TIRANË - "A1Report" sjell dëshminë e dy organizatorëve kryesorë të arratisjes nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës: Fran Marashi dhe Admir Tafili. Sipas dëshmive të tyre, dhënë para gjykatës, Tafili pranon se është ai organizatori i arratisjes së 7 të burgosurve dhe qëllimi i tyre ka qenë vetëm të tërheqin vëmendjen e shtetit e jo të vrasin njerëz. Ndërsa Frank Marashi thotë se s’kërkon aspak mëshirë nga drejtësia, por një gjyq normal, e jo siç e ka dënuar në mungesë për ngjarjen e Urës Vajgurore. Pasi Marashi deklaron se ai s’ka asnjë lidhje me atë ngjarje dhe, sipas tij, këtë e di mirë dhe politika shqiptare e katër politikanë dëshmitarë në atë ngjarje; Genc Pollo, Skënder Gjinushi, Ylli Vejsiu dhe Fatos Nano, por që sipas Marashit, ata e kanë mbyllur dhe ia kanë lënë përgjegjësinë Franit, që mos dëshmonin vetë në gjyq.

DËSHMIA E PLOTË E MARASHIT: UNË S'JAM KRIMINEL, E DI GJITHË BERATI, POLITIKANËT MË SHKATËRRUAN JETËN
Jam në burg që në 2006, i ekstraduar për ngjarjen e Urës Vajgurore. Bujar Nishani ka thënë në vitin 2007 se do zbardhim çështjen e Urës Vajgurore se pas hekurave të burgut ka njerëz të pafajshëm. Nëse unë isha aq kriminel, me vra gjithë ata policë, para vitit 1997 e para si nuk kam vrarë asnjë njeri?! Kisha gjithë ato mundësi me tregu sa kriminel jam edhe në datën 23, kur kam pasur shumë mundësi me vrarë gjithkënd.
 
Nuk jam injorant unë, se nuk kam pasur as axhë, as dajë, as babë në burg, askënd historikisht. Mua më ka kap lapsi dhe jam viktimë mos them e politikës, sepse për ngjarjen e Urës Vajgurore ka 100 dëshmitarë. Katër janë nga politika: Genc Pollo, Ylli Vejsiu, Skënder Gjinushi, Fatos Nano. Që të mos vinin me dëshmuar kanë thënë: Vërini kapak kësaj çështjeje e ta hajë kush ta hajë, ta hajë Frani.
 
Unë s’kam kërkuar gjë tjetër. Këtë që kam bërë kur kam tentuar me u arratisur në burgun e Fushë-Krujës ia kam vënë në dijeni gjithë institucioneve shtetërore, u kam çuar letra me rekomande e më janë përgjigjur, përveç Sali Berishës dhe Jozefina Topallit. Ina Rama, Bamir Topi, Avokati i Popullit, të drejtat e njeriut, më kanë kthyer përgjigje. U kam thënë: e kam bërë tentativën për arratisje nga Fushë-Kruja dhe Burreli vetëm me kthyer vëmendjen të më bëjnë gjyqin. Unë s’dua as mëshirë, as me korruptuar njeri, se nuk kam lekë, se me zor ha bukë, por të më bëjnë një gjyq, që i bëhet çdo njeriu, që ke bërë këtë gjë, të ma faktojnë.
 
Është një tufë njerëzish në Berat që dëshmojnë se jam i pafajshëm, e si merr njeri për bazë. Dëgjova prokurorin që tha dy automatikë, por janë katër jo dy. Të zbardhet e vërteta për gjithçka, ua them unë të vërtetat si të doni. Jam njeri i drejtë. Dua të më gjykojnë për atë çështjen e Urës Vajgurore. Më kanë humbur jetën, më kanë shkatërruar familjen. E për çfarë? Për punë politike. Unë jam demokrat, kam bërë fushatën për PD, tani Sala më bëri socialist.

DËSHMIA E PLOTË E TAFILIT: ARRATISJEN E ORGANIZOVA UNË, DONIM VETËM TË IKNIM, JO TË VRISNIM NJERI
"Mora vendimin për t’u larguar nga burgu se s’më është pranuar një herë gjykimi i shkurtuar nga gjykata e rrethit të Shkodrës për veprën e parë që kam bërë dhe më ka gjykuar i njëjti gjyqtar edhe herën e dytë. Kam bërë tri herë kërkesën për ta larguar dhe nuk e kanë larguar e pastaj normale duhet bërë vetëgjyqësi se s’ka tjetër këtu, s’dimë ku ta gjejmë të drejtën. Kam futur armë, frigoriferin e kam futur vetë. Shokët e mi Fran Marashi dhe Gëzim Guri s’kanë ditur gjë për sa i përket arratisjes, vetëm në momentin e fundit u thashë a jeni për të dalë? Po më kanë thënë. Vetëm mos folni, mos iu ndini policisë, zbatoni urdhrat. Këputëm kamerat e sigurisë; i këputa unë te dera e oficerit të rojës. Kam pasur një çelës që nuk e hapte derën e oficerit të rojës, pashë nga xhami tregues i derës që oficeri i rojës erdhi e hapi derën, ai duke menduar se ishte një polic. Kur hapi derën i thashë: mos lëviz! Nuk lëvizi, ngriti duart përpjetë, më tha: mos më vrit. Nuk kena me vra kënd, i thashë, se s’keni dalë me vra, por thjesht duam me ik prej burgut, për arratisje. Gjetëm oficerin e rojës dhe ishin 4-5 atje, një civil, të tjerët të policisë, drejt hyrjes kryesore. Dhe ata nuk luajtën, u ulën në tokë. Mbaj mend që Gëzim Toma donte me i ra me qytë arme, por i folëm ne, unë dhe Guri që s’ke punë me policët, mos i bjer kujt, mos godit. Kemi prerë telat me pinca dhe kemi dalë drejt rrugës. Kanë qenë dy makina duke më pritur dhe jemi nisur drejt Pogradecit".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)