Marrëdhëniet ekonomike me 
Turqinë, sfida e ambasadorit Muçaj

Marrëdhëniet ekonomike me <br />Turqinë, sfida e ambasadorit Muçaj
Arieta, një vajzë e re me origjinë nga Dibra, më tregoi në Ankara se,  Ambasada shqiptare atje ishte një shtëpi e madhe për shqiptarët në qytetin e dytë më të madh të Turqisë të banuar sipas të dhënave zyrtare nga më shumë se 4.5 milionë banorë.

Ishte një ditë gri, në Ankara me reshje shiu, kur Arieta, me origjinë nga Dibra, ardhur me prindërit që e vogël në Ankara, e diplomuar në Inxhinieri Informatike, por që kishte punuar në Gjermani, e më pas kishte kryer master në Japoni, më tregoi  për  Ambasadorin shqiptar Genci Muçaj, i cili përfaqëson shtetin shqiptar në Ankara, një qytet i rëndësishëm tregtar  dhe industrial, shtrirë në Andollin Qendror, qendra e parlamentit turk, qendra e ministrive, institucioneve qeveritare  dhe ambasadave të huaja. Disa ditë më parë së bashku me studentë shqiptarë në Ankara, në ambientet e Ambasadës shqiptare, kishin parë ndeshjen  Serbi- Shqipëri.

“Takohemi shpesh në ambasadë, e kemi një shtëpi të dytë këtu në Ankara“, më tha Arieta, atë ditë kur retë lart në qiellin e panë të Ankarasë grindeshin mes vetes.
Ishte një takim më shumë se energjik me ambasadorin Muçaj, plot energji pozitive, teksa pohoi për ATSH-në se “marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë kanë qenë gjithnjë,  marrëdhënie shumë të mira”.

“Synojmë shumë tek dimensioni ekonomik dhe është  domosdoshmëri që marrëdhëniet ekonomike të zgjerohen. Turqia ende nuk është një nga partnerët e parë ekonomikë të Shqipërisë”, këmbënguli të thotë në këtë  intervistë ekskluzive për ATSH-në ambasadori shqiptar.  Duke ripohuar se “në Turqi ndodhet një numër shumë i madh shqiptarësh ai cilësoi se, Ambasada shqiptare ka nisur identifikimin e  diasporës shqiptare në Turqi.  “Është një numër shumë i madh dhe ne ende nuk kemi një numër të saktë të shqiptarëve që jetojnë në Turqi”, tha  ai duke shtuar se, po punohet për të evidentuar numrin e saktë të shqiptarëve, që sipas tij, i gjen kudo. “Ndaj jemi përpjekur ta hapim ambasadën për qytetarët, për shqiptarët që jetojnë në Turqi”, tha ambasadori Muçaj, i cili së bashku me ambasadën  dhe ambasadorin e Kosovës , ideuan dhe punuan  për të hapur në Ankara , pas një pune të ngjeshur një vjeçare, Qendrën e Kulturës Shqiptare.  Beson dhe  është entuziast se do të jetë një qendër e të gjithë shqiptarëve, për kulturën, turizmin, jetën shqiptare , historinë e një kombi, i cili i ka  dhënë Turqisë shumë personalitete historike si, Sami Frashërin, por dhe Mehmet Akif Ersoin, shqiptarin nga Peja që shkroi  himnin kombëtar turk.

ambasadori genci mucaj


Më poshtë intervista e plotë e ambasadorit Genci Muçaj dhënë për ATSH-në:

Zoti Ambasador , si mund t’i konsideroni aktualisht marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë?

Jo vetëm tani, por dhe më parë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë kanë qenë dhe janë marrëdhënie shumë të mira. Ne synojmë shumë tek dimensioni ekonomik.  Marrëdhëniet ekonomike duhet të zgjerohen, sepse Turqia ende nuk është një nga partnerët e para ekonomike të Shqipërisë, por sigurisht Turqia është një aleate e sigurtë e Shqipërisë, anëtare e NATO-s. Njëkohësisht qeveria shqiptare dhe  qeveria turke, po përpiqen dhe po punojnë për t’i çuar  këto marrëdhënie në nivelin e bashkëpunimit strategjik. Në këtë kuptim pritet që Kryeministri Rama dhe Kryeminstri i Turqisë, Davutoglu, të firmosin së shpejti një marrëveshje të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila do t’i japë një dimension të ri  marrëdhënieve tona.

