Margherita Scilippa: Dua të jem
një Diell për tyj...

Margherita Scilippa: Dua të jem<br />një Diell për tyj...
Poezinë bashkëkohore arbëreshe e përfaqësojnë sot edhe një plejadë modeste poeteshash. Them modeste jo nga vlerat, se sa nga numri i tyre relativisht i kufizuar i firmave që tanimë janë afirmuar në jetën letrare. Nga kjo pikëpamje, mund të përmend emrat e disa poeteshave që kanë hyrë tanimë në letërsinë arbëreshe me vepra plot vlera, të çmuara këto nga opinioni dhe kritika letrare. Ato janë Enca Skutari, Kate Cukaro, Matilda Ferraro dhe Maria Manna, por vitet e fundit është radhitur dhe emri i Margherita Scilippës. Në qoftë se të parat vijnë nga trevat arbëreshe të Kalabrisë, kjo e fundit vjen nga arbëreshët e Sicilisë.

Margherita Scilippa është një poeteshë e talentuar, vargjet e së cilës janë botuar në dy vëllime poetike: “Re me reze dielli” (2010) dhe “Trëndadfile rërje” (2014). E lindur në Palermo, me prindër nga Piana degli Albanesi, ajo ka kryer studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe ka punuar mësuese në Torino dhe Piana degli Albanesi. Është aktivizuar në Lëvizjen kulturore arbëreshe për afirmimin e vlerave identitare të komunitetit të saj, sidomos të gjuhës amtare dhe të kulturës popullore.

Poezia e saj është kryesisht lirike, e frymëzuar në radhë të parë nga jeta arbëreshe, me motive dhe këndvështrime origjinale. Ato karakterizohen nga një frymëzim spontan, tingëllojnë të vetvetishme dhe janë të drejtpërdrejta. Pas thjeshtësisë së tyre të jashtme fshihet një shpirt i ndjeshëm, me ndjesi të holla e delikate. Ato bartin e trajtojnë mendime fisnike dhe ide me frymëzim human. Këtë e tregon bukur dhe qartë diapazoni i pasur tematik, refleks i jetës dhe i historisë arbëreshe, i psikologjisë dhe i identitetit të bashkësisë sa i lashtë, aq edhe bashkëkohor.

Lirika e saj shpërfaqet sa meditative, aq dhe jetësore, erotike dhe intime, pejsazhiste dhe eterike, që vijnë nga i njëjti burim. Është bota e pasur shpirtërore e poeteshës, diapazoni i gjerë i mendimeve që e bëjnë poezinë e saj të përcjellë tek lexuesi kumte e mesazhe me vlera shoqërore dhe patriotike. Nga ana tjetër, një nga tiparet e rëndësishme të poezisë së Margherita Scilippës është gjuha, një arbërishte e bukur dhe e pasur, me ngarkesa kuptimore dhe emocionale, e afërt me gjuhën tonë standarde. Duke i qëndruar besnike rrënjëve të gjuhës së komunitetit, ajo ndjek dhe prirjen e arbërishtes së sotme për një afrim e mirëkuptim mbarë kombëtar të gjuhës shqipe.

Vjershat që po botojmë, të nxjerra nga dy vëllimet e Margherita Scilippës, i japin lexuesit mundësinë të njihet me krijimtarinë e njërit prej zërave origjinalë të poezisë femërore arbëreshe.
 
MARGHERITA SCILIPPA
KOHA IME
 

NUK DI PËRSE
 
Nuk e di përse
si stina ndërron stinën
e vjen njera pas tjetrës
vit për vit pa pushim
edhe brenda meje
moti ndërron
në të mirë e në të keq:
kthjelltësia e qiellit e ngrohtësia e diellit
puhitë e ëmbla
lëngimi i lodhshëm
e stuhitë e tërbuara
çë m’ errjën zëmrën.
Nuk di përse!
Thomse përse jam e gjeshur edhe u
me qiell me diell me re
me erë me shi me dëborë
u (Unë) dhe u bar u dru u krijesë
çë më parë lehet e pran vdes
joset e avullon
sa të lehet e të përtëritet
pameta e pameta.
 
NGJYRA E SYVET TIM
 
Janë të kaltër sytë tim
kur të kthjellëtit derdhet
në qiell e në dejt
e i gëzuar shpirti jim
kthjellohet.
Janë të gjelbër sytë tim
kur në pjerrësitë e në rrafshinat
e gjithasajtën të gjelbërit shkëlqen
e ujërat të freskëta e rrëkevet miklon
ashtu si zëmrën time.
Janë si ari sytë tim
kur kallinjtë e verdhë
si dejt i artë valëzojën
mbi kodrinën e pjerrët
e nën rrezet e diellit zëmra ime
ndizet.
Janë të zez sytë tim
kur nga të lertit male
re të stuhishme sulen mbi luginën
si shkëmbe të rëndë
e zëmra jime e munduar
ngryset.
 
KOHA IME
 
Shket mbi mua e shpejtë
koha ime
ujë lumi
çë ngë (nuk) di të ndalonj
e mua brishtë
më përmbys
më zvarrit.. më zvarrit...
te brigje të pazbuluar
në një mërgim pa kthim.
 
