Dhoma e Deputetëve të Parlamentit italian ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Strategjik me Shqipërinë që u nënshkrua vitin e kaluar në Romë.

Lajmi është bërë i ditur përmes njoftimit të ambasadës shqiptare në Itali në një postim në X. Bëhet fjalë për gjashtë marrëveshje e gjashtë memorandume për bashkëpunime në fusha të ndryshme, kryesisht te mbrojtja, siguria, shëndetësia etj që synojnë forcimin e partneritetit mes dy vendeve.

“Dhoma e Deputetëve e Parlamentit italian miratoi projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Strategjik me Shqipërinë, të nënshkruar në Romë më 13 nëntor 2025. Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi mes dy vendeve në fusha si energjia, mbrojtja e mjedisit, siguria dhe mbrojtja, menaxhimi i migracionit, drejtësia, infrastruktura, shëndetësia, bujqësia, turizmi, arsimi, inovacioni dhe mbështetja për diasporën shqiptare. Marrëveshja do të forcojë me tej partneritetin strategjik mes Italisë dhe Shqipërisë dhe do të mbështesë procesin e integrimit europian të vendit tone. Faleminderit, Itali!”, thuhet në njoftim.