Në Ankara dhe jo vetëm, jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh. Cilat janë marrëdhëniet që keni ju si ambasadë me shqiptarët që jetojnë në Turqi  ? A i shikoni shqiptaret e Turqisë si aset për Shqipërinë, pikërisht në konteksin që thatë në përgjigjen e parë, në lidhje me zhvillimin e marrëdhënieve Turqi –Shqipëri ?
Shqiptarët kudo që janë në botë janë një pasuri e madhe kombëtare. Sidomos, kur  jetojnë jashtë vendit, dashuria  për vendin e tyre është disa herë më e madhe, pavarësisht përpjekjeve dhe sfidave të  përditshme që ato kanë për të përballuar jetën e tyre. Në Turqi kam gjetur një atmosferë të jashtëzakonshme, me një numër shqiptarësh që takon kudo.  Por në takime jo vetëm takon shqiptarë, por patjetër do gjesh edhe dikë që ka një lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët. Ka  shumë shtetas turq që kanë kontakte me shqiptarët, që kanë jetuar për vite në Turqi.
Në Turqi kur i thua që je shqiptar, respektohesh, vlerësohesh, por jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë,  por edhe nga autoritetet turke. Ambasada ka nisur një iniciativë për të identifikuar diasporën shqiptare, kryesisht në Turqi. Është një numër shumë i madh dhe ende nuk kemi një numër të saktë. Me anë të mediave sociale, kontakteve private në Ankara apo në Stamboll, ku ka një numër të jashtëzakonshëm shqiptarësh , në Izmir, në Bursa, ne po perpiqemi qe t’i evidentojmë. Në disa qytete të Turqisë, numri i shqiptarëve është i madh, dhe për hir të së vërtetës, ata janë integruar në shoqërinë turke.  Nga ana tjetër, jeta ka sfida të mëdha. Njerëzit përpiqen të përballojnë jetën e tyre, por kur kujtojnë vendin e tyre emocionohen, shprehin dashurinë që kanë për vendin, që nuk ju është shuar për asnjë çast. Sa më shumë kalon koha aq më shumë e ndjejnë se janë pjesë krenarie dhe që e duan vendin e tyre. Kam takuar qindra  shqiptarë të vjetër, disa prej tyre nuk dinë shqip. T’ju tregoj një histori. Isha me dy miq shqiptarë në një librari ku shkoj shpesh për të parë botimet e fundit dhe ishim  duke folur me zë të lartë si ne shqiptarët.  Një mesoburrë  vjen pas nesh dhe na thotë: “Jeni shqiptarë?”. Ishte një e folur e vjetër, diku nga jugu. “Po”, i themi ne. “Quhem Avni Rustemi Kolonjari.  Ma ka vënë babai emrin kështu, sigurisht  nga  Avni Rustemi. Jam nga Kolonja dhe kam qenë.  Kam parë  muret e shtëpisë. Ishin të rrënuara. Varret Ishin aty ”. Ngashërehej teksa fliste . Dhe si këto raste janë me qindra.  Ndaj dhe jemi përpjekur ta hapim ambasadën,  të mos jetë hermetike për qytetarët, për shqiptarët që jetojnë në Turqi. Së bashku me ambasadën e Kosovës, dy ambasadorët shqiptarë në Turqi, vendosëm  të hapim  pas një pune të ngjeshur  gati një vjeçare, Qendrën e Kulturës Shqiptare.

ambasadori genci mucaj


Si lindi iniciativa juaja ? 

