Mark Palnikaj, një monografi 
​dinjitoze për dioqezën e Pultit 

Edhe pse i diplomuar në një fushë tjetër, madje shumë larg disiplinës së historisë, sikurse është inxhinjeria mekanike, Mark Palnikaj i pasionuar pas historisë së vndlindjes nuk ka reshtur së bëri kërkime vetjake gjithandej madje edhe jashtë vendit sikurse në Arkivin e Propagandës Fide në Vatikan, në Biblioteca Nazionale (Palazzo Reale) në Napoli, pa llogaritur këtu Arkivin Qendror të Shtetit etj, dhe më dokumentet e shumta që ka arritur të mbledhë, shto këtu edhe atë literaturë të pakët të botuar më parë, ka hartuar një monografi mjaft interesante kushtuar krahinës dhe dioqezës së Pultit, ku është lindur, rritur e burrëruar duke ia kushtuar atë tani në moshë të pjekur nga Tirana.  

Dioqeza e Pultit, e cila i përgjigjet respektivisht krahinës me të njëjtin emër, është një nga dioqezat më të hershme në territorin shqiptar e cila u shua si institucion në vitin 2005. Monografia është e ndarë në tre krerë. Ajo paraprihet nga hyrja (f. 13-14), me titull: “Burimet historike për dioqezën e Pultit”, (f. 15-23), vijohet me relacionin e Shtjefën Gasparit të datës 25 gusht 1671, shtrirjen gjeografike të dioqezës së Pultit, duke marrë në shqyrtim me radhë autorët që janë marrë me këtë çështje si Gjush Sheldia, Alberto Crachi, At Bernardin Palaj, At Marin Sirdani, Gavro Skrivanic, Bendik Orsini dhe Daniel Farlati, pa lënë përanësh të dhënat që sjell “Regjistri i Kadastrës dhe i Koncepsioneve të Shkodrës (1415-1416).

Kreu i parë “Krijimi dhe organizimi i dioqezës së Pultit”. (f. 59-151) trajton daljen e parë të kësaj dioqeze nëpër dokumente në vitin 743, për të ndërtuar më pas vargun e ipeshkvinjve të Pultit në rend kronologjik, fillimisht Ipeshkvinjt e Pultit të Epërm nga viti 877 deri në vitin 1998 dhe ipeshkvinjtë e Pultit të Poshtëm nga viti 1340 deri në vitin 1520, lista këto të plotësuar nga botimet e Farlatit dhe Eubel-it, ku nga krahasimi i të dhënave hetohet një periudhë e gjatë prej 126 vjetësh  (1572-1698), kur në këtë dioqezë, si rezultat i pushtimit turk nuk ka pasur asnjë ipeshkëv të kësaj dioqeze e për rrjedhojë nuk ka funksionuar institucioni i ipeshkvit si i tillë (f. 16), ndërkohë që në faqen 72, këtë kufi kohor autori e ul në 82 vite (1574-1656), për faktin se njihet ipeshkvi i emëruar formalisht, por nga frika e përndjekjes së turqve ai nuk u paraqit asnjëherë në detyrë. (f. 72).

Autori ka sqaruar me këtë rast edhe ndonjë toponim sikurse është emërtimi i fshatit Luzaja (Lusania, Lusagna) që në botimet e relacioneve të mëparshme ishte lënë në dyshim nga Injac Zamputi si Lushaj, fakt të cilin autori e përsërit disa herë (f. 73, 75, 77, 79). Madje në këtët aspekt, autori nuk ka përdorur përkthimet mjeshtërore të relacioneve të përgatitura dhe botuara nga Injac Zamputit, por ka preferuar ‘t’u referohet dokumenteve origjinale të marra në Arkivin e Propagadës Fide në Romë, sikurse ka vepruar në të njëjtën mënyrë edhe me relacionin e Shtjefën Gasparit (1671), të botuar nga françeskanët, por i është referuar kopjes së marrë prej tij drejtpërdrejt në Bibliotëkn Nacionale të Napolit duke bërë edhe këtu edhe korrigjimet e nevojshme të paraprira para tij nga At Fulvio Cordignano.

Po ashtu autori ka ndjekur edhe udhën që ka ndjekur qendra/selia e dioqezës (kishave të Pultit) nga fshati Gash (sot Geghysen), mandej në fshatin Gurrë, në Shosh, Xhan, për t’u vendosur më pas në Breg Lumi në Dukagjin. Një nga pjesët më të rëndësishme të këtij kapitulli dhe të gjithë studimit është identifikimi dhe përgatitja e listës së kishave të dioqezës së Pultit (f. 90-109), me plot 109 të tilla duke ndjekur gjurmët e dokumentacionit përmes kërkimeve të drejtpërdrejta në terrenin jashtëzakonisht të vështirë të territorit nën juridiksionin kishtar të kësaj dioqeze, një ndër më të varfërat jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë sipas dëshmive të relatorëve. Përveç kësa autori ka hartuar edhe listën e fretërve françeskanë me 182 sosh, të ciët kanë shërbyer në këtë dioqezë, që prej vendosjes së misioneve françeskane aty në vitin 1636 e deri në ditët tona. 

