Ka ende shumë paqartësi për ngjarjen e dhunshme dhe luftimet mes grupit të armatosur dhe forcave speciale të policisë maqedonase në lagjen shqiptare “Trimat” të komunës së Kumanovës. Hetimet mund të kenë nevojë (në mos me siguri që kanë!) edhe për ekspertë ndërkombëtarë dhe do të ishte mirë për vetë shtetin e Maqedonisë ta kërkonte diçka të tillë dhe të pranonte një strukturë të huaj hetuese. Ky shtet fqinj i joni ndodhet prej shumë vitesh tashmë në darën e tensioneve të forta ndër-etnike, sidomos mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

Qeveria e këtij vendi është tërësisht robinjë e këtyre pasioneve-tensione dhe ky shtet ka 15 vjet me integrim të ngrirë (që nga ngjarjet e dhunshme të vitit 2001) për në BE. Kjo ka vënë në vështirësi të mëdha ekonominë e vendit dhe ka atrofizuar e bërë shumë intolerante inteligjencën dhe shoqërinë demokratike të Maqedonisë. Vendi ndodhet ndoshta përpara sfidës më të fortë të ekzistencës së tij. Përpara janë zgjedhjet e përgjithshme dhe dihet që pasionet dhe gara për pushtet do të jenë shumë të forta dhe përjashtuese. Megjithatë, ky moment refleksioni pas gjakut të derdhur, mund të shërbejë dhe si një kthesë pozitive në historinë e Maqedonisë.

Të gjithë urojmë që si strukturat qeveritare, ashtu dhe opozita, të nxjerrin mësimet e duhura dhe t’i largohen luftës së egër për pushtet. Vendi tani ka nevojë, më shumë se kurrë, për qetësi dhe vetëpërmbajtje. Partitë politike shqiptare, edhe pse kështu të përçara e plot mllefe për njera-tjetrën, kanë shansin të provojnë të komunikojnë e të tentojnë një bashkim politik. Bashkim që nuk ka pse të jetë fanta-politikë. Ai është në dorën e urtësisë së politikanëve të sotëm kryesorë shqiptarë në Maqedoni. Në mos për gjë tjetër, le të shërbejë kjo ngjarje tragjike, kjo gjakderdhje dhe me dhjetëra shtëpi të rrënuara në Kumanovë, që shqiptarët të gjejnë njeri-tjetrin dhe të qëndrojnë të bashkuar.

Janë realisht në një moment historik për kauzën e tyre dhe të ardhmen e këtij vendi kaq të trazuar. Faktori shqiptar në Maqedoni mund të jetë përcaktues për nivelin demokratik të zgjedhjeve që janë kaq afër, madje edhe për zbatimin ose jo të Marrëveshjes së Ohrit në të ardhmen, në rast se  ky faktor unifikohet. Si pozita e sotme, ashtu dhe opozita maqedonase, në këto 10-12 vitet e fundit kanë shfrytëzuar dasitë e shqiptarëve, për të fituar pikë politike apo edhe pushtetin. Dhe gradualisht, edhe për të dobësuar ndikimin e faktorit shqiptar. Kjo është ndjerë në zhvillimin ekonomik të zonave të banuara tërësisht apo kryesisht nga shqiptarët, në denigrimin dhe segregacionin që i bëhet komunitetit shqiptar në Shkup e në qytetet e tjera të zhvilluara të vendit, etj. Me përçarjen e krijuar dhe që gjallon prej më shumë se një dekade, faktori shqiptar, nga të qënit përcaktues në zhvillimet demokratike dhe lojën  e pushtetit në këtë vend, është kthyer në vegël si të pozitës, ashtu dhe të opozitës kryesore maqedonase.

Duke humbur terren dhe duke bërë që të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të njohin një nga pikat më të ulta në 14 vitet e fundit, pas Marrëveshjes së Ohrit. Ka ardhur koha reale për bashkim! Për lënie mënjanë të mërive personale mes politikanëve shqiptarë, të inateve të kota, të flërteve me pozitën e sotme apo me opozitën që duket se mund të jetë fitimtarja e nesërme. Nëse partitë politike kryesore shqiptare bashkohen në një lëvizje të vetme për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ky vend rilind, si për shqiptarët aty, edhe për gjithë Maqedoninë në rrugën e saj të ngrirë deri tani, për të hyrë në Bashkimin Evropian. Me faktorin shqiptar të bashkuar, politika në këtë vend bëhet shumë më e çtensionuar dhe frika se ky vend shpërbëhet davaritet vetiu. Gjithshka është në duart e drejtuesve të sotëm politikë shqiptarë.         
 
Shkrimi u publikua sot (12.05.2015) në Shqiptarja.com versioni print
 
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)