Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Hashim Thaçi dekoron me ‘Urdhërin e Lirisë’ presidentin Donald Trump (VIDEO)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten se i ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë –presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Në një videomesazh dhe komunikate për medie të zyrës së presidentit Thaçi, thuhet se në një letër dërguar presidentit Trump, ka deklaruar “se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike. Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – shpëtimtares sonë që në ditët tona më të errëta na qëndroi pranë dhe vazhdon edhe sot”, thuhet mes tjerash në letër.

Presidenti Thaçi e siguron me ketë rast presidentin amerikan se “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kemi punuar shumë në këto vite dhe jemi të përgatitur të japim kontributin tonë për paqe dhe siguri në botë. Po ashtu, jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Është më e qartë se kurrë, thuhet në letër “që kjo mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli juaj në këtë proces është jetik. Kosova është me të vërtetë e bekuar që gëzon mbështetjen tuaj të palëkundshme për përmbushjen e aspiratave të saj”.

Presidenti Thaçi thekson ndërkaq se marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nuk do të kishte qenë e mundur “pa energjinë, synimin e qartë, dhe angazhimin direkt, të palëkundur dhe besnik të këshilltarit tuaj për siguri kombëtare, z. Robert O’Brien dhe të dërguarit tuaj special, ambasadorit z. Richard Grenell. Në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tyre, po ashtu kam ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave për z. O’Brien dhe z. Grenell, për meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Washington”.

Ai me këtë rast e ka ftuar presidentin Trump që të vizitojë dhe të bindet “për progresin që ju e keni bërë të mundur. Do të ishte nder i madh t’ju mirëpres dhe t’ju prezantoj popullin më pro-amerikan në botë”, thuhet në letrën e presidentit Thaçi.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 19/09/2020 03:19

    VETEM NJE IDIOT MUND TE DEKOROJE NJE GOMAR.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb