Skuadra turke e Trabzonsporit, ku bën pjesë edhe Ernest Muçi, interesohet sërish për shërbimet e Myrto Uzunit. Në janarin e këtij viti palët kanë qenë në negociata të avancuara, teksa vetë Uzuni tregoi më vonë se marrëveshja ishte e mbyllur, por 'u prish për dhjetë minuta'.

Duket se ekipi turk vijon të ndjekë me interes sulmuesin e kombëtares shqiptare që aktivizohet me Austin FC në SHBA, bën me dije 'HaberGo'. Kontrata e tij deri në fundin e vitit 2027 bën që edhe Austin FC të jetë e vëmendshme ndaj ofertave që mund të vijnë.

Paraqitjet pozitive të Uzunit në këtë edicion kanë bërë që Trabzonspori të rikthehet në skenë, duke e parë atë si profil të përshtatshëm për të përforcuar repartin sulmues për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi shqiptar u transferua te Austin vitin e kaluar nga Granada për një shumë të raportuar prej 12 milionë eurosh, duke u bërë një nga afrimet më të mëdha të klubit amerikan.