Manifesti i berishizmit: Berishistë të të gjitha vendeve, bashkohuni!

Manifesti i berishizmit: Berishistë të të gjitha vendeve, bashkohuni!

Sali Berisha

Një fantazmë sillet nëpër Shqipëri – fantazma e berishizmit. Shumica e heshtur, pjesa normale e shoqërisë, duket e pafuqishme përballë një pakice të zhurmshme të manipuluar, që për ligj ka bindjen e verbër, për moral ka të drejtën e zotërimit të së vërtetës absolute, për fe goditjen dhe linçimin e kujtdo që nuk bie dakort.

Kjo kategori duket se s’ka asgjë për të humbur, ata duan të shkatërrojnë gjithçka që gjejnë përpara vetëm për të treguar bindjen e vuvët dhe për të nxjerrë nga skutat e errëta të nënvetëdijes frëngjitë e urrejtjes.

Kjo traditë e kahershme, jo vetëm që nuk u mpak në vitet e demokracisë, por ajo erdhi duke u thelluar edhe më shumë.

Në vend të lirisë, kjo filozofi ka vendosur politikën në plan të parë; në vend të sundimit të ligjit, kjo traditë vijon me sundimin e një elite të kalcifikuar që synon ta shkelë ligjin me këmbë sa herë që bëhet fjalë për vetveten dhe ku politizimi i tejskajshëm e mundë qasjen e arsyeshme.

Berishizmi në këto 30 vjet është një ndër filozofitë polarizuese të shoqërisë shqiptare, duke i ndarë njerëzit në llogore pa pasur mundësi neutraliteti. Më shumë se sa e djathtë, kjo lëvizje ka pasur tipare thellësisht majtiste, duke tentuar ta “kurojë” shoqërinë me qasje revolucionare.

Politikisht kjo lëvizje ka asgjësuar të gjithë elitën e fillimeve, duke shpallur vazhdimisht armiq, duke mos lejuar në asnjë moment rritjen e figurave të reja, duke shkatërruar çdo element gare dhe duke anatemuar çdo zë mendim ndryshe.

Kulturalisht kjo prirje thelbësisht antiintelektuale është nisur nga premisa sipas së cilës “injoranca është po aq e vlefshme sa edhe dituria”.

Ekonomikisht në fillimet e saj ka falimentuar shtetin, duke mos bërë asgjë për të parandaluar kolapsin piramidal. Kësaj tradite i ka munguar karakteri njerëzor, duke besuar dhe stimuluar tek njerëzit më shumë veset se sa virtytet.

Kjo filozofi është rritur në një tokë të etur për armiqësi dhe përplasje, ku më shumë se sa idetë dhe formimi, rol në vlerësimin e tjetrit ka luajtur bindja ndaj shefit. Ku më shumë se sa personaliteti, vendimtar në karrierën politike ka qenë servilizmi.

Ku Hiçi i mëngjesit është ngrysur Diç i madh në mbrëmje. Ku sa herë është varrosur e Vërteta, Gënjeshtra e ka shoqëruar me fjalime emocionale.

Ku mashtrimet janë lëshuar pa hesap dhe ku gjithsekush që është dashur të gënjehet ia ka arritur. Berishizmi është një filozofi nga e cila në këto ditë, me ose pa vetëdije, edhe vet Berisha po mundohet të shkëputet, duke e dënuar dhe duke kërkuar falje të vazhdueshme për të.

Vet “Foltorja” është një lëvizje heterogjene, ku brenda saj gjen njerëz dhe kategori të ndryshme, nga demokratët e ndershëm dhe të drejtë, deri tek kategoria e portretizuar më sipër.

Pavarësisht kësaj, revolucioni vijon rrugën e përmbysjes së “borgjezisë”, duke ngritur lart flamujt e Kongresit. Le të dridhen armiqtë vendas dhe të huaj, të pashpresët nuk kanë asgjë për të humbur veç prangave të tyre.

Ata kanë për të fituar gjithë botën. Berishistë të të gjitha vendeve, bashkohuni!

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille