Marrëdhëniet me Greqinë/ Rama: Po punohet për njohjen e pensioneve, dialog në nivel teknik për marrjen e shtetësisë! Qendër kulturore shqiptare

Marrëdhëniet me Greqinë/ Rama: Po punohet për njohjen e pensioneve, dialog në nivel teknik për marrjen e shtetësisë! Qendër kulturore shqiptare

Kryeministri grekMitsotakis dhe kryeministri Rama, foto arkiv

Nga Athina ku u takua me emigrantët shqiptarë, tej mesazheve për të zgjidhur çështjet mes dy vendeve si europianë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe në marrëdhëniet historike raportet ekonomike mes dy vendeve.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria e sheh Greqinë si një partner strategjik dhe bashkë duhet të rrisnin bashkëpunimin për mirëqenien ekonomike mes dy vendeve dhe popujve. Rama tha se janë çelur negociatat me qeverinë greke për njohjen e pensioneve, duke theksuar se kanë një referencë shumë pozitive.

“Më në fund me qeverinë aktuale, se me atë para as nuk bëhej fjalë, kemi arritur që të çelim negociatat në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë. Është një marrëveshje për të cilën deri dje nuk shinim asnjë dritë në fund të tunelit, ndërkohë që besojmë pas realizimit të marrëveshjes së pensioneve me Italinë, kemi një referencë shumë pozitive, sepse faktikisht ajo me Italinë dhe kjo me Greqinë, janë dy marrëveshjet më komplekse për shkak edhe të peshës që ka faktori shqiptar në të dyja shtetet”, u shpreh Rama.

Nga Greqia, Rama zbuloi se kanë nisur edhe negociatat për procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim, dialog për të cilin thotë se ka bërë progres.

“Po ashtu, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik për problematikën e lejes së qëndrimit dhe procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim. Ka goxha progres dhe jam besimplotë që shumë shpejt ju do merrni lajme shumë të mira”, tha kryeministri në Athinë.

Bashkëpunimi në tregun energjetik është një tjetër synim i përbashkët mes dy vendeve, kur kryeministri shqiptar u shpreh se punohet për projektin e linjës së dytë të transmetimit 400 kV  Fier - Arachtos.

“Një tjetër synim i përbashkët strategjik dhe i dakordësuar mes dy qeverive tona është bashkërendimi i nevojave dhe oportuniteteve ekonomike të dy shteteve tona për aksesin dhe pozitat në tregun e integruar europian të energjisë.

Sot punohet për projektin e linjës së dytë të transmetimit 400 kV  Fier - Arachtos  një projekt me rendësi strategjike për të dyja shtetet i cili jo vetëm konsolidon rrjetin transmetues, por fuqizon ndërlidhjen fizike të Shqipërisë dhe Greqisë për përmbushjen e kushteve të integrimit në tregun europian të energjisë duke krijuar siguri që çmimet do të jenë më konkurruese, por dhe duke zgjeruar kapacitetet eksportuese të energjisë së prodhuar nga burimet e rinovueshme në të dyja vendet”, vijoi Rama.

Pritet edhe krijimi i Dhomës së parë Shqiptaro-Greke të Tregtisë dhe të Industrisë me seli në Athinë.

“Falë angazhimit të vetë operatorëve ekonomikë këtej dhe andej kufirit, jemi në hapat e fundit të  krijimit të Dhomës së parë Shqiptaro-Greke të Tregtisë dhe të Industrisë me seli në Athinë”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

Raportet mes dy vendeve do shtrihen edhe në fushën kulturore. Rama tha se pritet miratimi i qeverisë greke për të hapur qendrën e kulturës shqiptare, për të cilën tha se qeveria shqiptare ka lëvruar edhe fondin.

“Falë nxitjes së njerëzve të ndriçuar të këtij komuniteti në Greqi, janë bërë të gjitha gati dhe pritet vetëm miratimi i qeverisë greke për të hapur qendrën e kulturës shqiptare, për të cilën qeveria jonë ka lëvruar edhe fondet përkatëse. Falë kërkesës në rritje të jetës reale të popujve që jetojnë jashtë gotës së furtunave politiko-mediatike, numri i udhëtarëve që lëvizin drejt të dyja vendeve është dhjetëfishuar”, vijoi Rama.

Kryeministri u ndal edhe në lumin ‘Vjosa’, i cili është shpallur Park Kombëtar. Rama shtoi se pas propozimit të Shqipëris, po punohet me Greqinë për të krijuar parkun e parë ndërkufitar të lumit “Vjosa” që përshkon të dy vendet.

“Një tjetër faqe e bukur bashkëpunimi dhe afrimi, e kemi hapur me propozimin tonë dhe dakordësinë me thënë të drejtën të menjëhershme të qeverisë greke për ta integruar duke bërë një integrim ndërkufitar, parkun kombëtar të Vjosë, i cili në vitet e ardhshme do të jetë një motor gjithnjë dhe më i fuqishëm i industrisë sonë të re të turizmit por duke u kthyer në një park europian të integruar ku s’ka kufi, por triumfon natyra që na bashkon qysh se kemi ardhur në këtë botë, do të jetë një shembull magnetik qoftë për çfarë mund të bëjmë së bashku, Shqipëria dhe Greqia me njëra tjetrën, për njëra tjetrën dhe për Europën tonë, qoftë për turistët dhe vizitorët nga e gjithë bota”, u shpreh kryeministri.

Eksportet shqiptare në Greqi vitin e shkuar u rritën me 1/4  më shumë se sa vitin paraardhës. Ndërsa në muajt e parë të këtij viti Greqia renditet e treta në listën e partnerëve tregtarë të Shqipërisë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

'Klanet, korrupsioni dhe arroganca e organizatorëve!', Barrikada FC tërhiqet nga çdo garë e FSHF dhe Sunday League Albania

'Klanet, korrupsioni dhe arroganca e organizatorëve!', Barrikada FC tërhiqet nga çdo garë e FSHF dhe Sunday League Albania