Dy inspektorë të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) dhe 6 veterinerë të Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec (DBP) janë pezulluar nga detyra për shpërdorim detyre. Një tjetër inspektor i AZHBR është shpallur në kërkim. 

Gjykata e Korçës caktoi masat e pezullimit nga detyra dhe detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore për 9 personat: Andrea Miha, Julian Zgura, Entela Gjata, Ermal Ibri, Dritan Çela, Përparim Rustemi, Bruno Berberi, Endrit Ferati dhe Fatos Ibi

Ata dyshohet se kanë falsifikuar të dhënat në aktet e verifikimit për fermerët përfitues të Skemës Kombëtare të mbështetjes. Punonjësit e AZHBR-së nuk kryenin kontrolle dhe verifikime në terren për gjendjen faktike të kafshëve, dhe merrnin në mënyrë korruptive shuma nga 10 deri në 50 mijë lekë të reja) për çdo aplikim, me qëllim kualifikimin e padrejtë të fermerëve për subvencione. 

Ndërkohë mësohet se sipas të dhënave të deritanishme, veprimtaria e tyre kriminale ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik në buxhetin e shtetit. Ndërkohë, policia thotë se hetimet vijojnë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. 

U pezulluan nga detyra:
Andrea Miha, 35 vjeç - inspektor në AZHBR, Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim
Julian Zgura, 36 vjeç - Inspektor në AZHBR, Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, Falsifikimi i dokumentave
Dritan Çela, 57 vjeç - Veteriner i Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec, Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim
Fatos Ibi, 54 vjeç - Veteriner i Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec, Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim
Entela Gjata, 56 vjeçe - Veterinere kontrolli, Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim
Përparim Rustemi, 66 vjeç - Veteriner shërbimi, Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim
Bruno Berberi, 28 vjeç - Veteriner shërbimi, Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim
Endrit Ferati, 33 vjeç - Veteriner shërbimi, Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim
Në kërkim:
Ermal Ibri,  48 vjeç - Inspektor i AZHBR-së, Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe Falsifikimi i dokumentave.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet nga Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë, pas një periudhe hetimi prej 18-muajsh, operacioni policor i koduar "Green Code".

Pasqyronin të dhëna të rreme në aktet e verifikimit gjatë kontrollit në fermat e përfituesve nga skema kombëtare e mbështetjes për fermerët, pezullohen nga detyra 2 inspektorë të AZHBR-së dhe 6 veterinerë të DBP-së.

Shpallet në kërkim 1 inspektor i AZHBR-së.

Specialistët për Hetimin e Krimeve, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, pas një hetimi 18-mujor të kryer me metoda speciale të hetimit, finalizuan operacionin policor të koduar "Green Code", si rezultat i të cilit:

u pezulluan nga detyra, për veprat penale "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim", shtetasit A. M., 33 vjeç dhe J. Z., 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektorë në AZHBR; D. Ç., 57 vjeç, dhe F. I., 54 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë veterinerë pranë Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec. për veprën penale "Falsifikimi i dokumentave, i kryer në bashkëpunim", ndaj shtetasve E. Gj., 56 vjeçe, banuese në Pogradec, me detyrë veterinere kontrolli, dhe P. R., 66 vjeç, B. B., 28 vjeç, dhe E. F., 33 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë veterinerë shërbimi pranë Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. B., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor i AZHBR-së, për veprat penale "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "Falsifikimi i dokumentave".

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke pasqyruar të dhëna të rreme në aktet e verifikimit dhe të kontrollit në fermat përfituese nga skema kombëtare e mbështetjes për fermerët. Punonjësit e AZHBR-së nuk kryenin kontrolle dhe verifikime në terren për gjendjen faktike të kafshëve, duke përfituar në mënyrë korruptive shuma parash nga 10 000 – 50 000 lekë, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit.

Vijon puna për vënien përpara përgjegjësisë të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Korçës.