TIRANE- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë ekskluzive për programin Zigzag të Televizionit Art të Tetovës, ka folur për marrëveshjen, me ndërmjetësim ndërkombëtar, të firmosur nga katër liderët e partive politike që pritet ti’i japë fund krizës shumëmujore në Maqedoni.

Me këtë rast Ahmeti ka çmuar rolin vendimtar, siç është shprehur, të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara: “Mund të quhet lirisht një marrëveshje  me peshë të rëndësishme, po pse të mos thuhet edhe historike, sepse për vendin hapet një kapitull i ri për rregullimin e shumë çështjeve që mbase edhe më herët kanë kërkuar zgjidhje, por ka pasur hezitime nga njëra apo tjetra palë.

Ta zëmë, shumë e leverdishme dhe demokratike për vendin është që tre muaj para zgjedhjeve, kryeministri i cili është edhe kryetar partie, të japë dorëheqje dhe të garojë si i barabartë në mesin e të barabartëve. Ky moment parashihet në këtë marrëveshje që ne e e kemi firmosur,”- tha Ahmeti duke saktësuar se ky përcaktim tash e tutje do të bëhet rregull.

Duke komentuar kritikat se përse braktisi Qeverinë, kreu i BDI-së tha se nuk është se nuk është menduar edhe ky skenar, ka pasur plan A dhe B: “Këtë të fundit, për dalje nga qeveria, që ka pasur në vete rreziqe të mëdha, ua kam shpalosur edhe aleatëve tanë perëndimor. Zgjidhje tjetër nuk do të kishte, nëse nuk do të arrihej kompromisi, sepse isha në vijë të kuqe. Nuk kam dashur të jem pjesë e rrezikimit të tërë proceseve të cilat janë duke u zhvilluar në Republikën e Maqedonisë. Nuk desha të jem pjesë e stagnimit, nuk desha të jem pjesë e dështimit,” - vlerëson Ahmeti.

I pyetur nga gazetari Seladin Xhezairi, se sa janë të vërteta spekulimet se në raundin e dështuar të Brukselit, ka mbajtur anën e zotit Gruevski, karshi zotit Zaev, Ahmeti përgjigjet: “Nuk është e vërtetë që unë kam mbajtur anë, as në Bruksel, as në Shkup. Unë nuk kam dashur dhe këtë ua kam thënë shumë hapur edhe zotit Gruevski, edhe zotit Zaev, nuk dua të poshtërohet kryeministri i Republikës së Maqedonisë, zoti Gruevski, por nuk dua as që të denigrohet lideri i opozitës.

Unë në këto negociata, në këto takime, vërtet kam shkuar i çliruar, pa ngarkesa dhe gjithmonë pozita ime ka qenë, duke parë pozitat e tyre, dhe kjo ka qenë pikënisja ime, të ndihmoj të dyja palët që ta tejkalojnë veten dhe në plan të parë të vendosin interesat shtetërore dhe në plan të dytë interesat partiake. Sepse, nëqoftëse degradon shteti është shumë vështirë  të rikoperohet, të rigjenerohet. Sepse, nëse humb partia ajo mund të fitojë në zgjedhjet pasuese që vijnë, kurse me shtetin kjo është shumë vështirë”. 

Duke komentuar riformatimin e Qeverisë, Ahmeti, në intervistën dhënë TV ART shpjegon se BDI, VMRO e LSDM do e përbëjnë atë, por jo edhe PDSH-ja: “Zoti Thaçi e tha shumë hapur dhe me kompetencë në negociata se PDSH nuk do të jetë pjesë e Republikës së Maqedonisë dhe zoti Thaçi u tregua shumë konstruktiv duke tërhequr vërejtjen që absolutisht të mos bëhen llogari në hisen e shqiptarëve duke sqaruar se dikasteret që ka BDI përfaqësojnë të gjithë shqiptarët”.

Lidhur me pritjet nga Prokurori i ri i Posaçëm, numri  një i BDI-së, shprehet se ato me të drejtë janë të mëdha: “Prokurori special do të zgjidhet me konsensus të katër partive politike. Do paraqiten kandidatura dhe do të vendoset se kujt do t’i besohet ky proces kaq delikat, kaq i komplikuar. Aty ka me mijëra përgjime. Unë po flas nga ajo që më është thënë, vetëm për mua ka rreth 15.000 fajle, bisedash që janë zhvilluar brenda tre vjetësh dhe nuk e di sa ka për të tjerët”’- tha Ahmeti duke shprehur bindjen se procesi do të jetë i vështirë dhe konform marrëveshjes pret se Prokurori do t’ia dalë t’i shkojë punës deri në fund.

Ndërkaq sa u përket dilemave ndër shqiptarët se “interesi shqiptar nuk figuron në këtë marrëveshje”, Ahmeti vlerëson se me të fitojnë të gjithë: “Marrëveshja nuk është për të bërë sllogane parazgjedhore. Me këtë marrëveshje kanë fituar shqiptarët, kanë fituar maqedonasit. Jo rastësisht unë e theksova më lartë  se 32 investitorë kanë paralajmëruar para dy muajsh moratorium se do t’i tërhiqnin investimet nga ky vend. Pse a nuk humbin shqiptarët këtu, a nuk është ky edhe interes shqiptar? Përse, a nuk është interes shqiptar zgjidhja e problemeve  me fqinjët dhe vendosja e raporteve me fqinjët?

A nuk është në interes të shqiptarëve  vënia në këtë marrëveshje në prioritet e Marrëveshjes së Ohrit dhe ekspertiza e detajuar që duhet t’i bëhet kësaj? A nuk është në interes të shqiptarëve që ky vend të mos humb hapin e duhur drejt integrimit në BE dhe në NATO? A t’i quajmë ne këto vepra monoetnike, interes i njërës palë apo i të dyja palëve?’-tha Ahmeti duke bërë të ditur se pos kësaj çështjet që lidhen me cilësinë e përdorimit zyrtar edhe të gjuhës shqipe, por edhe të shpërndarjes së buxhetit po shqyrtohen nga grupet e punës dhe janë pjesë e agjendës së negociatave të Marrëveshjes së dy Qershorit.

Duke folur për gjasët për kapërcimin e mosmarrëveshjeve  me Greqinë, kreu i BDI-së, tha se pas marrëveshjes mes fuqive bërthamore dhe Iranit, pas marrrëveshjes së  institucioneve financiare ndërkombëtare me Greqinë, dhe marrëveshjes me ndërmjetësim ndërkombëtar  të katër partive politike në Maqedoni, është optimist se edhe çështja e emrit do të hiqet nga rendi i ditës: “Në agjendë të miqëve tanë është edhe zgjidhja e çështjes së emrit.

Unë kam biseduar shumë sinqerisht me ministrin e Jashtëm të Greqisë dhe kam parë gatishmëri që edhe ky problem të marrë drejtim dhe të hyjë në rrugë të mbarë për zgjidhje përfundimtare”- tha lideri i BDI-së duke nënvizuar se është çështje kohe kur do të fillojë zgjidhja e problemit për të cilin tha se edhe, megjithë dallimet, për këtë edhe  në Maqedoni, ekziston një gatishmëri e tillë.

Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes, lideri i BDI-së është optimist se me gjithë vështirësitë ajo do të vëhet në jetë: “Pas kësaj Marrëveshjeje qëndrojnë katër forcat politike më të mëdha në vend, pas kësaj marrëveshje qëndrojnë katër kryetarë partish që kanë përgjegjësi morale e kombëtare për ta zbatuar, pas kësaj marrëveshjeje qëndrojnë lehtësues e garantues të kësaj marrëveshjeje, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ishte turp nëse bëhen hapa prapa.

Unë jam shumë optimist që kjo marrëveshje do të zbatohet. Jo me lehtësi, do të kete debate, negociata, do të ketë hidhërime, do të ketë hatërmbetje, por kjo marrëveshje duhet të zbatohet në frymë dhe në germë!”- ka deklaruar kryeu i BDI-së, Ali Ahmeti, në programin Zigzag të Televizionit Art të Tetovës.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)