Ndërsa dorëheqja e kandidates për deputete të LSI në qarkun e Durrësit,Silavana Maksutit, e cila do të zëvendësonte ministrin Lefter Koka, pritet që t`i lërë mandatin e deputetes Merita Kuçit. Por pritet që këtë mandat ta marrë Bujar Derveni, pasi edhe kjo kandidate femër e LSI pritet që të japë dorëheqjen. Para fillimit të seancës plenare është mbledhur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin,i cili ka shqyrtuar kërkesat për dorëheqjet e dy grave që duhet të merrnin mandatin e deputetes, në Lezhë dhe në Durrës. Opozita nëpërmjet deputetes së PD, Mesila Doda dhe Jozefina Topalli ka kërkuar që çështja e lënies së mandateve nga dy deputetet, të cilat pasojnë në lista të dorëhequrit, të përfshihen në rendin e ditës. “Çohuni zotërinj deputetë, dilni zot të së ardhmes së fëmijëve tuaj, ajo që po ndodh është jashtëzakonisht e rëndë, të gjithë këtu po heshtim. Të thërrasim zonjat, nuk janë të sëmura, por u kanë marrë peng vëllezërit.
Kodi i heshtjes është kodi i mafies ky që përdorin këta”, tha Topalli. Në kundërreplikë, kreu i Kuvendit Ilir Meta iu drejtua Topallit se ajo nuk është as pjesëmarrëse në Aleancën e Grave Deputete. Ndërkohë që për ish-kreun e opozitës, Sali Berisha ky është një kompromis i turpshëm në historinë e tij për të përzënë nga parlamenti dy zonja, për tu zëvendësuar me të fortë e përfaqësues jo të civilitetit, por të mafies.“Ky parlament ka rregullat e veta dhe ka solidaritin e vet ndaj deputëve të sëmurë, por jo flakjen, sepse ka kufi, ti Mimi kofidentja e 20 përqindëshit, po përdorni një grua për të sulmuar një grua”, tha ai. Pas këtij debati, grupi parlamentar i PD bojkotoi vijimin e punimeve në Parlament deri në një urdhër të dytë. Kryeministri Rama më pas mori fjalën duke analizuar sjelljen e së djathtës si një politikë të vjetër që nuk i shërben shqiptarëve.
Rama
Kryeministri Edi Rama ka akuzuar opozitën është bër burim toksik i mbetjeve të politikës komuniste. “Do doja që këto fjalë t’ua thoja në sy atyre që hodhën një gur dhe ikën dukek kujtuar se shqiptarët janë të marrë që të shkojnë pas gurit të tyre. Dëgjoj në ditë prijësin e tyre që u thoshte militantëve se PD duhet të analizojë se pse humbi zgjedhjet. Sa më shumë kalojnë ditët e tyre pas humbjes aq më e qartë është se do humbasin përsëri. Për një arsye shumë të thjeshtë janë bërë njësh me baltën e rrenave dhe shpifje dhe e vetmja gjë që dinë është të bëjnë pis kudo që prekin. Janë katandisur në burimin më toksik të mbetjeve të politikës së vjetër komuniste”, tha ai. Rama theksoi se opozita është e frikësuar me kthimin e policisë së Shtetit në krye të detyrës.
AKTI NORMATIV PER BUXHETIN 2013
Kuvendi miratoi edhe Aktin Normativ “Për disa ndryshime në ligjin nr.119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, të ndryshuar”. Ndërkohë opozita para se të niste debati për këtë Akt braktisi punimet e seancës plenare. Akti normativ parashikon një shtesë fondesh prej 4.9 miliardë lekësh. Sipas tij, Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë i alokohet fondi prej 1.9 miliardë lekësh në programin buxhetor “Mbrojtja sociale” me qëllim kryerjen e pagesës së PAK-së dhe ndihmës ekonomike për muajin dhjetor, ndërsa ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës i shtohen 3 miliardë lekë në programin buxhetor “Transporti rrugor”.
Miratohet komisioni, priten emrat e PS dhe PD
Kuvendi miratoi me mungesën të opozitës me 75 votat e shumicës projektvendimin për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën territoriale-administrative. Opozita nuk mori pjesë në votim pasi braktisi sallën e Kuvendit pas debateve për dorëheqjen e dy deputeteve femra të qarkut të Lezhës. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta lexoi para deputetëve të pranishëm projektvendimin për ngritjen e komisionit që do të ketë në përbërje të tij 16 anëtarë, 8 nga pozita e 8 nga opozita.
Ndërsa ka shprehur keqardhjen për mos dhënien e konsensusit nga opozita, Meta theksoi se vendimi i jep opozitës të drejtën e përfaqësimit në mënyrë të barabartë me mazhorancën. "Komisioni ka objekt përcaktimin e kritereve për ndarjen e re, hartimin dhe përcaktimin e kalendarit të zbatimit të reformës, projektin për ndarjen e re Komisioni ngrihet në barazi të plotë pozitë-opozitë dhe kryesohet nga 2 bashkëkryetarë, PS, PD", thuhet në projektvendim. Sipas tij komisioni funksionon brenda një fati 3 mujor, deri në 20 prill të këtij viti.
