Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtor i Byrosë për Siguri Publike në qeverinë "Gruevski", Mitko Çavkov është arrestuar mëngjesin e kësaj të marte, me urdhër të Prokurorisë.  

Mësohet se Çavkov është arrestuar lidhur me hetimin për dhunën barbare në Kuvend të 27 prillit, kur e drejtoi shtabin operativ të MPB-së. Prej strukturave më të ulëta të MPB-së është theksuar se dy orë Çavkov nuk ka dhënë urdhër për veprimin e policisë, duke vënë në rrezik jetën e deputetëve dhe gazetarëve, të cilët u goditën nga huliganët dhe mbështetësit e VMRO-DPMNE, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në krye të Kuvendit të Maqedonisë.

Çavkov për momentin ndodhet në Gjykatën Penale para gjykatësit për t'u njohur me vendimin e trupës lidhur me procedurat e mëtejshme ndaj tij.

Përveç Mitko Çvkovit janë ndaluar edhe 15 persona të tjerë në mesin e të cilëve gjenden edhe deputetë dhe qytetarë që morën pjesë në dhunën ndaj deputetëve shqiptarë dhe atyre të LSDM-së. I arrestuar është edhe deputeti që hapi dyert e Kuvendit, Kërste Mukovski, deputetja Zhaklina Stefanovska, deputeti Luben Arnaudov, aktori Vllado Jovanovski, Goran Angellov-Qoseto, ish-drejtori i Fondit Shëndetësor Sashe Stefanovski dhe të tjerë. 

Mes të dhunuarve të 27 prillit ishte edhe kryetari i LSDM-së, aktualisht kryeministër, Zoran Zaev, ndërsa një nga deputetët shqiptarë të dhunuar barbarisht ishte edhe ai i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com