/ATSH/- Në Tiranë zhvilloi të mërkurën punimet konferenca "7 vjet nga pavarësia e Kosovës, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë në fokusin e politikanëve të rinj".
Në konferencë u diskutua mes politikanëve të rinj nga Kosova dhe Shqipëria, për çështje të politikës, ekonomisë, shoqërisë, bashkëpunimin në dy anët e kufirit si dhe të ardhmen e elitave politike në Shqipëri dhe Kosovë.

Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës, theksoi në fjalën e tij se duhet rritur bashkëpunimi dypalësh për të identifikuar avantazhet konkuruese të dy shteteve tona me një popullatë shumë të re dhe t'i orientojmë edhe politikat tona zhvillimore në ato fusha që kanë prioritet punësimin, si plaga më e madhe sot.
Elisa Spiropali, Drejtore e Përgjithshme e Doganave në Republikën e Shqipërisë, u shpreh se, politikanët duhet të gjejnë mënyra konkrete bashkëpunimi përmes hartimit të marrëveshjeve konkrete për thithjen e investimeve të huaja dhe kthimin e dy tregjeve tona në tregje kompetitive. "Vërtet jemi dy vende dhe nuk mund të quhemi gjigantë, por tregu ynë i përbashkët është i konsiderueshëm. Ne duhet të shohim mundësitë e unifikimit. Liria është domosdoshmëri për të mbijetuar si komb, por politikanët nga të dy anët nuk mund të mjaftohen me lirinë, por duhet të gjejnë mënyra bashkëpunimi konkret", deklaroi Spiropali.

Spiropali vuri theksin në faktin se tregjet e Shqipërisë dhe Kosoës janë afër fizikisht, por shumë larg bashkëpunimit për shkak të barrierave. Gjithsesi ajo vlerësoi se është bërë një punë e madhe në këtë drejtim, por mbetet ende shumë për tu bërë.

Shqipëria dhe Kosova në fillim të kësaj jave inauguruan pikën e përbashkët doganore në Morinë të Kukësit. Pika e përbashkët doganore do të sjellë lehtësi për qytetarët dhe çmime më të ulëta për produktet në treg.