Kuvendi i Malit të Zi voton sot për rrëzimin e Qeverisë, Abazoviçi ofron ristrukturimin e saj! 9 deputetë nënshkruajnë iniciativën

Kuvendi i Malit të Zi voton sot për rrëzimin e Qeverisë, Abazoviçi ofron ristrukturimin e saj! 9 deputetë nënshkruajnë iniciativën

Dritan Abazoviç

Kuvendi i Malit të Zi po voton sot pro ose kundër shkarkimit të kryeministrit Dritan Abazoviç. Mocioni i mosbesimit ndaj Abazoviç është paraqitur nga partia e presidentit Milo Gjukanoviç dhe është firmosur nga 36 deputetë. Për të rrëzuar Qeverinë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga 81 që janë në Kuvend.

Nëntë deputetë të Lëvizjes Ura dhe Partisë Socialiste popullore të Malit të Zi kanë nënshkruar iniciativën për ristrukturimin e Qeverisë së Dritan Abazoviçit. Ndërkohë, një nga liderët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiç, tha se 20 deputetë të kësaj partie janë të gatshëm që menjëherë ta nënshkruajnë propozimin. Zi.Kjo iniciativë, e cila erdhi gjatë seancës ku po diskutohet mocioni për votimin e mosbesimit të Qeverisë së Dritan Abazoviçit, përmban parimet mbi të cilat duhet të bazohet qeveria e re, dhe i bën thirrje të gjitha partive parlamentare t’i bashkohen iniciativës, përveç atyre që kanë iniciuar mosbesimin ndaj Qeverisë. Referuar dokumentit të nënshkruar nga nëntë deputetë, i cili është publikuar nga Abazoviçi, bisedat për ristrukturimin e ekzekutivit malazez do të nisin pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Malit të Zi.

Pakënaqësia ndaj qeverisë së Abazoviç vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes themelore për Kishën Ortodokse Serbe që u cilësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit. Abazoviç tha se nënshkrimi i Marrëveshjes me Kishën është mënyra për të arritur një konsensus parlamentar për çështjet e rëndësishme për integrimin në BE.

Ditën e sotme do të vendoset nëse Kuvendi do t’i japë një shans të dytë Abazoviç apo do ta shkarkojë. Në rast se Abazoviç do t'i mbijetojë votimit të sotëm, provimi i ri do të jetë më 2 shtator, me kërkesë të Frontit Demokratik (FD) dhe Demokratëve, kur do të vendoset edhe për propozimin e tyre për shkarkimin e kryetares së Kuvendit Danijela Gjuroviç.

Gjatë seancës u zhvillua një debat mes deputetëve dhe kryeministrit. Në fjalën e tij, deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Danijell Zhivkoviç, tha se Qeveria e Abazoviçit ka braktisur agjendën evropiane dhe ka humbur një mundësi historike, “sepse kryeministri përmbushi detyrimet e tjera dhe pranoi të shantazhohet”. Abazoviçi iu kundërpërgjigj Zhivkoviçit, duke thënë se nuk është e vërtetë që DPS-ja e ka paraqitur iniciativën për rrëzimin e tij për shkak të mungesës së progresit të shtetit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ende nuk dihet cili do të jetë epilogu i seancës së Kuvendit, sepse Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët e Alleksa Beçiçit dhe Partia Boshnjake, nuk janë deklaruar nëse do të votojnë për rrëzim të Qeverisë. Të paktën pesë vota të tyre janë të nevojshme për ta bërë diçka të tillë.

Ndonëse disa nga Fronti Demokratik kanë thënë se rrëzimi i Qeverisë së Abazoviçit është “drejtësi e Zotit”, deputeti Sllaven Radunoviç, ka kërkuar pauzë, ashtu që liderët e partive që kanë fituar shumicën e zgjedhjet e vitit 2020, të mund të marrin vendim. Edhe Partia Boshnjake nuk dihet ende si do të veprojë në votëbesim. Partia Mali i Zi Demokratik ka thënë se në fund të seancës do të vendosë si do të votojë. Kryeministri Abazoviç ka shkaktuar një mori reagimesh pasi gjatë seancës ka akuzuar Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS), të presidentit Millo Gjukanoviç, ish-prokurorët dhe disa kompani e media se janë të lidhura me krimin.

Sipas tij, një rast i konfiskimit të cigareve në Portin e Tivarit, është i lidhur me kompaninë Bemax të Malit të Zi. Sipas tij, Bemax, një nga kompanitë më të mëdha ndërtimore, e ka themeluar një portal që e lidh jodrejtpërdrejt Abazoviqin me klanet kriminale në Malin e Zi. Kryeministri Abazoviç ka ftuar prokurorin që të verifikojë pretendimet e tij. Ai ka akuzuar zyrtarët nga partitë që duan të rrëzojnë Qeverinë, se po synojnë ta destabilizojnë Malin e Zi. Ai e ka konsideruar deputetin, Predrag Boshkoviq të DPS-së dhe ministrin e Mbrojtjes, Rashko Konjeviç nga Partia Socialdemokrate (SDP), si “ekzekutorë politikë të destabilizimit të Malit të Zi”. Boshkoviç i ka konsideruar deklaratat e Abazovbiçit si të pavërteta, dhe ka thënë se ato “nuk janë dëgjuar në politikë në 30 vjetët e fundit”. Sipas tij, deklaratat e Abazoviçit shënjestrojnë kundërshtarët politikë.

Çfarë përmban Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe

Marrëveshja parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd. Me marrëveshje, shteti njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi. Marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.

Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës, kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:04
'Mendon se mafia luftohet me parulla e bakllava', kreu i Lëvizjes për Ndryshim thirrje Abazoviçit: Jep dorëheqjen, shteti nuk është lodër

Kryetari i partisë 'Lëvizja për Ndryshim’, Nebojsha Medojeviç, i ka kërkuar kryeministrit Dritan Abazoviç që pas mbledhjes së sotme të Kuvendit të japë dorëheqjen.

“Fatkeqësisht kryeministri Abazoviç nuk shprehu gatishmërinë për t’u përballur me mafien dhe DPS-në dhe hodhi poshtë propozimin tim për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Dritani mendon se mafia mund të luftohet me parulla dhe bakllava. Jepni dorëheqjen. jo deri në këto probleme Shteti nuk është lodër “Nuk ka dialog me mafien”, ka thënë Medojeviç.

Ora 22:02
Pas propozimit të Abazoviçit, Fronti Demokratik mbështet rikonstruktimin e Qeverisë së Malit të Zi

Fronti Demokratik mbështet rikonstruktimin e Qeverisë së Malit të Zi, të propozuar nga Abazoviçi në seancën për shkarkimin e tij.

Një nga liderët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiç, tha se 20 deputetë të kësaj partie janë të gatshëm që menjëherë ta nënshkruajnë propozimin për rikonstruktimin e Qeverisë së Malit të Zi. Ai në seancën e Kuvendit, e cila po vazhdon ende, tha se nga grupi parlamentar URA, Civis dhe SNP kanë marrë ofertë për iniciativën për rekonstruktimin e Qeverisë.  Ai theksoi se “Frontit Demokratik nuk i pëlqen gjithçka” në atë dokument.

 “Por duke u nisur nga fakti se kjo është një mundësi e mirë për të gjithë ne që të jemi bashkë, që ata që fituan më 30 gusht të mund të mblidhen sërish. Për sa i përket DF-së dhe dy klubeve në të cilat ndodhen FD dhe Partia e Punëtorëve. 20 deputetët e DF janë gati dhe mund ta nënshkruajnë këtë menjëherë”, u shpreh Mandiç.

Ora 21:48
Deputeti shqiptar në Mal të Zi pro shkarkimit të Abazoviçit: Sapo iu dridh karrigia i ra ndërmend se është shqiptar

Deputeti shqiptar në Mal të Zi, Mehmet Zenka

Deputeti shqiptar nga Unioni Demokratik Shqiptar në Mal të Zi, Mehmet Zenka, tha se e përkrah mocionin e mosbesimit Dritan Abazoviçit. Sa i përket fjalimit të Abazoviçit sot në Kuvend, ku tha se po tentohet shkarkimi i tij për faktin se është shqiptar, Zenka tha se Abazoviçit i ka rënë sot në mend për një gjë të tillë.

“Nëse Abazoviçit sot i ka rënë në mend se është shqiptar, se deri dje ka thënë jam kozmopolit, nëse Abazoviçi, i cili ka shkuar në kishën serbe dhe para dy vjetësh ka bërë koalicion me partitë serbe, me ato parti të cilat një ditë pasi ka formuar qeverinë, kanë brohoritur “vdekje shqiptarëve, Kosova është shtet terrorist, në Kosovë nuk kanë ndodhur krime lufte, nuk kanë ndodhur gjenocid, përdhunime”, dhe Abazoviqi e gjen vendin që të jetë me ta, atëherë unë nuk dua të jem shqiptar si Abazoviçi, por dua të jem shqiptar siç i ka hije një shqiptari të Malit të Zi”, u shpreh Zenka.

Zenka tha se Abazoviç dëshiron të justifikohet, duke e përdorur kombësinë e tij si pretekst, pasi sipas tij, mocioni i mosbesimit ka të bëjë me nënshkrimin e marrëveshjes me kishën serbe.

“Sot pasi po i dridhet karrigia, i ka rënë ndër mend se është shqiptar. Sot dëshiron të justifikohet duke përdorur pretekstin shqiptar, gjë që nuk ka rëndësi, ka të bëjë me atë nënshkrimin e kontratës të cilën e ka bërë me kishën serbe, një kontratë e cila është tejet e dëmshme, sidomos për shqiptarët, sepse e dimë zgjerimin e kishës serbe në Mal të Zi, sidomos zgjerimin e tyre ku janë monumentet tona historike fetare, të cilat ky dëshiron që kisha serbe dita ditës t’i përvetësojë”, u shpreh deputeti.

“Në shpresojmë se do të rrëzohet, se po që se vazhdojmë me këtë politikë, me të vërtetë na presin ditë shumë më të këqija,  dhe me të vërtetë situata mund të radikalizohet”, shtoi ai.

Ora 21:09
Seanca për rrëzimin e qeverisë, Abazoviçi ofron ristrukturimin e saj! 9 deputetë nënshkruajnë iniciativën

Dritan Abazoviç, në Kuvendin e Malit të Zi gjatë seancës së mosbesimit ndaj Qeverisë së tij

Nëntë deputetë të Lëvizjes Ura dhe Partisë Socialiste popullore të Malit të Zi kanë nënshkruar iniciativën për ristrukturimin e Qeverisë së Dritan Abazoviçit.

Kjo iniciativë, e cila erdhi gjatë seancës ku po diskutohet mocioni për votimin e mosbesimit të Qeverisë së Dritan Abazoviçit, përmban parimet mbi të cilat duhet të bazohet qeveria e re, dhe i bën thirrje të gjitha partive parlamentare t’i bashkohen iniciativës, përveç atyre që kanë iniciuar mosbesimin ndaj Qeverisë. Referuar dokumentit të nënshkruar nga nëntë deputetë, i cili është publikuar nga Abazoviçi, bisedat për ristrukturimin e ekzekutivit malazez do të nisin pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Malit të Zi.

Parimet e dokumentit të nënshkruara përfshijnë: forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, reformën zgjedhore dhe reformat ekonomike, me qëllim të përmirësimit të standardit jetësor, integrimet evropiane, bashkëpunimi rajonal dhe përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Gjashtë pikat e propozimit të qeverisë:

  1. Qeveria dhe shumica parlamentare do të forcojnë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet;
  2. Qeveria dhe shumica parlamentare do të zbatojnë reformën zgjedhore dhe do të përfundojnë sa më shpejt të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare;
  3. Qeveria do të intensifikojë reformat ekonomike me qëllim përmirësimin e standardit të jetesës së popullsisë dhe drejtimin e fokusit politik të saj kryesisht drejt temave socio-ekonomike;
  4. Qasje e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së zgjedhjes së Këshillit Gjyqësor, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorit të Lartë të Shtetit dhe fillimin e një dialogu intensiv me opozitën parlamentare për këto çështje me qëllim të krijimit të konsensusit sa më të gjerë;
  5. Qeveria mbetet maksimalisht e përkushtuar për ruajtjen e kursit të politikës së jashtme, integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal, si dhe përafrimin e plotë të politikës së jashtme me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, duke respektuar të gjitha detyrimet dhe marrëveshjet e marra ndërkombëtarisht;
  6. Qeveria dhe shumica parlamentare shprehin gatishmërinë për të vendosur një moratorium për të gjitha çështjet identitare që përçajnë shoqërinë ose për të cilat nuk është e mundur të arrihet një konsensus më i gjerë shoqëror në këtë moment, duke përfunduar me zgjedhjet parlamentare.

Paraprakisht, pas katër orë e gjysmë diskutimi për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviç, në Kuvendin e Malit të Zi është dhënë pushim me kërkesë të Frontit Demokratik (FD).

Ora 20:00
Seanca për shkarkimin e Abazoviçit, Partia Boshnjake do të votojë për mosbesim në Qeverinë e Malit të Zi

Kryesia e Partisë Boshnjake në Malin e Zi, në seancën e sotme për shkarkimin e Dritan Abazoviçit ka marrë vendim që deputetët e BS-së të votojnë për mosbesim në Qeveri, bëri të ditur zëdhënësi i BS-së Adel Omeragiç.

Nisma për t’i hequr votëbesimin qeverisë është kërkuar nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, të disa partive në koalicinonin qeveritar dhe partive të tjera, me pretekst “ndalimin e Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimin e tensioneve ndëretnike në vend”.

Nismëtarët e mosbesimit e kritikojnë qeverinë duke theksuar se në vend të ndjekjes së rrugës evropiane, qeveria po kryen eksperimente politike. “

Por, Abazoviç tha se kërkesa për rrëzimin e qeverisë nuk ka të bëjë me proceset europiane, por me marrëveshjen që qeveria e tij arriti me Kishën Ortodokse Serbe.

“Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe mos u fshihni pas evropianizmit tani”, u shpreh Abazoviç.

Ora 18:47
Abazoviç: Në Mal të Zi disa kanë krijuar narrativen se 'shqiptari s’di të vendosë për vendin'

Dritan Abazoviç nga foltorja e Kuvendit ku po votohet për shkarkimin e tij deklaroi se disa persona kanë krijuar një atmosferë ku mendohet se një shqiptar nuk di të vendosë për Malin e Zi.

“Ka njerëz që pas 30 gushtit të vitit 2020 nuk mund të lidhen më me sistemin shtetëror. Ata ftohen që vazhdimisht të bëjnë diçka, të shkaktojnë urrejtje fetare dhe kombëtare”. Këta njerëz krijojnë një atmosferë se kinse shqiptari nuk di të vendosë për ne për vendin tonë”, tha Abazoviç.

“Ky është rrëfimi, u shtyp butoni dhe e gjithë ushtria e tyre drejtohet te unë dhe Qeveria ime”, shtoi ai.

Më tej Abazoviç tha se është i gatshëm të zbulojë “të gjitha gjërat që fshihen nën qilim”.

“Po zhvillohet një aksion i organizuar për destabilizimin e shtetit. DPS po e shtyn Malin e Zi në probleme të mëdha me këtë politikë. Nuk e di nëse presidenti i DPS-së merr më shumë vendime në emrin tuaj apo është i shantazhuar. Mos mendoni se nëse nesër ndodhin gjëra në rrugë, nëse derdhet gjak, nuk jeni përgjegjës për këtë. Po ju paralajmëroj nga kjo foltore. Unë e ftoj SDT-në të kontrollojë këto pretendime. Këta janë njerëzit që po e shtyjnë Malin e Zi drejt destabilizimit. Ju po e shtyni Malin e Zi në krahët e botës serbe, duke rrënuar shoqërinë civile”, u shpreh ai.

Ora 17:11
Mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Malit të Zi, Abazoviç i gatshëm për koalicion me opozitën

Kuvendi i Malit të Zi po voton për shkarkimin e Abazoviçit, ku deputetët nismëtarë të mocionit të mosbesimit thonë se tashmë po vihet në  pikëpyetje vazhdimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Abazoviçit, që rezulton në rritje të tensioneve në shoqëri, Qeveria e ka humbur legjitimitetin e saj”, thuhej në iniciativën e deputetëve.

Por vetë Abazoviç ka paralajmëruar se nëse Qeveria i “mbijeton votës” është i gatshëm ta rindërtojë, në marrëveshje me Frontin Demokratik, që aktualisht është në opozitë, si dhe me demokratët e partitë tjera që duan të përfshihen në udhëheqje.

Nismës, Abazoviç është përgjigjur:

“Që në ditën e parë u ka shqetësuar fakti që jam pjesëtar i një kombi pakicë [shqiptar].. Unë jam kryeministër që merr vendime të vështira, që mbrojti interesat kombëtare edhe pas 30 gushtit 2020, e që ruajti kursin e politikës së jashtme.”

Ora 16:14
'E dëmshme për Malin e Zi', Alternativa Shqiptare është kundër rrëzimit të Qeverisë së Abazoviçit

1660918684_1660918647w56365868.jpg

Alternativa Shqiptare, si pjesë e Listës Shqiptare, është kundër rrëzimit të Qeverisë së Dritan Abazoviçit.

Kështu bëri me dije të ditur kreu i Alternativës Shqiptare dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjelosaj, në ditën kur Kuvendi i Malit të Zi po voton për shkarkimin e kryeministrit, pas nënshkrimit të marrëveshjes themelore për Kishën Ortodokse Serbe që u cilësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit.

“Edhe pse nuk kemi përkrahur nënshkrimin e Marrëveshjes Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe, mendoj që është e palogjikshme rrëzimi i Qeverisë pikërisht për shkak të kësaj marrëveshjeje, kjo për mendimin tim është irracionale dhe e dëmshme për shtetin e Malit të Zi”, u shpreh Nuk Gjelosaj.

A.M./D.GJ/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbërori: 19/08/2022 23:21

    Dritan shqipfolësi një fundrrin e njejt si ky fundrrina Edvin shkjau shqipfolës ! Mjerimi i kombit shqipëtarë !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Zyrtare/ Vllaznia prezanton Thomas Brdaric, zëvendëson Osmanin në stol! Trajneri flet shqip (VIDEO)

Zyrtare/ Vllaznia prezanton Thomas Brdaric, zëvendëson Osmanin në stol! Trajneri flet shqip (VIDEO)