Ishte një iniciativë e përbashkët, një punë në grup. Lindi si nevojë për të pasur një lloj kohezioni të shqiptarëve. Shqiptarët janë shqiptarë, qofshin nga Kosova, nga Maqedonia, Mali i Zi , Shqipëria. Dhe Qendra është e Kulturës Shqiptare, jo e një shteti të caktuar, pavarësisht se do të menaxhohet nga dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria, nga dy ambasadat tona. Por, Qendra e Kulturës është një nga veprat, për të cilat unë flas me pasion, sepse jo vetëm do të evidentojë  shqiptarët, por do t’i bëjë ato disa herë më shumë krenarë. Do të ketë mundësi që shqiptarët e Turqisë t’u tregojnë shokëve të tyre për kulturën shqiptare.  Kështu do  të promovohet kjo kulturë dhe nëpërmjet tyre do të tërheqin dhe shqiptarët biznesmenë, të cilët të investojnë në Shqipëri. Dhe meqënëse jemi në këtë kuadër, duhet të dini se në Turqi ka njerëz të suksesshëm, që kanë bërë  histori sukesi në biznes, në fushën e artit e kështu me radhë. Dhe njëri prej tyre është Shpëtim Puca, që ju keni ardhur ta profilizoni. Është patjetër, jo vetëm një patriot i madh, një biznesmen i sukesshëm, por që mbi të gjitha ka ruajtur në familjen e tij, traditat, gjuhën, zakonet shqiptare, në mes të Ankarasë, duke qenë dhe një qytetar, i nderuar i Turqisë, njëkohësisht.  Por është një gjë shumë e rëndësishme kjo, sepse njerëz të tillë e bëjnë krenar, jo vetëm kombin shqiptar, por edhe kombin turk. Ne kemi individë për të cilët edhe populli turk, edhe populli shqiptar, janë shumë krenarë që e lidhin këtë miqësi. Permend këtu, Sami Frashërin, por edhe Mehmet Akif Ersoin, shqiptar nga Peja që ka shkruar himnin kombëtar turk. Kur përmend emra të tillë në shoqërinë turke ndjehesh krenarë, por dhe vë re që respektohesh dhe vlerësohesh dyfish.

Duke ju përgëzuar për krijimin e Qendrës Kulturore, dhe duke u rikthyer edhe një herë, si është konceptuar, si do të funksionojë, si janë gjetur objektet, çfarë do të përfaqësohet aty nga kultura shqiptare?
E mira s’ka fund, por në varësi të fondeve që po grumbullojmë sepse kjo është me rëndësi, do të jetë dhe përmbajtja. Ne projektin e kemi menduar  të ketë stenda historie nga ilirët, pra kultura e lashtë shqiptare deri në kulturën moderne. Pra flasim për kostumet popullore, pamje, foto historike të vendeve, qyteteve. Kjo qendër përveç kësaj do të ketë njëkohësisht përshkrime didaktike historike të periudhave të caktuara. Kushdo që hyn brenda, shikon që kemi  histori të përbashkëta, kemi një identitet historik kombëtar, për të cilin ne jemi krenarë. Qendra e Kulturës është e tillë që brenda saj  njihesh me historine e Shqipërisë, ndërsa ai që e njeh  mëson pak më shumë.  Mos harrojmë edhe   promovimet e  librave, ekspozita të ndryshme artistike qe mund te organizohen  në ketë qender.

Ju na  treguat historinë e koleksionit  që djali i një shqiptari jua ka besuar juve. A mund ta tregoni për publikun shqiptar?
Në qoftë se ka histori, e cila më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme ndër qindra episode gjatë këtyre një vit e gjysëm që jam në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Turqi, kjo histori është ndër historitë sa të dhimbshme, por dhe që më bën shumë krenar. Mbaj kontakte të shumta me shqiptarë të vjetër që jetojnë këtu. Rreth katër javë më parë mora një telefonatë nga Izmiri ku më thonë që, djali i profesor Nexhip Albanit, shqiptar me origjinë nga Gjirokastra, albanolog, profesor i nderuar, ka vendosur të çojë në vend amanetin e babait të tij për të dhuruar bibliotekën e tij private personale. Dhe po flasim për një bibliotekë që është një aset i madh kombëtar. Deri në kohën që unë nuk e kisha parë, nuk e kisha kuptuar që ishte e tillë. Djalit të tij, profesor, në një moshë jo  të madhe, por fatkeqësisht i sëmurë,  i them që do të vijë vetë. Në Izmir  dorëzova aktin  noterial nga ambasada. Kur shkova në shtëpi më priste bashkë me fëmijët,  me nënën dhe tezen e tij .  Bëmë ceremoninë ku kishte gazetarë të cilët shkruan në të gjithë Turqinë. Të nesërmen në mëngjes, në orën 8:00, mora vesh se kishte ndërruar jetë, por amaneti i të atit u çua në vend. Ky është një episod kaq i vërtetë që ndoshta kur të dal në pension do të më duhet ta shkruaj, nëse nuk e shkruani ju përpara meje. Pasi morëm në dorëzim  bibliotekën, pas një jave, e sollëm në ambasadë dhe kemi hapur vetëm 2%- 3% të arkivës. Jemi befasuar me ato që kemi parë. Një aset që vështirë ta gjesh në Bibliotekën Kombëtare Shqiptare. Një pjesë e tyre do të shkojnë në fondin e artë të  Bibliotekës Kombëtare dhe tashmë kam folur edhe me drejtoreshën e Bibliotekës. Shpresoj që një pjesë e tyre të mbeten këtu, për publikun shqiptar në Turqi dhe njëkohësist, sepse ka botime shqip dhe turqisht. Rreth 100 e ca vjeçare janë librat dhe shtypi i ditës, që janë ruajtur me shumë kujdes. Kështu që edhe ky është një episod, midis qindra episodeve të tjera, që na bën  disa herë më shumë të mobilizuar, na krijon një lloj entuziazmi,  për të bërë punë akoma më të mira se kaq.

