Marrëveshja LDK-PDK, Shehu
"Një zgjidhje pozitive dhe racionale"

Marrëveshja LDK-PDK, Shehu<br />"Një zgjidhje pozitive dhe racionale"
TIRANE - “Koalicioni qeverisës LDK-PDK është një marrëveshje pozitive dhe solide për Kosovën.” Kështu e ka cilësuar ish-Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Tritan Shehu i ftuar në studion e televizionit A1 Report.

Sipas Shehut, marrëveshja e arritur mes palëve ditën e djeshme është më e mira e mundshme për Kosovën pasi siç theksoi ai, vota e elektoratit nuk la zgjidhje tjetër. Për ish-ministrin e jashtëm, kjo marrëveshje mund të ishte arritur më shpejt, duke e cilësuar një humbje kohe krizën 5 mujore që përfshiu Kosovën që pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Shehu theksoi se vota e elektoratit ishte një votë e thyer që nuk i la mundësi tjetër politikës kosovare, ndërsa tashmë, shteti i Kosovës mund të shohë përpara në rrugën dhe procesin drejt integrimit dhe stabilitetit të rajonit.

“Si zhvillim është një zhvillim pozitiv që duhet përshëndetur, gjetja e një mirëkuptimi, e një konsensusi ndërmjet dy forcave politike kryesore të Kosovës, për të arritur një koalicion të gjerë, tip Merkel, pra e djathtë dhe e majtë. Ishte një zgjidhje e pritshme. Unë këtë zgjidhje e kam menduar që dy ditë pas zgjedhjeve të Kosovës dhe kam thënë edhe në studion tuaj se do të ishte një zgjedhje racionale, pikërisht se nuk kishte zgjidhje tjetër se kjo ishte edhe vota e elektoratit. Elektorati dha një votë të thyer dhe nuk i dha mundësi asnjë partie që të formojë qeverinë e vetme, dhe atëherë, një mençuri e politikës bën që të krijohen koalicionet, dhe ky është një koalicion i mundshëm. Për mua është një koalicion racional dhe që shpresoj që ta nxjerrë Kosovën nga kjo periudhë e një qeverisje të zbehtë, dhe të rivlerësojë zhvillimet të mëtejshme të Kosovës, qoftë zhvillime ekonomike, në rajon për të pasur një rol më të rëndësishëm, për tu njohur më tepër në arenën ndërkombëtare apo në procesin e saj të integrimit.” u shpreh Shehu

tritan shehu

Sipas ish-ministrit të jashtëm, ka patur edhe presion nga faktori ndërkombëtar, por se sipas tij, kjo është e kuptueshme dhe normale, duke parë faktin se është pikërisht faktori ndërkombëtar që ka ndikuar dhe vazhdon ta bëjë këtë në stabilitetin e Kosovës.  Shehu nënvizoi se si Kosova dhe Shqipëria janë në një pozicion që duhet të dëgjojnë këshillat dhe rekomandimet e Brukselit dhe jo e anasjellta.

“Patjetër që po. Nëse dikush se nuk duhet të ketë presion nga ndërkombëtarët gabon rëndë. Kosova si Shqipëria janë vende që aspirojnë BE. Pra jemi ne që duhet të dëgjojmë dhe plotësojmë kushtet e Brukselit dhe jo e anasjellta. Aq më shumë Kosova që fitoi pavarësinë falë ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve. Ndryshe gjërat do të ishin shumë më ndryshe. Kjo është një ndjenjë përgjegjësie dhe realizimi që ka për detyrë për të dëgjuar këto këshilla që vijnë qoftë nga Brukseli qoftë nga Uashingtoni.” tha ai
Ndërsa lidhur me deklaratat e Albin Kurtit për të rrëzuar qeverinë e sapokrijuar nga ky koalicion, Shehu shprehet se kjo marrëveshje është më e mira e mundshme, larg ekstremizmave dhe pro integrimit evropian.

Më poshtë intervista e plotë e Tritan Shehut në studion e A1 Report:

A ju befasoi ky koalicion?

Jo së pari nuk më befasoi, përkundrazi më ngjalli një ndjenjë pozitiviteti. Më bëri të kuptoj për përgjegjshmërinë tashmë të politikanëve kosovarë, e cila mungoi për 5 muaj rresht, duke e lënë Kosovën në një moment të vështirë, në një moment krucial të zhvillimit të saj, pa qeveri për 5 muaj. Si zhvillim është një zhvillim pozitiv që duhet përshëndetur, gjetja e një mirëkuptimi, e një konsensusi ndërmjet dy forcave politike kryesore të Kosovës, për të arritur një koalicion të gjerë, tip Merkel, pra e djathtë dhe e majtë. Ishte një zgjidhje e pritshme. Unë këtë zgjidhje e kam menduar që dy ditë pas zgjedhjeve të Kosovës dhe kam thënë edhe në studion tuaj se do të ishte një zgjedhje racionale, pikërisht se nuk kishte zgjidhje tjetër se kjo ishte edhe vota e elektoratit. Elektorati dha një votë të thyer dhe nuk i dha mundësi asnjë partie që të formojë qeverinë e vetme, dhe atëherë, një mençuri e politikës bën që të krijohen koalicionet, dhe ky është një koalicion i mundshëm. Për mua është një koalicion racional dhe që shpresoj që ta nxjerrë Kosovën nga kjo periudhë e një qeverisje të zbehtë, dhe të rivlerësojë zhvillimet të mëtejshme të Kosovës, qoftë zhvillime ekonomike, në rajon për të pasur një rol më të rëndësishëm, për tu njohur më tepër në arenën ndërkombëtare apo në procesin e saj të integrimit. Pra për mua është një zgjidhje që do të krijojë stabilitet në Kosovë, që do mbyllë këtë kapitull dyshimi dhe hije që ishte hedhur mbi politikën kosovare dhe padyshim do të forcojë rolin e Kosovës, duke i shërbyer kështu të gjithë rajonit në tërësi.

Mbetemi tek elektorati dhe fushata e LDK ishte jo më me PDK dhe premtimi i Mustafës ky ishte. Si mund të përballet me elektoratin?
Ky ishte qëndrimi i tij elektoral. Qëndrimet janë normale apo më saktë kështu mendonte realisht në fushatën elektorale por mendimet gjatë fushatës, shpesh herë nuk janë ato mendime që bëhen realitet kur përkthen votën e elektoratit dhe këtu është zotësia e politikanit. Dhe realisht vota e elektoratit i dha këtë linjë, i dha këtë mundësi politikës kosovare, mundësi e cila do të ishte shfrytëzuar më shpejt, por që u shfrytëzua tani pas një periudhe humbje kohe të panevojshme. Shembuj të tillë në botë ka plot, mos të harrojmë koalicionin në Gjermani të Angela Merkel me SPD. Pra rëndësi ka të përkthehet vota e elektoratit. Ndoshta ne nuk kemi akoma atë emancipim të politikanëve evropiane, dhe disa herë në fushata elektorale kalohet në ekstrem. Bëhen premtime tërësisht spekulative për të tërhequr vota, pa menduar pastaj që mund të tërhiqesh më pas. Por më mirë është të tërhiqesh se sa të ngelesh peng i një premtimi spekulativ që ke mbajtur në fushatë dhe që dëmton më pas atë forcë politike, atë lider.

tritan shehu


Nga ky koalicion janë shumë të pakënaqur edhe nga brenda LDK.
Edhe mund të ketë unë nuk e përjashtoj sepse kolegët e LDK kishin menduar të qeverisin të vetëm, por kjo është vota, ky është mandati. Pra unë mendoj se duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë se ky ishte mesazhi, verdikti i elektoratit. Tjetër gjë janë dëshirat. Rëndësi ka që dëshirat të mos kthehen në elemtë që të çojnë në subjektivizëm dhe bën veprime jo reale. Rëndësi ka të dominojë realizimi dhe unë mendoj se me zgjidhjen që po bëhet në Kosovë këto ditë, për mua dominoj realizmi.

Nuk ka një konfirmim të paktën nga Thaçi, por Mustafa ka deklaruar se do të jetë LDK që do ta drejtojë qeverinë. Ju kush mendoni se do të jetë kryeministër?
Është thënë kjo gjë, presim. Për mua e rëndësishme është që u arrit marrëveshja, dhe u vendos një marrëveshje që e nxjerr Kosovën nga kjo gjendje, dhe do të ketë një qeveri stabël. Kryeministri do të dalë në ditët në vazhdim në bazë të negociatave dhe unë besoj se do të kenë rënë dakord ehde për këto modalitete midis tyre.

