Nga terrori te armëpushimi. Europa shkoi në gjumë me frikën e një apokalipsi të afërt, të shkaktuar nga përshkallëzimi i sulmeve ndaj Iranit, dhe u zgjua me një rreze të zbehtë shprese. Tregjet tashmë po reflektojnë një ulje të tensionit mbi naftën, ndërsa në Ngushticën e Hormuzit mbi 800 anije, mes tyre cisterna nafte dhe anije transporti mallrash, qëndrojnë të bllokuara në pritje për t’u rikthyer në lëvizje dhe për të rinisur tregtinë ndërkombëtare. Por çfarë ndodhi? Pse dhe si, vetëm një orë e gjysmë para skadimit të ultimatumit amerikan, kur në Shqipëri ishte ora 00:30, u arrit armëpushimi?
Ndërmjetësimi i Pakistanit
Përgjigjja nuk qëndron vetëm në atë natë. Ndërmjetësimi nisi në ditët paraprake dhe ka një emër të qartë: Pakistani. Islamabad, sipas rindërtimit të agjencisë Reuters, ka punuar që në fillim të prillit në një kanal paralel, duke përfshirë Arabinë Saudite, Turqinë dhe Egjiptin dhe duke mbajtur kontakte të drejtpërdrejta si me Uashingtonin, ashtu edhe me Teheranin.
Më 6 prill, sipas Reuters, u paraqit një propozim i strukturuar në dy faza: një armëpushim i menjëhershëm dhe më pas nisja e negociatave më të gjera. Në qendër ishte, natyrisht, Ngushtica e Hormuzit, krahu detar i kontrolluar nga Irani, përmes të cilit kalon rreth 20% e flukseve globale të naftës dhe gazit, sepse pikërisht aty kriza ushtarake shndërrohet në krizë globale.
“Do të vdesë një qytetërim i tërë”
Më 7 prill, dje, presioni arriti kulmin. Donald Trump vendosi një ultimatum publik me fjalë që mbeten: “Do të vdesë një qytetërim i tërë”. Alternativa për Iranin, tha ai, ishte të rihapte Ngushticën ose të përballej me një fazë të re sulmesh pa ndërprerje. Por në të njëjtën kohë, sipas Reuters, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif kërkoi nga SHBA një shtyrje të afatit dhe njëkohësisht i bëri thirrje Iranit të jepte një sinjal konkret dhe të lejonte kalimin e anijeve si gjest fillestar. Dy fuqitë nuk komunikonin drejtpërdrejt, të paktën zyrtarisht, të gjitha kontaktet kalonin përmes ndërmjetësimit pakistanez. Një ndërmjetësim i ndërtuar më shumë mbi telefonata dhe mesazhe sesa mbi takime formale.
Kontaktet u intensifikuan, përfshinë edhe nivele ushtarake dhe të inteligjencës dhe u zhvilluan në disa kryeqytete. Por sulmet nuk u ndalën: gjatë gjithë të martës, Izraeli bombardoi ura dhe infrastrukturë në Iran, ndërsa forcat amerikane u përqendruan në ishullin Kargh, zemra e logjistikës së naftës iraniane. Strategjia këtu ishte ndryshe: nuk goditeshin infrastrukturat, por mbrojtjet ushtarake, si një mënyrë për të rritur presionin dhe për të paralajmëruar Teheranin se hapi tjetër do të synonte drejtpërdrejt sektorin e naftës. Irani u përgjigj, ndërsa raketa, të kapura nga mbrojtja, mbërritën vonë në mbrëmje edhe në vendet fqinje të Gjirit.
90 minuta nga 'apokalipsi'
Kështu u arrit në orët e fundit, kur kriza dukej në prag të një përshkallëzimi të pakthyeshëm. Sipas Bloomberg, marrëveshja u arrit rreth 90 minuta para afatit të vendosur nga Trump, pra në orën 20:00 në SHBA, 02:00 të natës në Shqipëri. Kompromisi ishte minimal: dy javë armëpushim dhe rihapje e Ngushticës. Por kushtet mbetën të ndryshme.
Uashingtoni flet për hapje “të plotë, të menjëhershme dhe të sigurt”, ndërsa Teherani thekson se kalimi do të jetë i mundur vetëm “në koordinim me forcat e tij të armatosura”. Ky është thelbi i marrëveshjes, por edhe kufizimi i saj, që do të testohet në terren në orët në vijim.
Të premten, sipas burimeve të cituara nga Axios, në Islamabad pritet të mbahet një samit ndërkombëtar për të konsoliduar marrëveshjen. Kur tregjet u rihapën këtë mëngjes, reagimi ishte i menjëhershëm: Brent ra deri në 16%, ndërsa bursat globale u rikuperuan. Është një lexim optimist: kriza është ndalur dhe rreziku ekstrem është ulur. Por në Ngushticë situata mbetet ndryshe, sepse për momentin anijet nuk po lëvizin.
Nyja e Hormuzit
Sipas të dhënave të cituara nga Al Jazeera, gjatë javëve të krizës deri në 2,000 anije janë përfshirë mes bllokimeve dhe devijimeve. Mes tyre të paktën 400 cisterna nafte, si dhe anije që transportojnë gaz të lëngshëm (GNL) dhe mallra të tjera. Sot në Gjirin Persik ndodhen rreth 800 anije të bllokuara, ndërsa në kushte normale kalojnë rreth 135 në ditë. Rifillimi i lundrimit nuk do të jetë i lehtë, edhe sepse sipas burimeve rajonale, Irani ka vendosur të paktën një duzinë minash në Ngushticë.
Problemi kryesor është besimi: mbetet për t’u parë sa do të vlejë në praktikë marrëveshja e arritur mes palëve. Kompanitë detare presin sqarime, ndërsa kompanitë e sigurimeve po vlerësojnë rrezikun. Sipas analistëve të cituar nga Al Jazeera, primet e sigurimit për luftë janë rritur deri në 300% dhe nuk do të ulen shpejt. Ndërkohë rëndon edhe precedenti i Detit të Kuq: edhe pas rihapjes, trafiku nuk është kthyer plotësisht në nivelet e mëparshme. Për këtë arsye, armëpushimi për momentin mbetet më shumë një zgjidhje politike sesa operative. Radha e anijeve, ngarkesat e akumuluara dhe dëmet në infrastrukturë do të kërkojnë kohë për t’u normalizuar. Sipas operatorëve të sektorit, edhe me një rihapje të menjëhershme do të duhen muaj për rikthimin në normalitet.
Enigma Izrael
Ndërkohë mbeten të hapura disa pyetje thelbësore. A do të jetë Ngushtica vërtet e lirë apo do të mbetet nën kontrollin faktik të Iranit, me kalime të autorizuara dhe selektive? A po e nënvlerësojnë tregjet kohën reale të normalizimit, duke supozuar një rihapje të shpejtë që në fakt mund të jetë e pjesshme dhe e kthyeshme? Dhe mbi të gjitha, çfarë do të ndodhë në planin më të gjerë ushtarak?
Izraeli ka bërë të qartë se armëpushimi nuk vlen për Libanin, duke lënë të hapur një front që mund të rindezë tensionet në çdo moment. Nata e ndaloi përshkallëzimin, por në agim, në Ngushticën e Hormuzit, trafiku global mbetet ende i bllokuar. Dhe normaliteti, për momentin, mbetet një bast./La Repubblica
Komente











