Namazgjaja në 'Studio Live'/ Muzhaqi: Erdogan s’do pranonte të hapte xhaminë e Gylen, FETO e cilësuar organizatë terroriste! Krisafi: Ndërhyrje e Turqisë në punët tona!

Vizita e presidentit turk, Recep Taip Erdogan ditën e djeshme (10 Tetor) në Shqipëri, ku u përurua Xhamia e madhe e Namazgjasë në Tiranë për besimtarët turq, është komentuar gjatë nga opinioni dhe analistët.

Në “Studio Live” të Report TV ditën e sotme, ishin të ftuar dy ekspertë të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare për të diskutuar mbi këtë temë dhe veçanërisht ‘luftën’ disavjeçare të qeverisë turke me organizatën FETO të Gylen dhe konfliktet e transmetuara edhe në Shqipëri apo Komunitetin Mysliman mes grupimeve fetare.

Të ftuar të gazetarit Arbër Hitaj ishin Ledjon Krisafi dhe Ergys Muzhaqi.

“Erdogan nuk do hapte xhaminë e drejtuar nga FETO, ka pasur marrëveshje mes palëve dhe miratim në heshtje të SHBA-ve”, u shpreh Muzhaqi në lidhje me faktin që presidenti turk e përuroi, por edhe mosprania e kreut të KMSH-së, Bujar Spahiu, që cilësohet si mbështetës i FETO dhe zëvendësimin e tij me myftiun e Tiranës.

Muzhaqi e vuri theksin tek një zhvillim pozitiv dhe marrëveshje mes palëve, që çoi në këtë rezultat. Kurse Krisafi e quajti “ndërhyrje e Turqisë në punët e brendshme tona”.

“Në këndvështrimin tim ishte pozitive hapja e xhamisë. Në këtë pikë Erdogan ka qenë përherë i qartë që nga momenti kur i ka prishur marrëdhëniet e tij me organizatën FETO të Fetulla Gulenit, është shpallur organizatë terroriste për shtetin turk dhe për një sërë shtetesh të tjera miq të afërt me Turqinë. Erdogan nuk do kishte pranuar kurrë inaugurimin e një xhamie, e cila do ishte kryekëput e varur nga drejtuesit e kësaj organizate në Shqipëri, drejtues të Komunitetit Mysliman, pa arritur më parë një marrëveshje, sigurisht mes Erdoganit dhe drejtuesve të FETO-s. Një marrëveshje me mekanizëm ndërhyrës edhe të qeverisë shqiptare. Ky është një zhvillim pozitiv, sepse tregon se është arritur një marrëveshje në mënyrën se si do të kemi zhvillime në atë pikë të panegociueshme të Turqisë, që ka qenë pika e FETO-s dhe aktivitetit të saj në Shqipëri”, tha Muzhaqi.

Ai theksoi se investimi është 30-35 mln euro dhe këto zhvillime s’mund të ndodhnin brenda ditës, pra ka pasur negociata edhe me ndërhyrjen e shtetit shqiptar.

“Duhet të kenë bërë një marrëveshje të mirë, me ndërmjetësimin e qeverisë shqiptare dhe nuk mund të përjashtojmë këtu edhe miratimin në heshtje të shtetit amerikan, SHBA-ve, sepse zhvillime të tilla s’mund të dalin jashtë vëmendjes apo miratimit të tyre”, theksoi eksperti i sigurisë.

Ndryshe mendon eksperti tjetër Krisafi:

“FETO është organizatë brenda islamit sunit, e krijuar në Turqi në mes të viteve 50, organizatë më konservatore, jo si ajo e Ataturkut. Në fillim kanë qenë aleatë e në bashkëpunim me Erdogan, para se të vinte në pushtet dhe më pas. Ka pasur goxha ndikim edhe në Shqipëri me aq sa dimë, në qendra arsimore apo universitete. Ka pasur informacione se mund të ketë pasur ndikim edhe brenda radhëve të ushtrisë shqiptare apo oficerëve, ata që kanë studiuar kryesisht në Turqi. Ndanë rrugët mes Gylen dhe Erdogan dhe ndodhi ajo që ndodhi në vitin 2016, me përpjekjen për grusht shteti në Turqi.  Më vjen keq që problemet e Turqisë janë zhvendosur edhe në Shqipëri. Nuk mund të ndodhë që sa herë vjen presidenti Erdogan apo ambasadori turk, të flasin për organizatën e rrezikshme FETO. Shteti shqiptar duhet të vendosë, nëse është e rrezikshme të marri masa. Mënyra se si imponohet Turqia në këtë rast, më duket si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Kryeministri Rama ka qenë pragmatist në marrëdhëniet me Turqinë dhe është munduar të marri maksimumin, duke dhënë minimumin, duke pasur parasysh ndihmat e Turqisë pas tërmetit, ushtarake, spitali i Fierit dhe të tjera”.

Kurse Muzhaqi nuk ndau këtë mendim, duke theksuar se Shqipëria ka partnerë edhe SHBA-të apo BE-në, që e njoftojnë herë pas here për organizata terroriste dhe e sinjalizojnë.

“A quhet ndërhyrje në punët e brendshme? Nëse do quhet ndërhyrje në punët e brendshme ajo e SHBA-ve dhe vendeve të tjera aleate kur na lajmërojnë për organizata terroriste apo ekstremiste, atëherë po, edhe kjo e Turqisë duhet të quhet si e tillë. Nëse jo, atëherë i njëjti këndvështrim edhe për Turqinë që po na lajmëron për një rrezik. Sepse e thashë, veçoria e Gylenit ka qenë infiltrimi dhe madje strukturat e shërbimeve inteligjente e kanë të vështirë që t’i pikasin këto njerëz nëpër sektorët e shtetit, apo Polici, prokurori, Ushtri, e pese jo në Gjykatë. Shqipëria duhet të jetë ndër shtetet e para që duhet ta marri në konsideratë, pasi bëhet fjalë për një organizatë që krijon probleme dhe rrezik për rendin kushtetues. Siç kemi SHBA-të të afërta dhe partner kryesor, po ashtu kemi të afërt si shtet edhe Turqinë”, tha ai.

Ardhjen e Erdogan në Tiranë e konsideroi si pasojë të një marrëveshjeje mes palëve, ku është gjetur një rrugë e mesme dhe e cilësoi zhvillim pozitiv, që do pasohet edhe nga të tjerë. Ai vlerësoi tërheqjen e kreut të KMSH, Bujar Spahiut dhe daljen e Myftiut. Teksa i bëri edhe një historik organizatës FETO ndër vite.

Ai vuri në dukje edhe rreziqet që paraqet FETO për vendin tonë, pasi Turqia ka prova se është organizatë terroriste.

“Po, përbën rrezik për Shqipërinë. Shteti turk e ka për detyrë të lajmërojë për rreziqe të tilla. Por ka lajmëruar të gjitha shtetet ku mendon se i ka ecur fjala. Turqia është anëtar i NATO-s, i fuqishëm që njofton për të gjitha rreziqet aleatët e saj, që të marrin masa. E njëjta gjë si dikur me ISIS apo Al Kaeda, ku aleatët tanë të Shqipërisë na tregonin rreziqet terroriste dhe se si duhet të merrnin masa të menjëhershme. Mendoj se kreu i KMSH, Bujar Spahiu ka ofruar bashkëpunimin. Madje shpresoj dhe pres që zoti Spahiu të ketë edhe vizitë në Turqi, që ekuivalentohet me shtensionim të situatës. Shteti turk dhe jo Erdogan ka mijëra faqe me prova dhe s’ka dyshim për organizatën FETO”, tha eksperti.

Çfarë është organizata FETO sipas Muzhaqit: Gylen ishte ligjërues, merita e tij, infiltrimi i njerëzve

Fetullah Gulen nuk njihet si miliarder, por organizata e tij po. Nuk ka qenë as hoxhë me sa mbaj mend. Në vitet 50-60 ka nisur aktivitetin e tij dhe ka qenë ligjërues. Pra nuk drejtonte xhami, por mbante ligjëratë atje. Ka pasur retorikën e tij, ka qenë orator i mirë në çështjet fetare. Kanë ardhur herët në Shqipëri, diku në vitin 1992. Nuk kanë pasur lidhje me Erdoganin në atë kohë. Me hapjen e kolegjit të parë turk në vendi tonë. Epiqendër e kësaj organizate ka qenë arsimi, kryesisht i fëmijëve dhe veçimi i personave me aftësi të spikatura, në fusha të ndryshe, akademike, arsimore, ushtarake, policore, biznesit. Qasje si grup mysliman sunit, që merreshin me anën arsimore dhe intelektuale, në ndryshim me shumë grupe të tjera. Gyleni nuk ishte i lidhur me xhaminë, por me shpi private ku organizoheshin në mënyrë të pavarur. Mënyra si e organizonte Gyleni organizatën e tij, ka qenë shumë e ndryshme nga organizatat e tjera. Veçoria më e madhe ka qenë infiltrimi, Gyleni arrinte të realizonte me sukses të infiltrohej në sektorë të ndryshëm jetikë të shoqërisë turke dhe madje më pas pasi doli nga Turqia, në vendet ku shkonte. Infiltrohej në Polici, Prokurori, Gjykatë, sidomos në Ushtri, ku ishte më e vështirë, arsim dhe kryesisht administratën publike. Qëllimi ishte që myslimanët të prezantoheshin, pasi Turqia kishte kaluar në Shqipëri në hullitë e komunizmit shumë të ngjashme me tonat, pasi janë djegur xhamia, janë mbyllur, është ndaluar thirrja e ezanit, janë persekutuar hoxhallarë, disa janë vrarë, janë varur, janë internuar, që zgjati disa dekada drejt pjesës fetare, nga ana e pjesës sekulare. Gyleni ka qenë i veçantë në këtë pikë, në infiltrimin që myslimanët të ishin sa më të organizuar, të merrnin akses, të ishin të pozicionuar në drejtimin e jetës publike dhe vendimmarrjen turke. Këtë praktikë e ka shtrirë edhe në vendet ku ka shkuar. Për shembull në Rusi shkollat e Gylenit u mbyllën, pasi u ishte dhënë leje, sepse vunë re se hynin e dilnin agjentë të CIA-s si profesorë".

A.Q/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit