Kevi Muçllari është i lirë. I riu nga Çërrava e Pogradecit la qelinë e paraburgimit ku u mbajt për tre ditë. Gjykata e Korçës e cilësoi të paligjshëm arrestimin e tij dhe urdhëroi lirimin e menjehershëm, pa caktuar masë sigurimi edhe pse prokuroria kërkoi detyrim paraqitje.

Avokati i Muçllarit, Endri Çela, deklaroi se gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte asnjë dyshim të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale të “goditjes për shkak të detyrës”, pasi incidenti ishte një shtyrje e përbashkët dhe jo akt dhune.

Nga ana tjetër, Kevi Muçllari falënderoi gjykatën dhe mbështetësit e tij, duke theksuar se ka vepruar në mbrojtje të interesit të komunitetit dhe jo me qëllim dhune. “Unë nuk jam kriminel”, u shpreh ai, duke shtuar se protestonte për një kauzë që e konsideron të drejtë.

"Sapo ka përfunduar seanca gjyqësore për vleftësimin e arrestimit dhe masës së sigurisë në ngarkim të shtetasit Kevi Muçllari. Gjykata vendosi që të vlerësohet i paligjshëm arrestimi i tij dhe të mos caktohet asnjë masë sigurimi në drejtim të tij sepse në vlerësimin tërësor të gjithë situatës, gjykata arriti në konkluzionin që nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm për kryerjen e veprës penalë të "goditjes për shkak të detyrës" parashikuar nga neni 237 i kodit të procedurës penale.

Organi i akuzës kërkoi të vlerësohej i ligjshëm arrestimi në flagrancë dhe të caktohej masa e sigurimit detyrim paraqitje. Qëndrimi jonë ishte të vlerësohej i paligjshëm arrestimi për shkak sepse nuk ishim në kushtet e goditjes për shkak të detyrës, pasi nuk kemi goditje por një shtyrje të përbashkët me personin tjetër të përfshirë në konflikt.

Së dyti kjo nuk lidhej me detyrën, pasi ka patur një shtyrje nga personi tjetër dhe më pas ka reaguar Kevi Muçllari. Ky qëndrim e bindi dhe gjykatën, shoqëruar dhe me pamjet filmike dhe arriti në konkluzion. Fillimisht Kevi ishte i ngarkuar dhe qëndrimi që mbajti në gjykatë ishte duke thënë "Unë nuk jam kriminel.

Mbajta një qëndrim që e besoj, pra kam qenë në ndihmë të banorëve dhe kërkoj falje për përdorimin e një fyerje në drejtim të këshilltarëve." Kevi nuk ka shkuar për të përdorur elementë dhune deri në momentin kur u gjet përballë një shtyrje dhe ka reaguar i ndikuar emocionalisht për shkak të situatës së krijuar. Do vlerësojmë situatën në vazhdim. Çështja nuk është pushuar pasi organi i akuzës e ka të drejtën për apelim por deri në këtë moment procedurial ky është qëndrimi i gjykatës. Secila prej palëve mund të bëjë ankim por ne s'do e bëjmë pasi u vendos ajo që kërkonim", thotë Endri Çela.

Mesditën e 10 nëntorit, me 19 vota pro, 3 kundër e 3 abstenim, Këshilli Bashkiak i Pogradecit votoi pro dhënies me qira të 34 hektarëve tokë në fshatin Çërravë. Banorët, prej disa muajsh kanë protestuar por zëri i tyre nuk është dëgjuar nga bashkia. Banorët ankohen se dhënia me qira e tokave që ata prej dekadash i përdorin për kullota do t’i detyrojëtë braktisin fshatin pasi blegtoria është e vetmja mënyre jetese. Në mbledhje ishte dhe 27 vjecari Muçllari i cili i revoltuar shau këshilltarët që votuan pro. Kjo nxiti reagimin e këshilltarit të Bashës, Ëngjëll Shyti i cili u ngrit nga tavolina dhe u konfrontua fizikisht me Muçllarin.