Nga kontaktet që kam pasur në Ankara më kanë treguar që ju jeni një shumë i kujdesshëm sa i takon mikpritjes apo kushteve që ju krijoni studentëve dhe të rinjve shqiptarë në ambasadë. Me gjithë historikun që treguat në këtë intervistë ju vini planin njerëzor para planit diplomatik apo anasjelltas ?
Nuk do të kishte njeri në rruzullin tokësor shqiptar që nuk do të donte ta kishte këtë lloj privilegji që kam në këtë vend,  që t’i shërbej vendit tim me pasion. Do të doja të ishit prezent në një nga ndeshjet e futbollit  apo të grumbullimeve kur  jemi së bashku.  Më japin shume  kënaqësi dhe  bëhet një festë e bukur. Por dua të them se nuk ka rëndësi  nga janë studentët, janë studentë shqiptarë të Maqedonisë, Mali te Zi, apo Kosovës. Ata janë shqiptarë . Doja të thoja që prindërit e tyre duhet të jenë krenarë, por jo vetëm prindërit, por dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Nëse më lexojnë dua t’i falenderoj përzemërisht sepse i kanë rritur dhe edukuar me një dashuri të madhe për vendin e tyre. i kanë rritur me edukatën për të respektuar mikun dhe për të qenë shembuj.
ambasadori genci mucaj


Kur  do të përuroni Qendrën  Kulturore Shqiptare ?
Më 28 nëntor  shpresojmë të hapim dhe qendrën, e cila është një premtim që dhashë vitin që shkoi në festën kombëtare . Jam i lumtur që është thuajse gati, natyrisht ka akoma punë. Por, kemi bërë një punë shumë të madhe. Tashmë kemi marrë një ambient, për një periudhë të përjetshme, pa pagesë, që ju është dhënë dy ambasadave tona shqiptare dhe të Kosovës. Besoj se do të ketë një impakt, do t’i bëjë shqiptarët të ndihen krenarë.

Sfida juaj,  më e afërt ose më e largët në planin tuaj si ambasador ?
Sfida është të rrisë marrëdhëniet ekonomike, me rëndësi shumë të madhe. Nga pikëpamja politike ne ndjekim marrëdhëniet dypalëshe. Fatmirësisht marrëdhëniet tona janë shumë të mira, por një sfidë e madhe është sa investime do vijnë në Shqipëri nga Turqia. Sa punonjës shqiptarë, do të punësohen, do të mbështesin familjen e tyre. Kjo është një sfidë shumë e madhe që kemi. Pastaj hapja e Qendrave të Kulturës në Izmir, në Bursa, në Stamboll, është një pjesë tjetër. Por, investimet turke në Shqipëri do të ishin me shumë rëndësi  dhe do të ishin një sfidë e jashtëzakonshme . Sepse bëhet fjalë për atë që është e prekshme, për fëmijët, për familjen. Kjo është një sfidë shumë e rëndësishme


ambasadori genci mucaj


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Më 15 tetor Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë, Spiropali: Sukses i merituar drejt anëtarësimit në BE

Më 15 tetor Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë, Spiropali: Sukses i merituar drejt anëtarësimit në BE