TIRANE- Nëse je i papunë dhe i drejtohesh zyrës së punës mos u habisni kur t’iu prezantojnë edhe një mundësi të tillë në Kosovë. Ky është thelbi i marrëveshjes që është nënshkruar gjatë ditës së djeshme e cila parashikon punësimin pa pasur nevojë për leje pune. Thelbi i marrëveshjes synon ngritjen e tregut ballkanik të punës, që fillimisht do të nisë me trekëndëshin Shqipëri, Kosovë, Maqedoni për të vijuar me Malin e Zi dhe Turqinë. Sipas Ministrit te Mirëqenies Erion Veliaj, ka shqiptarë dhe kosovarë që punojnë respektivisht në të dy vendet, por ata janë peng i kuotave të punësimit.

Marrëveshja
Projekti përfshin ndërtimin e një portali të përbashkët ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, çka do të integronte edhe portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në vendin tonë. Integrimi i databazave të punës do të mundësojnë që qytetaret e secilit prej dy vendeve të kenë një qasje të drejtpërdrejtë për njoftime për vende të lira pune të vendosura në faqet online të secilit prej shërbimeve. “Ne gjykojmë se nuk duhet të ketë më pengesa për të marrë një leje punësimi. Kjo ide pritet të përfshijë edhe Maqedoninë apo Malin e Zi, por më vjen mirë që Shqipëria dhe Kosova janë fillesa e këtij bashkëpunimi rajonal"-tha Veliaj.

Kjo është marrëveshja e parë që nënshkruhet mes dy shteteve pas mbledhjes së bërë në Prizren, ndërkohë që sipas Veliajt ky është hapi i parë që i mundëson si shtetasit shqiptarë dhe ata kosovarë që të aplikojnë njëkohësisht në të dyja shtetet. “Kjo për ne është një fillim konkret të një kapitulli të ri për të gjithë punëmarrësit dhe punëdhënësit dhe siç tha ministri Veliaj ky është vetëm fillimi. Hapi i dytë do të jetë, një thirrje, një ftesë zyrtare ku edhe shtetet e tjera do të jenë pjesë e këtij programi"-tha Nenad Rashiq, Ministri Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili theksoi se ky bashkëpunim do të krijojë një bazë strukturore me punëtorë të kualifikuar, të cilët mund të punojnë në vende të ndryshme të rajonit.

Arsimi
Shqipëria dhe Kosova kanë hedhur edhe një hap të përbashkët në fushën e arsimit profesional. Qendrat e këtij formimi arsimor në Gjakovë dhe Prizren do të pranojnë edhe nxënës shqiptarë. "Për ata që jetojnë në Tropojë, në Has dhe në Kukës, qendrat e formimit profesional më të afërta janë ato në Gjakovë dhe në Prizren, kështu që marrëveshja synon që qendrat e Gjakovës dhe të Prizrenit aksesohen nga nxënësit dhe studentët tanë në ato fusha ku ne kemi nevojë dhe ku investimet në arsimin profesional kanë qenë të mangëta"-tha Erion Veliaj. Të dy ministrat thanë se unifikimi i tregut të punës, është një hap paraprak, për integrimin në Bashkimin Evropian. Pasi heqja e kufijve në disa fusha të caktuara, janë pjesë e këtij procesi.
 
 TAKIMI
11 janar 2014
Qeveritë e dy ajo e Kosovës dhe Ajo Shqiptare u mblodhën në Prizren për ti hapur rrugë një sërë marrëveshjesh që do të sjellin lehtësira mes dy shteteve.
 
22 janar 2014
Ministri i Punës së Kosovës dhe ai i Mirëqenies Sociale kanë firmosur të parën marrëveshje që parashikon punësimin në të dy vendet, pa pasur nevojë për leje pune.
 

Shkrimi u publikua sot (23.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)