PRISHTINË, 11 Dhjetor/ATSH/.- Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka lidhur një marrëveshje me Partinë Liberale të Egjiptianëve (PLE) dhe Partinë e Ashkalinjve për Integrim (PAI), sipas së cilës deputetët e PLE-së dhe PAI-t në mandatin e tanishëm do t'i bashkëngjiten Grupit Parlamentar të LDK-së.
KosovaPress bëri të ditur se sipas marrëveshjes së publikuar nga LDK, nga një përfaqësues i PLE-së dhe PAI-t do të emërohen zëvendësministra, ndërsa dy persona nga këto parti, këshilltarë në ministritë relevante për këto komunitete. Të gjithë këta do të emërohen në vende që në Qeverinë e Isa Mustafës i takojnë LDK-së.
Marrëveshja parasheh angazhim të përbashkët që të sigurohet përfaqësim i drejtë dhe parimor i pjesëtarëve të komuniteteve egjiptiane dhe ashkalinj në të gjitha trupat relevante shtetërore, në harmoni me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
Me këtë marrëveshje palët pajtohen gjithashtu për angazhim konsekuent në ngritjen e mirëqenies sociale si dhe nivelin e edukimit të pjesëtarëve të këtyre komuniteteve, duke ndikuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejt në parandalimin e largimit të pjesëtarëve të këtyre komuniteteve nga Republika e Kosovës, thuhet në njoftimin e LDK-së./m.m/