Manifestim për fundin e mbikëqyrjes

Manifestim për fundin e mbikëqyrjes
Personalitete ndërkombëtare, burrështetas mund të vijnë në Prishtinë, të hënën e dytë e shtatorit për të marrë pjesë në një manifestim për përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, raportojnë mediat në Kosovë bazuar në burime të pakonfirmuara.

Mediat poashtu shkruajnë se heqja e mbikëqyrjes do të konfirmohet  pas një muaji nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues (GND), i cili do të mbajë një mbledhje në Prishtinë. 

Bazuar në një program preliminar për shënimin e kësaj ngjarjeje, sipas RTK, Grupi do ta mbajë mbledhjen më 10 shtator në orën 13.00. 
Është paraparë që mbledhja të zgjasë diku një orë.

Në këtë takim, në nivel ministrash ose zëvendësministrash do të përfaqësohen Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika e Çekisë, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Hungaria, Irlanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Polonia, Sllovenia, Zvicra, Suedia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton Koha Ditore.

Të gjitha këto vende e përbëjnë GND-në, qëllimi parësor i së cilit ka qenë që të përkrahë implementimin e plotë të Planit të presidentit Martti Ahtisaari, mbi bazën e të cilit Kosova ka deklaruar pavarësinë më 17 shkurt të 2008-s.

Një burim ka thënë se “GND-ja do të nxjerrë konstatimin se Kosova i ka përmbushur kushtet e Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit” dhe se “do ta shpallë të përfunduar mandatin e Zyrës Civile Ndërkombëtare”.

Fundi i mbikëqyrjes, sipas Kohes  do të manifestohet edhe me një seancë të Kuvendit të Kosovës, e cila parashihet t‘i fillojë punimet në orën 16:30 e ku do të flasin edhe Marti Ahtisaari, Frank Wisner dhe Wolfgang Ischinger. 

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga