Prej muajit mars po punohet me intensitet për ndërtimin e kampit të emigrantëve në Gjadër të Lezhës. Report Tv sjell pamjet me dron, ndërsa strukturat akomoduese janë ngritur dhe tashmë po punohet për vendosjen e logjistikës dhe sistemimin e ambjenteve të jashtme. Brenda muajit gusht kampi i refugjateve në Gjader pritet të jetë gati.

Ky investim i shtetit Italian po rigjallëron dhe i jep zhvillim këtij fshati. Kështu shprehet kryeplaku i Gjadrit Aleksandër Preka, sipas të cilit shumë banor të zonës janë punësuar aty si dhe ka patur rritje të xhiros në bizneset e zonës.

“Ka ndërruar fshati me 50%. Po kërkohen punëtorë dhe po i paguajnë shumë mirë. Janë tepër të kënaqur, as nuk i stërmundojnë. Tregtia ka pësuar rritje 16%, po shiten produkte të nevojshme.”

Me ngritjen e kampit të refugjateve, Gjadri do të ketë vëmendje dhe sa i përket investimeve kryesisht në infrastrukture dhe rrjetin elektrike thotë kryeplaku Aleksandër Preka.

Sipas marrëveshjes me Italinë të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor të vitit të shkuar, porti i zbarkimit të refugjateve nga vendet e treta do të jetë Shëngjini, ku është ngritur qendra pritëse, ndërsa në Gjadër po ndërtohet kampi ku do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatet nga territori shqiptar.