Bizneset që synojnë të përfitojnë nga Marrëveshja e Paqes Fiskale kanë kohë vetëm deri më 5 qershor për të paraqitur aplikimin. Administrata Tatimore ka rikujtuar se afati përfundon nesër dhe pas kësaj date sistemi nuk do të pranojë kërkesa të reja.
Paqja Fiskale parashikohet në Ligjin nr. 84/2025 dhe u drejtohet tatimpaguesve të regjistruar si persona fizikë ose entitete që janë subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat e Korporatave dhe Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi.
Për të përfituar nga kjo marrëveshje, subjektet duhet të plotësojnë një sërë kushtesh ligjore. Mes tyre janë ushtrimi i aktivitetit ekonomik në Shqipëri, realizimi i të ardhurave bruto mbi 14 milionë lekë gjatë vitit tatimor paraardhës, si dhe mungesa e detyrimeve tatimore të papaguara apo të padeklaruara. Një tjetër kusht është që tatimpaguesi të mos jetë subjekt i procedimeve penale ose hetimeve në fushën tatimore.
Aplikimi kryhet online përmes sistemit “e-filing”. Subjektet duhet të paraqesin formularin përkatës, dokumentacionin e kërkuar nga institucionet kompetente dhe vetëdeklarimet e parashikuara në ligj.
Sipas Administratës Tatimore, verifikimi i aplikimeve do të përfundojë brenda pesë ditëve kalendarike nga kontrolli i kushteve ligjore, ndërsa përgjigjja përfundimtare do t'u komunikohet tatimpaguesve në mënyrë elektronike jo më vonë se 10 qershori.
Pas marrjes së miratimit, përfaqësuesit ligjorë të subjekteve duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nënshkruar pranë drejtorive rajonale tatimore ose përmes sistemit elektronik, brenda pesë ditëve nga njoftimi dhe jo më vonë se data 15 qershor.
Ndërkohë, bizneset që kanë deklaruar rideklarim të pasqyrave financiare për vite të mëparshme duhet të përmbushin deri më 30 qershor detyrimet që lidhen me pagesat e tatimeve, dorëzimin e pasqyrave të korrigjuara financiare dhe dokumentacionit shoqërues.
Çfarë fitojnë bizneset nga Marrëveshja e Paqes Fiskale?
Marrëveshja e Paqes Fiskale është një marrëveshje vullnetare mes biznesit dhe Administratës Tatimore, ku të dyja palët bien dakord që në fillim të vitit për fitimin e tatueshëm dhe tatimin që do të paguhet.
Skema nis me një afat njëvjeçar, por mund të rinovohet edhe për dy vite të tjera. Në total, një biznes mund të qëndrojë në këtë regjim deri në tre vjet.
Formula e llogaritjes bazohet te fitimi i tatueshëm i vitit paraardhës. Administrata Tatimore e rrit këtë vlerë me 18% dhe mbi bazën e re llogaritet tatimi standard prej 15%.
Përfitimi më i madh vjen në rast se biznesi realizon më shumë fitim se sa ishte parashikuar në marrëveshje. Në këtë rast, diferenca tatohet me normë 5% dhe jo 15%, duke ulur barrën fiskale për fitimin shtesë.
Një tjetër element që e bën tërheqëse skemën është fakti se gjatë periudhës së marrëveshjes nuk kryhen kontrolle tatimore në terren për tatimin mbi fitimin, përveç rasteve kur dyshohet për mashtrim të rëndë. Administrata Tatimore mund të kryejë vetëm monitorim nga zyra, pa inspektime pranë biznesit.
Komente











