AFRIKË E JUGUT - Sot u zhvillua ceremonia e varrimit të ish-presidentit të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela. Aktualisht trupi i Madibës i vendosur në shtratin e një topi u transportua pranë vendit ku do të varroset.

Arkivoli me trupin e Mandelës më parë u vendos pranë një tende të bardhë, ku iu bënë ritualet e fundit.

Brenda kësaj tende gjendej portreti i Mandela-s duke buzëqeshur, si dhe 95 qirinj në sfond të cilët simbolizojnë vitet e tij të jetës.

Anëtarë të Kongresit, ish-presidentë të Afrikës së Jugut si dhe Princi i Wellsit janë disa ndër pjesmarrësit në ceremoninë e varrimit.

ORA 08:38 NIS CEREMONIA MORTORE E MANDELES
Më herët mbi 4500 vetë, në rreshtin e parë familjarë dhe zyrtarë nga gjithë bota, që janë mbledhur në vendlindjen e Mandelës dhe të stërgjyshërve të tij, në Qunu në Kepin Lindor. Pikërisht aty pritet të përcillet për në banesën e fundit ish-presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut.

Arkivoli i "Madibës" është mbuluar me flamurin kombëtar dhe u shoqërua me këngët e një kori kishtar në gjuhën xhosa, etnia të cilës i përkiste Mandela apo "The prayer", suksesi botëror i Andrea Bocellit dhe Celin Dion. Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma u ul ndërmjet vejushës së Nelson Mandela-s, Graca Machel, dhe ish-gruas, Winnie Mandela.

"Na mësuat si të falim. Mësuam nga ju të ndërtonim një shoqëri të re në Afrikën e Jugut, si të ngriheshim kundër racizimit. Arritët të shpresonit dhe atëherë kur s’kishte më shpresa. Ju thjesht se besonit, por ju dhe luftonit për të arritur atë gjë. Afrika e Jugut do të vazhdojë gjithmonë të ngrihet dhe të luftojë. Ne do vazhdojmë të përfitojmë nga demokracia të cilën ju na ndihmuat të vendosni", u shpreh presidenti i Afrikës së Jugut, Jcob Zuma.

"Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë për të arritur barazinë, t’i promovojmë këto vlera. Duhet ta luftojmë pabarazinë në çdo fushë, mbi të gjitha në shërbimin publik. Do përdorim arsimimin siarmë për të përmirësuar jetesën. Fëmijë e Afrikës do rriten në një vend ku nuk mbizotëron dhuna, injoranca dhe sëmundjet. Ky është vendi që po ndërtojmë. Nëse vazhdojmë kështu do ta transformojmë vendin tonë në një fuqi globale. Afrika e Jugut vazhdon të rritet. Do vazhdojmë të bëjmë si ju, si Mandela që kishte dëshirë që ky vend të ishte i lirë", vijoi Zuma, duke shtuar se sot afrikano-jugorët ndihen krenarë.

Anëtarë të Kongresit, ish-presidentë të Afrikës së Jugut si dhe Princi i Wellsit janë disa ndër pjesëmarrësit në ceremoninë e varrimit.Dita e sotme i jep fund javës përkujtimore për Mandelën, i njohur si lideri i betejave kundër Aparteidit, i cili u nda nga jeta nga një infeksion në mushkëri dhe rëndimit të gjendjes shëndetësore në 5 dhjetor në moshën 95-vjeçare.

Ai u burgos për 27 vite pasi doli kundër qeverisë raciste, e cila drejtonte Afrikën e Jugut për dekada me rradhë. Mandela doli nga burgu në vitin 1990 dhe 4 vite më pas u bë presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut, ndërsa promovoi faljen dhe paqen.

ceremonia
(Në foto: Nga ceremonia mortore për Nelson Mandelën).
ceremonia
(Në foto: Nga ceremonia mortore për Nelson Mandelën).

Redaksia Online
(mag/e.d./a.c./shqiptarja.com)