Presidenti Ilir Meta, i shoqëruar edhe nga delegacioni parlamentar i Shqipërisë, u takua këtë të enjte në Uashington me kongresmenin Robert Aderholt. Meta i garantoi anëtarit të Komitetit Amerikan të Helsinkit, i cili është njëheraz bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipërisë, se Shtetet e Bashkuara do të mbeten për shqiptarët partneri kryesor.

“Për shqiptarët, SHBA janë dhe do të mbeten partneri kryesor strategjik. Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një rëndësi jetike për ne”, - nënvizoi presidenti Meta.

Meta shprehu më tej mirënjohjen për mbështetjen e SHBA-së në përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, anëtarësimin në NATO, si dhe për përmbushjen e aspiratës euro-atlantike.

“Është e domosdoshme, - theksoi Meta - nevoja e një angazhimi edhe më të vendosur të SHBA-së në rajonin tonë, si një garanci për të gjithë investimin amerikan, por edhe si ndihmesë e pazëvendësueshme për finalizimin me sukses të marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndërsa kongresmeni Robert Aderholt siguroi presidentin Meta për angazhim të pandalur të Shteteve të Bashkuara për forcimin e arritjeve në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Ilir Meta dhe Kongresmeni Robert Aderholt