Vakumit të krijuar në radhët e mazhorancës, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pritet t’i japë zgjidhje ditën e martë, 20 tetor, në orën 18:00. Pritet që Frroku t’i marrë lejë Prokurorisë së Përgjithshme për të qenë i pranishëm në mbledhje. Që prej 3 prillit, Frroku mbahet në burg për një vrasje të kryer në Belgjikë në vitin 1999.
“Shqiptarja.com” mëson se Kuvendi i ka dërguar letër Frrokut dhe u ka bërë kërkesë për të qenë të pranishëm dhe avokatëve mbrojtës të deputetit të Partisë Kristiandemokrate.
Mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit vjen në një kohë kur kanë kaluar mbi gjashtë muaj nga arrestimi i Frrokut, që rrjedhimisht ka sjellë dhe mungesën e tij në seancat parlamentare.
Sipas rregullores, kur një deputet mungon 6 muaj pa justifikim atij i hiqet mandati i deputetit. Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e deputetit dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare, më pas është Kuvendi që vendos. Në të njëjtën mbledhje, atë të ditës së martë, Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, pritet të vendosë edhe për mandatin e Arben Ndokës, i cili përmes një letre drejtuar grupit parlamentar socialist në muajin shtator, dorëzoi vullnetarisht mandatin e deputetit, pas akuzave të opozitës në kuadër të dekriminalizimit.
Letra e Ristanit
Partia Demokratike i është drejtuar me një kërkesë kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, duke i kërkuar të mbledhë Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet pas përfundimit të mandatit të deputetit për Mark Frrokun dhe Arben Ndokën. Në kërkesën që sekretari i përgjithshëm i PD-së, njëherazi anëtar i Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit i drejton kreut të Kuvendit thuhet se “më 7 Shtator 2015, deputeti i Partisë Socialiste Arben Ndoka, i cili ka qenë i dënuar për favorizim prostitucioni dhe rrëmbim personi, njoftoi dorëheqjen nga mandati i deputetit, nëpërmjet një letre publike drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste”, thuhet në shkresën e PD-së.
Për Mark Frrokun është plotësuar afati gjashtë-mujor i mungesës në Kuvend, sipas Ristanit, por ai vijon të mbajë mandatin. “Kjo sjellje e mazhorancës parlamentare bie ndesh me shkronjën “d”, të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, ku specifikohet se mandati i deputetit mbaron kur ai mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”, masa e sigurisë “arrest me burg”, thuhet në kërkesë, arrestimi për vrasje, nuk përbën shkak të ligjshëm që justifikon mungesën në Kuvend. Ristani thekson se çdo vonesë do ta vendoste Kuvendin e Shqipërisë në kushte antikushtetutshmërie në sjelljen dhe veprimtarinë e tij.
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)