Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar pas deklaratës së ish-deputetit demokrat Edmond Spaho, i cili i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të mos tërhiqet, duke paralajmëruar se largimi i tij do ta linte Shqipërinë në duart e atyre që, sipas tij, synojnë ta kthejnë vendin një shekull prapa.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manja thotë se ndan të njëjtin qëndrim me Spahon për faktin se Rama nuk ka arsye të largohet, pasi, sipas tij, ka kontratë me 860 mijë shqiptarë deri në vitin 2029. 

Në postimin e tij, Manja tha se mazhoranca është e përkushtuar në ngritjen e urave të besimit me qytetarët dhe për kontrast foli edhe për gjendjen e PD-së dhe për çakejtë me lloj lloj flamujsh të protestës të cilët i kategorizon si 'fundi i kazanit të shoqërisë' 


“O Prof, dakord mor burrë po halli nuk është tamam ky! 

Edi Rama nuk ka ku ikën se ka kontratë me 860 mijë shqiptarë deri në 2029! 

Halli këtu është që këta po e shkrijnë PD si opozitë dhe megjithëse unë për PD mendoj fiks siç mendon ti për PS, këta çakej që kanë dalë nga puplat e flamingove me lloj-lloj flamujsh janë fundi i kazanit të shoqërisë! 

Uroj shumë që gjithë ata qytetarë me halle e probleme reale, që e mbështetën këtë marrëzi të nxitur nga shumë duar të këqia, të mos i japin më ushqim çakejve. 

Ndërsa ne, mazhoranca, duhet të gjejmë rrugët pastaj që të ndërtojmë ura besimi me këta qytetarë. Kurse për PD, nuk di ça të them o Prof, nuk është puna ime po shihni e bëni me autobusët që sillni nga veriu si “diasporë” në bulevard”, shkruan Manja.


Lajmi kryesor:

Edmond Spaho: Edi Rama, nëse tërhiqesh, do t’i bësh vendit dëmin më të madh