo abuzimi që konstatojnë të njoftojnë në numrat e publikuar në faqet zyrtare të MBZHR apo institucioneve të varësisë, për tu bërë pjesë e përgjegjësisë së përbashkët në garantimin dhe ruajtje e sigurisë ushqimore në vend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:56
Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar denoncon: Tjetër ngarkesë me pesticide të larta në mandarina nga Shqipëria, sinjalizohet nga BE-ja

Presidenti i Urdhrit të Mjekut Veterinar, Ervin Resuli ka bërë një tjetër denoncim në rrjete sociale lidhur me një ngarkesë tjetër me mandarina me pesticide nga Shqipëria.

Kjo është zbuluar nga sistemi i alarmit RASFF në BE për praninë e pesticideve të larta në mandarinat nga Shqipëria.

Sipas tij ministria e Bujqësisë po hesht, ndërsa kjo është një sistem alarmi.

'Raste të reja me prezencë të clorpirifosit në mandarina shqiptare

Ende pa u mbyllur rezultatet e tre ngarkesave të para për praninë e clorpirifosit në mandarina, sistemi i alarmit RASFF në BE ka lëshuar përsëri njoftim më 20 dhjetor për ngarkesa të tjera me pesticide të larta në mandarina nga Shqipëria!

Ku është Ministria e Bujqësisë?

Ministria ka për detyrë të mbrojë konsumatorin shqiptar dhe të sigurojë standardet e sigurisë ushqimore. Pse po vonohen analizat dhe nuk po publikohen rezultatet? A ka dikush interesa në Ministrinë e Bujqësisë që lejon popullatën shqiptare të konsumojë produkte me nivele të rrezikshme të pesticideve?

Kjo situatë është një këmbanë alarmi për shëndetin e qytetarëve dhe për reputacionin e produkteve tona bujqësore. Institucionet përkatëse duhet të reagojnë menjëherë dhe të garantojnë që produkte të tilla të mos përfundojnë në tryezat tona.', thotë Resuli në Facebook.

G.K/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Nazi: 23/12/2024 11:48

    He se po vet do i hani po nuk bot kontrolle jo vetem ke frutat por ke gjith ushqimet

    Përgjigju
  • Fshati: 23/12/2024 09:33

    Grumbulluesit maskarenje, nuk duhet ti kishin pranuar mandarinat me pesticide, ti shitnin vetë prodhuesit me pakicë në tregjet vendase dhe ishte mbaru kjo punë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Më 24 dhjetor në Tiranë mbrëmje festive për Krishtlindje! Muzikë festive, koncert në 19:00 në sheshin “Skënderbej”

Më 24 dhjetor në Tiranë mbrëmje festive për Krishtlindje! Muzikë festive, koncert në 19:00 në sheshin “Skënderbej”