Beppe Marotta, administratori i deleguar i interit, ka lëshuar mesazhe të qarta për Wanda-n, Ausilion dhe tifozët në lidhje me çështjen e Icardit. Drejtuesi më i ri zikaltër i ka tërhequr veshin bashkëshortes dhe agjentes së argjentinasit për deklaratat e bëra në media lidhur me rinovimin.
Ai ka thënë se në të ardhmen do të bisedohet vetëm privatisht dhe se palët duhet të jenë të rezervuara. Marotta ndërkohë e ka cilësuar si të gabuar strategjinë e ndjekur nga drejtori sportiv Ausilio duke thënë se gjithçka do të nisë nga zero por me një mënyrë tjetër, ndërsa për tifozët administratori ka dhënë siguri se Icardin ‘nuk do ta lejojnë t’u ikë nga duart’.
Në Spanjë ndërkohë Isco është kthyer në një çështje te Reali. Trajneri Solari e ka injoruar vazhdimisht fantazistin duke zgjedhur që ndeshjet t’I nisë pa të në formacion. Së fundmi një gjest i shëmtuar i futbollistit ndaj tifozëve në ndeshjen kundër CSKA-s së Moskës e ka çuar situatën në një pikë të pakthyeshme. Për këtë arsye presidenti Perez sipas “Corriere della Sport” i ka ulur pretendimet prej 700 mln eurosh sa çështë klauzola dhe është gati të dëgjojë ofertat e përafërta të 100 milionë eurove. Ajo që kërkon të përfitojë është Juvja, e cila e ndikuar nga Ronaldo mund të bëjë të vetin futbollistin. Natyrisht, për yllin spanjoll ka interesim të fortë nga Manchester City dhe Pep Guardiola.