Po ashtu ai ka hartuar edhe listën e prefektevë të misionit apostolik të Pultit (1628-1906), me 39 të tillë, listën e ordinarëve si dhe kongregatave femërore. Nuk mungon në këtë kapitull edhe një vëzhgim interesant sa i takon qendrave antike të banimit të ashtuquajturave “qyteza” si Rosuja, Rrahi i Shehrit, Qyteti i Grykës së Madhe dhe Qyteti i Grykës së Vogël, Kiri, Mengula, Anikeja, Mavriqi, Salca, Toplana, Varku etj., si dhe kështjellave sikurse ajo e Elezajve, Shoshanit, Cerrnicës, Spanëve, Lekës, për të përfunduar me fshatrat e dioqezës sipas relacioneve kishtare dhe sipas “Defterit turk të regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, një punë tejet e vyer që mund të shërbejë në të ardhmen për të ndërmarrë ekspedita arkeologjike në territorin e kësaj dioqeze.

Kreu i dytë. Popullsia e dioqezës së Pultit sipas dokumenteve arkivore (f. 153-203) trajton gjendjen demografike të kësaj zonë (Gashi, Krasniqja, Merturi, Nikaj, Kapiti, Shala, Shoshi, Toplana, Kiri, Xhani, Zhushi, Luzaja, Pjaja, Mavriqi); bazuar në dokumentet burimore të konsultuara por edhe të krahasura me sudimet e Lorenzo Viezzzoli-t apo Peter Bartl-it, sikurse edhe regjistrin e Kishës së Nikajt me vllaznitë e saj (Gjonpepaj, Peraj, Curraj i Epër, Lekbibaj), regjistër i shpëtuar fatmirsisht pas djegies së këtij objekti. Regjistrat kishtarë të lindjeve, pagëzimeve, martesave dhe vdekjeve si dhe relatimit periodike drejtuar Propagandës Fide, i kanë dhënë mundësinë autorit të ndërtojë gjendjen demokrafike të krahinës.

Nuk do lënë pa përmendur këtu edhe një përshkrim i përimtuar i mundësisë së lëvizjes dhe udhëtimit si dhe gjendjes rrugore të kësaj dioqeze bashkëlidhur korridorit Shkodër-Pukë-Kukës-Prizren me ndërprejet e befta të lumenjve të Shalës, Mërturit e Valbonës që e bënin shumë të vështirë komunikimin në këtë mjedis të egër, pothuajse në pjesën më të madhe të vitit. Kreu i tretë i monografisë i kushtohet qëndresës në shekuj të popullsisë së Pultit (f. 205-276), kundrejt kërcënimit dhe persekutimit të vazhdueshëm me synim asimilimin nga pushtuesit turk dhe presionit asimilues sllav nga ana tjetër, si dhe fenomenit të islamizimit të dhunshëm, duke mos lënë mënjanë edhe disa sqarime rreth organizimit të institucionit të bajrakut nga relatorët dhe udhëtarët e studiuesit e huaj (Ami Bue, J. G. Von Hahn, Hyacinthe Hecquard, A. Baldaci, K, Steinmetz, E. Cozzi, F. Cordignano, G. Valentini, F. Nopcha, E. Durham), në fiset e ashtuquajtura si “tribu” të Nikaj dhe Merturit, pa harruar studiuesit vendas si Sh. Gjeçovi, B. Palaj, I. Elezi, K. Ulqini etj., për t’u përmbyllur me një “syth” të shkurtër mbi shkollat dhe shkrimin shqip në këët dioqezë.

Në kreun e katërt kemi kronikën (f. 277-283), e cila vijon me kreun pasues me publikimin e disa dokumenteve (f. 285-299), për t’u përmbyllur me burimet historike dhe literaturën e përdorur (f. 300-304), si dhe treguesin e emrave të njerzve (f. 305-308), dhe atë të emrave të vendeve (f. 309-314). Botimi është një studim me shumë interes me informacione të bollshme dokumentare referuar burimeve parësore autentike.

Monografia sjell një risi të veçantë për studimet në trevat veriore të vendit, duke përmbushur kështu një zbraztësi të ndjeshme të papërmbushur më parë për këtë krahinë, e cila tashmë me këtë studim ka zënë vendin që i takon.

Me daljen e paralajmëruar të vëllimit të katërt të serisë Albania Sacra, të albanologut gjerman Peter Bartl, vëllim i cili do të ketë dokumentet për dioqezën e Pultit, me siguri që informacioni do të shtohet dhe natyrisht do të lindë mbase nevoja e plotësisimt dhe ribotimit të kësaj monografie që nga ana e saj do të mund të shërbejë si një guidë themelore për njohjen e krahinës dhe dioqezës së Pultit. 

pulti
(Pulti, 743-10 mars 2005, Mark Palnikaj)

Milano, Prill 2017

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike

E rëndë në Durrës, gjendet i pajetë 82-vjeçari në banesën e tij, i moshuari kishte prerje thike në fyt! Policia nis hetimet, sekuestrohen pamje filmike