Margarita Xhepa feston
80-vjetorin e lindjes

Margarita Xhepa feston<br />80-vjetorin e lindjes
TIRANE- Sytë e kaltër të Margarita Xhepës janë bërë edhe më të bukur dje në ditëlindjen e saj. E qetë, buzagaz dhe gjithë vëmendje e dashuri ishte e ulur me mesin e grave të fondacionit “Nermim Vlora Falaski” që i festuan 80-vjetorin e lindjes. Kjo ditëlindje qëlloi të ishte edhe një rilindje e shëndetit të aktores. Më 8 mars, Margarita Xhepa kreu një operacion të vështirë, të cilin e përballoi me sukses. Tani shëndeti i saj është duke u rehabilituar. Margaritës iu dha dje edhe titulli “Nderi i fondacionit Nermin Vlora Falaski”, në të cilin ajo jep kontribut për aktivitete shoqërore e kulturore.

“Nuk më lejon mjeku, por unë do të kisha ecur deri këtu. Më rri mbi kokë edhe im bir, Sokoli, që është kirurg. Duhet të kesh kujdes, të ruhesh, deri sa të mbushësh 6 javë nga dita që bëre operacionin dhe më pas do të ecësh vetë, jo si më parë, por si vajzë e re”,  më tha ai.  Po si ndjehet Margarita brenda vetes, në prag të ditëlindjes së 80-të. “Si nënë jam e lumtur. Kam rritur tre fëmijë, me shumë mundim, për shkak të profesionit im. Gjithsesi, si çdo nënë ndjehem e lumtur sepse mundimi nuk më shkoi dëm, pasi fëmijët e mi janë bërë të zotë për veten dhe shoqërinë”, thotë ajo. Pati shumë surpriza, dhë ndër to u lexua edhe letra e Dritëro Agollit, e cila ishte shumë emocionuese për aktoren dhe të pranishmit.
 
Festa dhe dhuratat
 
Ndër surprizat e shumta në këtë ditë të veçantë, është edhe torta gjigante dërguar nga komuniteti i shqiptarëve në Australinë e largët, shoqëruar me një letër të firmosur nga Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Australi, prof. Dr.Resmi Kamberaj. Pastaj vjen një telefonatë që i bëhet kryetares së fondacionit Zenepe Luka nga kryetari i KSH-së, Bujar Leskaj... Dreka e ditëlindjes do të sponsorizohet nga ai. Në këtë ditëlindje vjen edhe një dhuratë tjetër. Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër të shlyejë në “Spitalin Amerikan” faturën financiare, që arrin në rreth 10 milionë lekë të vjetra. Dje ia kaluan në bankë aktores. Një buqetë e madhe me lule ndër të tjera erdhi nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe bashkëshortja. Pasdite ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i dërgoi një buqetë me lule në shtëpinë e saj, me një dedikim special.
 
Letra e shkrimtarit të madh për Margaritën:
 
Shkrimtari i madh Dritëro Agolli i cili ndodhet aktualisht në një gjendje jo të mirë shëndetësore, i shkruan fjalë shumë të përzemërta për 80-vjetorin e lindjes, aktores Margarita Xhepa këto fjalë:
“Nuk ka shqiptar të mos vlerësojë kontributin e Margarita Xhepës, në skenë dhe kinematografi. Është karriera e saj, talenti dhe bukuria, që e bënë të shndërrijë në horizontin e artit shqiptar një yll, që do të ndriçojë gjithë kohën. Sa dëshirë kisha që të vija edhe unë në festën që do të bëjë Fondacioni për Margaritën e madhe, të rrokullisja një gotë verë, pse jo edhe t’ia thërrisja një këngë. Shumë dëshirë do të kisha që të dëgjoja nga afër Margaritën të recitojë “Poçarin” tim, që nuk e heq nga goja dhe sikurse më kanë thënë, ka emocionuar auditorët me gra e burra, jo vetëm këtu, por edhe në shumë shtete të botës. Ah, sa dëshirë do të kisha. Por… Ju keni një ftesë bashkë me bashkëshorten, Sadijen, për t’u bërë pjesë e festës....

Ah, nuk është problemi i ftesës, se po të mundem dhe të kem dëshirë, vij pa ftuar, por është gjendja shëndetësore, që më pengon. Jam me oksigjen në hundë, nuk mund të lëviz, por nuk mund të rri pa thënë dy fjalë për këtë artiste, që e admirojmë të gjithë. Margarita si aktore, si grua, si një njeri që është gjithmonë në lëvizje, nuk pushon së interesuari për problemet e artit e të shoqërisë. Për mua, është një heroinë e vërtetë. Janë të rrallë njerëzit me kaq shumë virtyte dhe unë them me plot gojën se Margarita Xhepës, meriton t’i bëhet një monument, sikurse është vetë Ajo”, shkruan ndër të tjera shkrimtari i madh.

Shkrimi u publikua sot (2.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë