TETOVË, 7 korrik /ATSH-MIA/ - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti priti sot në Tetovë ambasadorin amerikan në Maqedoni, Paul Wohler, me të cilin bisedoi për protestat e fundit në vend, provokuar nga rasti "Monstra". Ahmeti dhe Wohler kanë vlerësuar se protestat janë një e drejtë demokratike, por dhuna gjatë zhvillimit të tyre nuk ndihmon procesin gjyqësor të rastit "Monstra". Ahmeti ka kërkuar nga Wohler që rasti "Monstra" të ndiqet nga ekspertë ndërkombëtarë, që gjithë procesi të jetë më transparent për opinionin. "E drejtë e çdo qytetari është të protestojë, është e drejtë legjitime që njerëzit të shfaqin pakënaqësi për procese të caktuara që institucionet të jenë më transparente dhe më të besueshme për qytetarët, opinionin publik dhe opinionbërësit", deklaroi Ahmeti. Lideri i BDI-së më tej në deklaratën për media tha se dhuna nuk është zgjidhje dhe se vetëm mund të dëmtojë procesin dhe jo ta ndihmojë. "Vlerësuam se dhuna nuk e ndihmon procesin, nuk e ndihmon zhvillimin e mëtejshëm të procesit, nuk ndihmon zgjidhjen në institucione që ky proces të jetë sa më bindës dhe transparent në Gjykatën e Apelit, me qëllim që ky rast të rikthehet në shkallë të parë", deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me ambasadorin amerikan në Maqedoni./ a.jor.