TIRANE - SHBA ka piketuar Shqipërinë si një nga vendet që do të përdoret për të asgjësuar një pjesë të arsenalit prej një mijë tonë të armëve kimike që do vijnë nga Siria. Ndërkohë është përgatitur infrastruktura e nevojshme që një proces i tillë të fillojë sa më shpejt, në kuadër të kapjes së afateve të përcaktuar më parë.

Ky operacion do të kërkonte pajisje moderne, ekspertë të asgjësimit të këtyrë armëve kimike dhe për më tepër një kontigjent të konsiderueshëm marinsash që do të ruanin në mënyrë strikte dhe në një rreze të gjerë veprimi, vendin ku do të asgjësohen armët kimike siriane. Ndërkohë SHBA-të presin nga Shqipëria, si vënd anëtar i NATO-s dhe vend partner përgjegjshmëri për të kontribuar për asgjësimin e armëve kimike siriane.

Nga qyteti i Shkodrës pas takimit me pushtetarët vendorë, ambasadori amerikan në Tiranë Alexandër Arvizu nuk ka munguar t’i kujtojë Shqipërisë pozicionin e fortë mbështetës që ka mbajtur ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB për eliminimin e programit të armëve kimike të Sirisë. Madje ai nënvizon se gjithkush mund të kontribuojë. Kështu, ambasadori amerikan thyen heshtjen dhe për herë të parë flet për mundësinë e sjelljes së armëve kimike nga Siria në Shqipëri.

“Shqipëria është pjesë e vendeve të NATO dhe si e tillë ka kontribut. Sa i përket luftës kundër armëve kimike bashkë me 26 vendet e tjera anëtare, ne do të investojmë në specializimin për të krijuar të gjitha standardet për sa i përket luftës së armëve kimike, një rrezik kërcënues për njerëzit”, tha Arvizu. Duke nënkuptuar se SHBA kërkon angazhimin e Shqipërisë, teksa ka thënë se shpreson që Shqipëria të jetë pjesë e BE.

“SHBA vlerëson dhe falenderon qeverinë e Shqipërisë për pozicionin e fortë lidhur me Rezolutën 2118 të Këshillit të Sigurimit të OKB për eliminimin e programit të armëve kimike të Sirisë. Është në dorën e të gjitha vendeve të përgjegjshme, ku përfshij sigurisht SHBA dhe Shqipërinë, që të punojnë në bashkëpunim për të gjetur mënyrën në kohë dhe me efektshmëri për të eliminuar kërcënimin që paraqet programi i armëve kimike të Sirisë”, ka thënë Arvizu dje para gazetarëve në Shkodër.

Ai më tej ka theksuar se shpreson dhe pret nga të gjithë partnerët të gjejnë një rrugë për të kontribuar në asgjësimin e këtyre armëve kimike. “SHBA e Shqipëria janë anëtare krenare të NATO-s dhe vetëm 26 vende të tjera mund ta pretendojnë këtë status. Shpresojmë shumë që rruga e Shqipërisë drejt BE të vazhdojë dhe duke punuar me Shqipërinë dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, presim nga të gjithë, të gjithë partnerët e përgjegjshëm, që të gjejmë mënyra për të kontribuar, qoftë në formë pajisjesh të specializuara, personelit të trajnuar, ekspertizës, ndihmës financiare, për t'u marre me kërcënimin ndërkombëtar që kanoset nga armët kimike të Sirisë”, ka nënvizuar Arvizu.

Deklarata e tij vjen vetëm dy ditë pas lajmit nga Revista amerikane 'Foreing Policy, që shkruan se Qeveria e presidenti i Sirisë Bashar Al Assad i ka dorëzuar OKB plan të detajuar për transferimin e këtyre armëve jashtë Sirisë. Destinacioni më i mundshëm i dërgimit të këtyre armëve, shkruan 'Foreing Policy', është Shqipëria ku janë shkatërruar të gjitha armët e këtij lloji të trashëguara nga ushtria komuniste e Enver Hoxhës.

“Ky plan që ende s’është bërë publik koinsiston në dhënien qeverisë shqiptare të disa laboratorëve të lëvizshëm përmes të cilëve do zhvillohet procesi shkatërrimit që njihet si “hydrolysis”, thotë revista amerikane.
 
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)