Ndalemi pak tek koalicioni që sapo u shpërbë, VLAN. Besoj se u bënë manovra politike për ta penguar këtë koalicion.
Për mua edhe koalicioni VLAN përshpejtoi në krijimin e tij dhe u vonua një koalicion që duhej të ishte formuar që para zgjedhjeve. Së dyti nuk arriti dot të bëjë numrat, dhe unë mendoj se kjo gjë duhej të ishte kalkuluar nga ata që më përpara. pati pengesa dhe manovra politike, pati një vendim të Gjykatës Kushtetuese, dhe bëri të domosdoshme një tjetër koalicion, më të gjerë dhe më solid, që do t’i japin Kosovës një produkt pozitiv dhe Kosova ka nevojë për një produkt pozitiv.

tritan shehu


Nëse nuk do të bëheshin këto manovra politike a do të mund të funksiononte dot koalicioni VLAN?
Nuk patën hapësirë numrash për të funksionuar. Duhet të kuptojmë diçka, kolegët kosovarë, veprimet politike duhet t’i bëjnë tërësisht të koordinuara me Uashingtonin dhe Brukselin. Kosova është akoma në procesin e rritjes së saj. Deklarata e ambasadores Jacobson pak ditë më parë,  ka qenë realiste, një paralajmërim i thellë për politkën kosovare, për instabilitetin që po krijohej në Kosovë, dhe unë mendoj se ka shërbyer që kolegët kosovarë t’i thërrasin realitetit.

Ka patur në realitet një presion nga ndërkombëtarët.
Patjetër që po. Nëse dikush se nuk duhet të ketë presion nga ndërkombëtarët gabon rëndë. Kosova si Shqipëria janë vende që aspirojnë BE. Pra jemi ne që duhet të dëgjojmë dhe plotësojmë kushtet e Brukselit dhe jo e anasjellta. Aq më shumë Kosova që fitoi pavarësinë falë ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve. Ndryshe gjërat do të ishin shumë më ndryshe. Kjo është një ndjenjë përgjegjësie dhe realizimi që ka për detyrë për të dëgjuar këto këshilla që vijnë qoftë nga Brukseli qoftë nga Uashingtoni.

Zonja Jacobson ka deklaruar se nuk e sollën ata këtë koalicion.
Jo nuk e sollën ata këtë koalicion. Ndërkombëtarët tregojnë principet, rreziqet. Ata nuk thotë do të bëhet ky apo ai kryeministër.

Nuk besoj se bini dakord me deklaratën e Albin Kurtit
Çdo politikan ka qëndrimet e veta, veçanërisht ai që është në opozitë. Por unë mendoj se dominoj realizmi dhe se të dy forcat politike janë realiste, pro perëndimore dhe larg ekstremizmit dhe pseudonacionalizmave.

Një shumicë kaq e madhe e dëmton opozitën?
Padyshim. Kjo mund të krijojë një problem me opozitën se e dobëson opozitën është e vërtetë por ishte zgjidhja e vetme. Unë nuk shikoja zgjidhje tjetër. Ishte zgjedhja që u aplikua në Gjermani. Ju do thoni se janë gjermanë por edhe ne duhet të bëhemi si ata se atje aspirojmë të shkojmë.

tritan shehu


E shihni si një qeveri të suksesshme?
Kjo duhet parë. Shpresoj që të jetë sepse i ka të gjitha premisat që të jetë. Ka numrat, ka politikanë me eksperiencë, dhe kanë një vizion për stabilitetin e rajonit.

Marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë, sa ndikon kjo qeveri me mazhorancën këtu në Tiranë?
Unë nuk besoj të ndryshojë ndonjë gjë, sepse unë mendoj se marrëdhëniet kanë qenë gjithnjë stabël pavarësisht se kush është në Tiranë dhe kush është në Prishtinë. Edhe po të jetë Mustafa edhe po të jetë Thaçi unë nuk besoj se mund të ndryshojë gjë në marrëdhënien Tiranë-Prishtinë, në marrëdhënie të tilla të ngushta, me një rrugë dhe perspektivë të përbashkët evropiane.
 
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Wisner: Ambasada e SHBA mbështet gazetarinë investigative

Wisner: Ambasada e SHBA mbështet gazetarinë investigative