 
LIRI PËR GRUAN
 
Dëshirë dashurije, por nuk mund të dashuronjë.
Dëshirë të rronjë, por nuk mund të rronjë.
Dëshirë të luftonjë, por nuk di të luftonjë.
Kundërshtim absolut!
E mbyllur në këtë guaskë
ngë arrën të gjenj një shteg
sa të dalënj jashtë.
Hajt, shqyej këto lidhje të mëndafshta
e fluturo! Fluturo më lart se ç’mund!
Këput rrjetat e rënda hekuri
e kësaj armature e ik!
Ik më larg se ç’mund!
Dil nga kjo barrë e rëndë si plumb
çë të pengon frymëmarrjen.
Gjej hapësirën jetësore tënde
mësou të duash
mësou të rrosh
mësou të luftosh!
Thomse të duket shumë vonë?
Është ky dyshimi
çë të pret krahët
çë të mban rob
çë të bën të heqësh dorë
çë të bën të mbyllesh brënda vetes?
Hutim i thellë
të njëi shpirti të munduar
çë s’di të gjenjë rrugën drejt lirisë.
 
 
KU NA DREJTON FATI
 

Na rrojëm kështu
të hedhur drejt së nesërmes.
Orë për orë, ditë për ditë
presjëm të na ndodhet
ndonjë gjë e rrallë.
Dëshirojmë nga ditë
sa një dashuri e madhe
të ndritënj gjellën (jetën) tonë
sa nga dëshirim të ketë plotësi
dhe asnjë e keqe të na ngasënj.
Na rrojëm kështu...
Kush e di ku
na drejton fati.
 
 
ARBËR
 
Te qetësia e natës
melodi të përmallshme
kitara i bij
tuke përkujtuar
një dhe të largët e të panjohur
një atdhe të zbjerrë.
Na rreth ulur
tuke kënduar rrijëm
të Bukurën More.
Sytë tanë shkëlqejën
si yjet e atij qielli gushtor,
një dashuri e moçme zgjohej
si për magji,
një flakë e gjallë dhizej
te zëmrat tona:
krenaria të jemi arbëreshë!
 
 
MENDIME
 
Mendime të fshehur
fjalë të pathëna.
Një jetë e panjohur nga të tjerët,
prapa njëi pengesje
me mbarrje të paarsyeshme.
 
Fjalë të fshehura
në librin e kujtesës,
ndjenja të pashprehura
shkruar nga një grua çë hesht.
 
Mendime të fshehur
Kujt dëshiroje të ishën të njohur.
 
Fialë të kota
në ndonjëri ngë ka ditur
t’i gjegjët (dëgjojë) o t’i shkojën në mendje
kështu thellësisht të ndiera
kështu plotësisht të jetuara.
 
 
 
DUA TË JEM
 

Dua të jem një Diell për tyj
diell rrezatues në jetën tënde
 
aq verbues
sa të errësonjë çdo Hënë
çë qarkullon rreth teje.
 
Dua të jem një Diell për tyj
diell rrezatues në jetën tënde
 
aqë sa të bënjë të zbehtë çdo Hënë
çë qarkullon rreth teje.
 
Dua të jem një Diell për tyj
diell rrezatues në jetën tënde
 
aqë sa bënj hi çdo Hënë
çë qarkullon rreth teje.
 
Dua të jem një Diell për tyj,
për gjithmonë!
 
 
 
SI SHQIPE
 
Nga pjesa e sipërme e kësaj lagjeje
ndër shtegje malore
më hapen horizonte të gjerë.
Mendjen e çliruar, nga kjo anë
mund të zotëronj botën
mund të fluturonj lart
sipër peizazheve liqenorë
dhe shtëpive çë zbresin drejt
luginave të gjelbëra
e edhe më lart në fluturim të lirë
si shqipe te një qiell
i ylberëzuar.
 
 
ERA-PIANISTE
 
Si një pianist era
qëndis nota me glishtra të shkathëta
mbi tastierën e ndritme
prekje nani të lehta nani të forta.
Sytë mbyllur, rron i rrëmbyer
në shpirt i zhytur
ëndërrën-koncert.
Ngrëhet n’ajër
ujërash të pastra dhe burimesh
gurgullimi lëmzë
katarraktesh të vrullshme
ushtimi
shirash të hollë
fëshfëritja.
I bie e zjarrtë era-pianiste
ndërsa puhi të lehta
e mundues rënkime
dridhen mbi kodrat e saj.
 
 
E PARA DASHURI (Shën Valentini 2009)
 
Leu brenda ‘saj dashuria për të parën herë
si për të parën herë qiell e yje
si për të parën herë diell e hënëzë
si për të parën herë tokë e dejt (det)
si për të parën herë re e shi
si për të parën herë zjarr e akull.
Klenë si për të parën herë
burrë e grua në Kopshtin e Edenit.
 
 
HAJKU
 

***
Trëndafil m’erë,
trëndafil gati i shfletuar
hijeshia jime.
 
***
Ajo cigare
mes buzëvet të saja
epshe përhap.
 
***
Me teleskopin
bashkë lundrojmë
drejt galaktikave.
 
***
Si pika mjajti
nga buzët i pikojën
të tijat fjalë.
 
***
Ndriçim i brishtë
nga gjithësi të largta
kometa sjell.
 
***
E vogël lule
me shkëlqim manushaqeje
te bari fshihet.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike