SHKUP, (Maqedoni), 18 qershor /ATSH-AFP/ - Parlamenti maqedonas miratoi sot ndryshimet në ligjin për azilantët për të frenuar valën e klandestinëve që kanë ardhur me mijëra në këtë ish-Republikë jugosllave me shpresën për të shkuar në Bashkimin Evropian.
Pjesa më e madhe e 123 deputetëve që numëron Parlamenti mbështetën miratimin e këtyre amendamenteve, qeveria konservatore e kryeministrit Nikola Gruevski dhe aleatët e saj duke pasur një maxhorancë të majftueshme.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve në ligj, klandestinët do të mund të regjistrohen tashmë tek autoritetet dhe do të kenë më pas në afat kohor prej 72 orësh për të kërkuar azil në Maqedoni ose për tu larguar nga territori.
Ministri i Brendshëm, Mitko Cavkov duke iu drejtuar deputetëve theksoi se policia kufitare kthen çdo ditë rreth 2 000- 3 000 imigrantë që tentojnë të hyjnë në Maqedoni të ardhur nga Greqia.
"Padyshim, një numër i madh imigrantësh ka arritur të hyjë në Maqedoni dhe numri i tyre është trefishuar këto pesë muajt e fundit", shtoi ministri.
"Me këtë ligj, mendoj se do të tejkalohen shumë prej problemeve, që Maqedonia ka me emigrantët. Deri tani, qytetarët kanë treguar anën e tyre humane, duke i ndihmuar imigrantët. Gjithsesi, ka pasur edhe raste kur ata janë keqpërdorur, por policia ka reaguar tashmë dhe ka ndjekur penalisht të gjithë ata persona, që keqpërdorën vuajtjet e emigrantëve", theksoi Ilija Dimovski, shef i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
Imigrantët mund të përdornin gjithashtu transportin e përbashkët, veçanërisht trenat dhe autobusët dhe taksitë, që deri tani nuk ishin toleruar nga autoritetet maqedonase.
Kjo situatë kishte detyruar imigrantët të kalonin me këmbë ose me biçikletë, një udhëtim prej 200 kilometrash dhe i rrezikshëm deri në kufirin me Serbinë, që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, ku ata mund të hynin në BE nëpërmjet fqinjëve, Hungarisë, Rumanisë dhe Kroacisë.
Humgaria njoftoi dje mbylljen e kufijve të saj me Serbinë, pas dështimit të evropianëve për të vendosur një ndarje solidare për refugjatët në territorin e tyre. Budapesti nisi punimet përgatitore për ndërtimin e një muri prej katër metrash t ëlartë në 175 kilometra të kufirit me Serbinë, për të cilën kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç reagoi menjëherë duke u shërehur i habitur dhe i tronditur.
Ndryshimet ligjore priten të hyjnë në fuqi ditën e premte. Deputetët e mazhorancës thonë se, ligji i ri për azilantët do të zbusë problemet me emigrantët nga Lindja e Mesme, me të cilët nuk përballet vetëm Maqedonia./
/ec/