DEBATI
Akuza mes Berishës, Kodhelit e Ramës
Doda: Tre zonja deputete u detyruan të jepnin dorëheqjen dhe të zëvendësoheshin nga burrat që vinin më poshtë në listat përkatëse. Parlamenti ka vend ose për kriminelët, ose për politikanët.
Meta-Dodës: Mos shfrytëzoni tolerancën për veprime të tilla që rrezikojnë veprimtarinë normale të Kuvendit.
Berisha: A jeni ju që po kërkoni të vendosni rendin she sigurinë në vend? Si doni ta bëni këtë nëse ju nuk hiqni dorë nga këto veprime mafioze? Por ju s’mund ta bëni dot këtë, pasi juve ju komandon mafia.
Topalli: Çohuni zonja në emër të fëmijëve tuaj, ju zotërinj deputetë, dilni zot të së ardhmes të fëmijëve tuaj. Nuk janë të sëmura por u kanë kërcënuar fëmijët. Nuk janë të sëmura, por u kanë marrë peng vëllezërit.
Kodheli për Topallin: Ajo listë vërtet është përballur me mafien, dhunën, vështirësitë që ai qark sjell, për shkak të vështirësisë që ju zotërinj në tetë vite qeverisje i keni lënë. Merieme Delishi është zonja më e nderuar që rrethi i Lezhës ka. Është e turpshme të abuzohet me këtë emër të respektuar, por nuk është e turpshme të jesh e sëmurë.
Doda: Nëse ne do pranonim presionin ndaj grave, atëherë ne si Parlament jemi dorëzuar para krimit. Kur kanë frikë deputetët e Shqipërisë, atëherë ky vend ka marrë fund.
Meta: Tani do flasë mbrojtësi më i madh i të drejtave të grave
Berisha: Kjo është një sitë e zezë, e rëndë në historinë e kërtij paralmenti, në një vend ku provë,javë për javë e më shpesh, dhunohen në mënyrën më brutale nënat, motrat,vajzat, gratë shqiptare. Është një kompromis i turpshëm në historinë e tij për të përzënë nga parlamenti dy zonja, për tu zëvendësuar me të fortë e përfaqësues jo të civilitetit por të mafies.
Kodheli: Sali Berisha ne të dy njihemi shumë herët. Unë kam burrninë të them: Jetën e babait tim ta kam borxh dy herë, jo një herë. Për të tjerat, me mua nuk krahasohesh sepse në CV-në time nuk ka pasur as vrasje as hajnira.
Berisha: Politikë tritoli, granatash, të arrestimeve brutale, akuzave familjare ndaj eksponentëve të opozitës, të pritave shtetërore ndaj të burgosurve të liruar. Ai që dënohet nga shteti, ai nuk preket, nuk vritet, ai nuk ekzekutohet, kjo qeveri, është një ekstension i krimit, i bandave, kryekreu i saj ka lidhje të fuqishme me të gjitha bandat.
Rama: I gënjen mendja se populli do të mblidhet te këndi i fletërrufeve e do të shkojnë pas tyre. Hajduti thërret kapni hajdutin, do i shpëtojë nga ky siklet i madh që i lë pa gjumë e më kujton shprehjen e famshme të një bashkëpunëtori dikur të mbretit të shqiptarëve që shkruante: të uroj të rrosh sa më shumë, sepse meriton të mos vdesësh kurrë, por të përpëlitesh çdo natë pa mundur të vesh gjumë në sy nga ëndrrat e tmerrshme të atyre që në fakt i ke bërë ralitet.
Ne dhe jo këta kemi çuar në Prokurorinë e Republikës kallëzimin për çka është gjetur. Besoj se shqiptarët e kanë më kollaj të besojnë se Saliu është komik më i madh se Mr. Bean se sa që është patriot më i madh se Ali Ahmeti. Fqinjëve, këta me një të rënë të lapsit i dhanë një copë det Shqipërie. Si nuk i vjen turp që mundohen çdo ditë të fusin xixa mes shqiptarëve, duke u sjellë si mos më keq me përfaqësuesit shqiptarë në Maqedoni, të cilët e kanë përsëritur se nuk ka asnjë shans të përparojë në dëm të Dibrës së Madhe. Nuk ka projekt.
Tahiri: Sali Berisha nuk ka pasur, kurrë kurajo të punojë për Policinë e Shtetit, pasi familjarët e tij dhe sekserët e pushtetit nuk dëshironin një gjë të tillë. Ky grup kriminelësh duan vetëm të bëjnë pazare nga më të ndyrat në kurriz tonë dhe popullit, por kjo kohë ka përfunduar, prandaj janë dhe shumë të shqetësuar për forcimin e Policisë së Shtetit.
Berisha: Grupi i PD-së vendos të dalë nga Parlamenti. Kjo që keni bërë, përbën aktin më të rëndë pas atentatit që u organizua ndaj deputetit Azem Hajdari.
Shkrimi u publikua sot (24.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)