Aleanca ushtarake Shqipëri-Kosovë-Koraci 'tremb' Vuçiçin! Kroacia: Iku koha kur pyesnim Beogradin! Vëngu: Serbia ikën nga tavolinat, s’mund të kërkojë llogari

Një marrëveshje e firmosur në Tiranë të martën e 18 marsit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe ndërveprim ushtarak mes tri vendeve e ka shqetësuar Beogradin zyrtar.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar menjëherë pas firmosjes së kësaj aleance ushtarake nga tre ministrat e mbrojtjes Pirro Vëngu, Ejup Maqedonci dhe ministri kroat Ivan Anusiç, duke e cilësuar si një “garë armësh” që cenon stabilitetin rajonal dhe se për këtë do të kërkojë shpjegime nga ministria e jashtme e Shqipërisë dhe Kroacisë, pasi kjo aleancë ushtarake sipas tij nuk duhej formuar pa konsultim me Beogradin.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu në një intervistë televizive, duke e theksuar fort se siguria e Kosovës është prioritet kombëtar, ka thënë se Serbia e ka humbur vetë shansin e konsultimeve pasi ajo prej 2 vitesh nuk pranon të ulet në tryezat e dialogut dhe se kjo marrëveshje nuk është aleancë kundër askujt në rajon, por një hap për të rritur nivelet e mbrojtjes.

“Nuk është një marrëveshje që parashikon një qasje agresive ndaj dikujt tjetër në rajon. Ne nuk e shohim veten si aleancë kundër dikujt, por është për të rritur nivelet e mbrojtjes. Serbia e ka humbur shancin për t’u konsultuar nga momenti që zbaton politikën e karriges boshe në takimet rajonale. Nuk ka pse konsultohet kur bëhet një marrëveshje e përbashkët. Kosova njihet nga Kroacia. Serbia nëse do të konsultohet të vijë të ulet në tryezë”, tha ministri.

Një përgjigje presidenti serb e ka marrë edhe nga ministria e Jashtme e Kosovës e cila e përmes një reagimi zyrtar I cilësn këto deklarata agresive dhe kërcënuese. Në deklaratën zyrtare thuhet se Serbia po vazhdon të sillet si një fuqi dominuese në ballkan duhet u përpjekur të ndikojë mbi tre shtete sovrane.

“Serbia vazhdon të sillet si një fuqi dominuese në Ballkan dhe të përzihet në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, në kundërshtim me angazhimet e saj ndërkombëtare,” thuhet në reagimin e MPJD-së. Duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe për njohjen e institucioneve dhe kornizës ligjore të Kosovës si të vetmet autoritete të vlefshme brenda vendit tonë.

Për më tepër, retorika e Serbisë është e mbushur me tone hegjemoniste, pasi ajo përpiqet të paraqitet si fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga Kroacia dhe Shqipëria—dy shtete sovrane, të dyja anëtare të NATO-s, me Kroacinë gjithashtu anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo sjellje është tërësisht e papranueshme dhe përbën një tjetër shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera.

Një përgjigje Vuçiç e ka marrë edhe nga ministri i Mbrojtjes kroat i cili thotë se "Ka kaluar koha kur Kroacia pyeste Beogradin se çfarë do të bënte”, duke paralajmëruar se të tjera vende do t’i bashkohen kësaj aleance.

"Ka kaluar koha kur ne pyesnim Beogradin se çfarë do të bënim. Shqipëria është aleati ynë në NATO dhe Kosova është vendi ynë mik që ne e kemi njohur”, shtoi Anusiç.

Shqetësimin e tij Vuçiç thotë se ia ka referuar edhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në një takim në Bruksel një ditë më parë, I bindur se aleanca nuk është njoftuar për këtë hap.

“Është detyra jonë t'ua themi zotit Rutte, njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996”, ka deklaruar Vuçiç.

“Kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996, por ne kemi parë nga reagimet e Kroacisë dhe disa pjesëve të tjera të rajonit se ata nuk janë shumë të interesuar për të. Jam pothuajse i bindur se NATO-ja as që ishte e informuar dhe se as që u është thënë se cilat marrëveshje janë shkelur.

Ata kanë hapur një garë armatimesh në rajonin tonë, është një situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do të mbrohemi me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, tha Vuçiç, gjatë një vizite në Bruksel. 

Ndërsa vetë Rutte shkroi në X vetëm mesazhin se me presidentin serb bisedoi për rëndësinë kritike të ruajtjes së sigurisë rajonale, si dhe se "si të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet NATO-Serbi".

Bashkëpunimi synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tri vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së Mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:18
Aleanca ushtarake Shqipëri-Kosovë-Koraci, Kryeministri Plenkoviç: S’kemi nevojë ta pyesim as Serbinë as NATO-n

1742477541_andrejplenkovic.avif

Foto: Andrej Plenkoviç

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç ka thënë se për marrëveshjen e fundit ushtarake me Kosovën dhe Shqipërinë nuk kanë nevojë ta pyesin Serbinë apo NATO-n. Ka theksuar se marrëveshja nuk është e natyrës armiqësore.

Plenkoviçit iu përgjigj deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka thënë se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova shkelën marrëveshjen e vitit 1996 dhe hapën një garë armësh.

“Shpresoj se dikush do të marrë pesë minuta kohë për të lexuar tekstin e marrëveshjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës”, ka thënë Plenkoviç, duke shtuar se këto janë marrëveshje të përbashkëta.

Ai theksoi se Kroacia nuk ka asnjë qëllim armiqësor me këtë marrëveshje.

“Ne e krijuam një dokument që ndihmon përpjekjet e tyre për reforma. Nuk është i një natyre armiqësore. Unë e kuptoj që duhet kërkuar një armik më tej, por kjo marrëveshje nuk është e natyrës armiqësore. Kroacia nuk ka nevojë të pyesë askënd për këtë, as Serbinë dhe as NATO-n”, u shpreh Plenkoviç.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e nënshkruan një deklaratë në Tiranë më 18 mars, për ta forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, gjë që nxiti reagime në Serbi.

S.B/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ceni: 20/03/2025 17:56

    Aleance e duhur dhe pse e vonuar!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 21 Mars, 10:09

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?



×

Lajmi i fundit

‘Na nxore gjumin’, Basha i përgjigjet Ramës: Ngele duke pyetur për shokët e mi! S’ke faj, vetëm bufi të ka ngelur, jeni të pandashëm

‘Na nxore gjumin’, Basha i përgjigjet Ramës: Ngele duke pyetur për shokët e mi! S’ke faj, vetëm bufi të ka ngelur, jeni të pandashëm