Maqedonia e Veriut ka nisur të zbatojë sanksionet ndaj Rusisë prej 1 marsit, duke përfshirë edhe mbylljen e hapësirës ajrore për të gjitha fluturimet nga Rusia, ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Një vendim tjetër është ai i dërgimit të ndihmës ushtarake dhe asaj humanitare.
Qeveria u ka bërë thirrje edhe kompanive private që të përfshihen në dërgimin e ndihmave ndërsa operatorëve kabllorë u ka rekomanduar që të ndalojnë transmetimin e të gjitha mediave ruse në programet e tyre, si masë për t’u përballur me dezinformatat dhe propagandën ruse lidhur me agresionin në Ukrainë.
“Mbështetja jonë për Ukrainën nuk është vetëm për Ukrainën, por për mbrojtjen e parimeve që janë të rëndësishme për ne si shtet…Unë jam i befasuar nga mbështetja që qarqe të caktuara po i japin Rusisë në këtë konflikt. Tentimi për të degraduar pozicionin tonë, ironizimi i pozicionit tonë, ironizimi i ndihmës që po i japim Ukrainës, të llojit se 'çfarë mund t’i ofrojmë ne si ndihmë këtij shteti', se 'nuk kemi asgjë', se 'jemi të pafuqishëm', se 'mundemi vetëm lodra të dërgojmë', nuk është gjë tjetër pos kërcënim dhe luftë hibride. Këto nxitje bëhen nga qarqe të caktuara që duan të rrënojnë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve tona, në ushtrinë e kështu me radhë”, ka deklaruar Osmani.
Ai tha se në kohën kur kërcënimet e Rusisë po rriten edhe ndaj shteteve tjera, është koha që Bashkimi Evropian urgjentisht të vendosë për zgjerimin, respektivisht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Kjo, sipas Osmanit, “do të jetë një barrë më pak për BE-në kur dihet se janë edhe dy plagë tjera të hapura, Bosnja dhe Kosova”.
“Mendoj se sikur asnjëherë më parë është e domosdoshme që Bashkimi Evropian të mbledhë forca dhe t’i japë një dinamikë të fuqishme integrimit në këtë pikë të dobët të rajonit, që mund të shfrytëzohet për dobësimin e pozicionit të Bashkimit Evropian. Në Ballkan janë edhe dy pika tjera të ndjeshme, gjendja në Bosnjë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kjo mund të ndihmojë edhe në çështjet tjera të hapura, do të përcillte sinjale pozitive pasi në vend të katër çështjeve të hapura, do të mbetnin vetëm dy”, ka deklaruar Osmani.
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, ka të martën në rend dite edhe deklaratën për dënimin e agresionit rus.
Paraprakisht, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia paraqet “kërcënim për paqen dhe stabilitetin në botë dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim për sigurinë euroatlantike”.
Në mbështetje të Ukrainës është mbajtur edhe një protestë para Ambasadës ruse në Shkup.
Maqedonia e Veriut ka ftuar shtetasit e saj që të largohen nga Ukraina ku besohet se qëndrojnë rreth 50 persona.
Një thirrje të ngjashme ka bërë edhe për shtetasit që jetojnë në Rusi.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL