Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me fondacionin Friedrich Ebert Stiftung (FES), organizoi sot forumin e politikave "12 detyrat e Shqipërisë: Ku jemi sot? ", i cili mblodhi së bashku ambasadorët e tre shteteve anëtare të BE-së, që përfaqësojnë Presidencën e kaluar, aktuale dhe atë të ardhshme të BE-së.
Ambasadori i Republikës së Hungarisë në Shqipëri, Janos Huszar, foli mbi vlerësimin e Hungarisë mbi situatën në Ballkanin Perëndimor, pas publikimit të Paketës së Zgjerimit nga Komisioni Europian.
"Shqipëria nisej e disavantazhuar për anëtarësimin në BE, në disa aspekte, me vendet e ish-Jugosllavisë, por me progreset e bëra tani gjendja ka ndryshuar", tha Huszar.
Ai e cilësoi progresin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE si të kufizuar dhe sipas tij, shkak për këtë ka qenë mosarritja e dialogut nga klasa politike shqiptare.
"Dështimi i klasës politike për të mos zgjidhur këtë ngërç ishte arsyeja kryesore e mosmarrjes së statusit të vendit kandidat”, tha Huszar.
"Shpresoj që gjërat të ndryshojnë dhe politika shqiptare ta kalojë këtë gjendje stanjacioni”, u shpreh ambasadori hungarez, duke përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes partive politike për rikthimin e dialogut politik dhe institucional në parlament.
Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Irena Tatarzyńska, foli mbi këndvështrimin e Presidencës Polake të BE-së. Ajo përshëndeti marrëveshjen e arritur mes PD dhe PS, duke e cilësuar dialogun e brendshëm politik si kusht për anëtarësimin në BE.
Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri, Karsten Ankjaer Jensen, foli mbi çështjet kryesore për t'u adresuar nga Shqipëria me qëllim riangazhimin e saj në rrugën drejt BE-së dhe vlerësoi se nisja e dialogut është hapi i parë drejt rrugës për në BE.
Gjatë aktivitetit u prezantua edhe punimi i përgatitur nga ekipi i kërkuesve të EMA-s, në të cilën theksohet se "përmbushja e 12 përparësive të identifikuara nga Opinion i Komisionit Europian është e vetmja rrugë nëpër të cilën duhet të kalojë vendi për të fituar statusin e vendit kandidat dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim ne BE"
(atsh/Shqiptarja.com)